Europa në merkato

Janë një rreth i ngushtë klubesh që dominojnë merkaton Europiane, natyrisht klubet më të fuqishëm ekonomikisht që kërkojnë edhe lojtarët e nivelit më të lartë që janë kthyer në objektivat e tyre për këtë verë. Ja se ku janë fokusuar të mëdhenjtë e Europës.
Real Madrid: Mbappe. Kampionët e Europës kanë një grup të plotë dhe të pasur me talente, ku do të shtojnë edhe mbrojtësin Theo Hernandez, por Florentino Perez pëlqen goditjet e mëdha dhe ndaj ka piketuar zbulimin e Championsit të fundit Mbappe, që do të ishte edhe një lloj siguracioni për periudhën post Ronaldo. Për Realin asgjë s’është e pamundur.
Barcelona: Verratti. Situata e bluagranave është ndryshe nga e Realit, pasi grupi duhet kompletuar siç demonstroi edhe fundi i sezonit që u mbyll. Objektivi kryesor është Verratti që në “Camp Nou” e konsiderojnë si trashëgimtarin e denjë të Xavit me tratativën që është në fazë të avancuar. Njëkohësisht presing edhe për Bellerin, një lojtar që ka një të kaluar në akademinë blaugrana.
PSG: Dembele. Për të arritur te Verratti, Barca duhet të bindë Paris Saint Germain, që u godit jo pak në imazh sezonin e kaluar. Për ringritjen në Paris kanë identifikuar profilin e Ousmane Dembele, i ri dhe që kërkohet nga gjithë skuadrat e mëdha. Dortmundi do 90 milionë euro, PSG edhe mund t’ja japë nëse bindet lojtari.
Bayern: Sanchez. Alexis dukej shumë pranë bavarezëve në fillim të merkatos, dhe nëse ende nuk ka shkuar aty është pasi për të është hapur një ankand mes Arsenalit që do t’i rinovojë kontratën, Bajernit dhe Manchester City-t. Në Mynih ku kanë siguruar Tolisso, Sanchez do të kompletonte në mënyrë perfekte sulmin me Lewandowskin.
Chelsea: Alex Sandro. Edhe pse kampionët e Anglisë nuk janë shfaqur shumë aktivë, Conte është përqendruar te Alex Sandro, ndërsa më pas i duhet të gjejë pasuesin e Diego Costas. Juventusi për momentin nuk dëshiron ta shesë brazilianin, por nëse çmimi rritet gjithçka mund të ndodhë.
Manchester United: Morata. Mourinho ka siguruar Lindelof dhe ka individualizuar prej kohësh zëvendësuesin e Ibrahimoviç. Alvaro Morata pritet të kthehet pas pushimeve për të zhbllokuar tratativen me Realin e Madridit, dhe pavarësisht diferencave për çmimin transferimi është i destinuar të realizohet.
Manchester City: Të gjithë. Edhe pse duket e ekzagjeruar, pasi Guardiola nuk është se po ndjek të gjithë emrat e përmendur, por ka hyrë në tratativa për një sërë prej tyre, që nga Mbappe e Dembele, e deri te Alexis Sanchez. Kiliani duket në fakt edhe emri më i kërkuar, por duhet kujtuar se City ka blerë Bernanrdo Silva dhe Ederson dhe që do të ketë edhe Dani Alves.

Artikulli paraprakMë 18 gusht nis Bundesliga
Artikulli tjetërNjë tjetër “Paulo Dibala” te Juventusi