Një person ka mbetur i vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur në tri aksidente rrugore që ndodhën ditën e djeshme. Një aksident rrugor ka ndodhur ditën e djeshme në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë. Si pasojë ka humbur jetën një person, i cili po kalonte rrugën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:00, pranë fshatit Konjat. Ende nuk dihen shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe po kryhen veprimet proceduriale. Grupi hetimor po punon për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Një person mbeti i plagosur rëndë në një aksident rrugor mbrëmjen e djeshme në Vlorë. Ngjarja u regjistrua në Lungomare, tek Shkolla e Marinës, ku një automjet u përplas me motorin.
Për pasojë mbeti i plagosur drejtuesi i motorit. Ai është transportuar drejt spitalit rajonal për marrjen e ndihmës mjekësore. Policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për aksidentin.
Një aksident tjetër ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit, ku një qytetar ka shpëtuar mrekullisht. Ngjarja ka ndodhur tek Mauzoleumi i Dëshmorëve në qendër të Durrësit, teksa një fuoristradë me shpejtësi me targa TR6263N ka përplasur një të moshuar që udhëtonte me biçikletë. Si pasojë e përplasjes biçikleta ka përfunduar poshtë rrotave të fuoristradës, ndërsa i moshuari u përplas në tokë duke mbetur i plagosur.
Qytetarët që i kanë dhënë ndihmën e parë të moshuarit janë tmerruar nga skena që kanë parë, pasi zona ku ndodhi aksidenti është e mbipopulluar. Forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.