Europa në alarm nga trafiku i drogës dhe kriminaliteti shqiptar

Në fillim ishte Anglia. Që prej vitit 2015 e përditshmja “The Guardian” merrte shqiptarët si shembull të kriminalitetit në mbretërinë ishullore. Drogë, trafik qeniesh njerëzore, shfrytëzim minorenësh, grabitje bankash si rekordi i 53 milionë paundëve në kasafortën e Tonbridge, në Kent.
Italia ka problem kryesor drogën. Lumenj me kanabis vërshojnë thuajse çdo ditë në brigjet italiane, me skafe, gomone e së fundi me jahte. 10 tonë janë kapur vetëm këtë javë. Prokurori i Antimafias italiane deklaronte vetëm disa javë më parë se kanabisi shqiptar ka futur në konflikt grupet më të rrezikshme mafioze që veprojnë përgjatë Adriatikut. Edhe Greqia përballet me të njëjtin fenomen, por në fluks më të vogël, si pasojë e tregut jo të favorshëm që ka në trafikun e drogës.
Në mes të gushtit të këtij viti, alarmin e jep Holanda. Policia dhe Prokuroria e këtij vendi i dorëzuan qeverisë një raport me kërkesën për të kthyer regjimin e vizave për shqiptarët. Arsyeja ishte rritja e kriminalitetit nga bandat shqiptare.
“Kriminelët shqiptarë në Holandë janë fuqizuar së tepërmi vitet të fundit, ku ata operojnë kryesisht në trafikun e drogës, pastrim parash dhe në trafikun e qenieve njerëzore”, thuhet në raport.
“Kriminaliteti shqiptar është rritur edhe në Francë”, raportonte në fillim të këtij muaji gazeta franceze “Le Figaro”, në një shkrim që kishte në fokus rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë dhe ndihmën që u jepej atyre nga grupet kriminale shqiptare.
“Një gjë është e sigurt. Shqiptarët që arrijnë në masë (si azilkërkues), mbështeten nga grupe mafioze të vërteta, të vendosura në Metz, Lion e Calvados. Trafiku i qenieve njerëzore, të minorenëve dhe prostitucioni e minojnë këtë komunitet vulnerabël. Shkurt, kriminaliteti shqiptar po vendoset në Francë dhe shteti duhet të reagojë”, citonte “Le Figaro” një funksionar të Ministrisë franceze të Brendshme.
Tani është edhe Spanja. Një investigim i gazetës britanike “Daily Mirror” zbuloi një rrugë të re që përdorin grupet mafioze shqiptare për të dërguar emigrantë klandestinë në Angli. “Mafia shqiptare ka hapur një rrugë të re për të trafikuar emigrantë në Britaninë e Madhe nëpërmjet një porti spanjoll, sipas një investigimi të Sunday People të gazetës ‘Daily Mirror’. Trafikantët që kërkojnë deri në 2.500 paund për person po trafikojnë me sukses me anije që nisen nga Bilbao, të dëshpëruarit që kërkojnë një jetë të re – përfshirë refugjatët nga Ballkani, Iraku, Afganistani dhe Siria”, shkruante “Daily Mirror”.

 

Exit mobile version