Evropa kontinent krizash

Ata kalojnë të gjithë si në paradë në skenë. Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker lëshon majtas-djathtas fjalë të ëmbëla. Gazetarët provojnë edhe një tjetër të marrin vesh nga kancelarja gjermane Angela Merkel ndonjë vizion, gjë që ajo e shmang si zakonisht ca fjali pragmatike për detyrat dhe sfidat.
Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier ul kokën i shqetësuar seriozisht në lidhje me “krizën” që po zien aktualisht në Evropë. Dhe Martin Schulz, Presidenti i Parlamentit Evropian nuk është vërtet i pranishëm personalisht në takim, por të paktën me një video-mesazh. Radioja gjermane WDR ka ftuar në një debat për Evropën. Është si të thuash një takim politik i familjes evropiane.

Një pulovër e vjetër që po shqepet
Brenda familjes punët nuk duken mirë-në këtë pikë pleqtë e familjes janë të një mendimi. “Nëse do ta kemi edhe pas një viti Bashkimin Evropian që njohim sot, kemi arritur shumë”, paralajmëron ministri i Jashtëm gjerman. Kriza ekonomike, “matja globale e forcave” në vendet e trazuara si në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, e “shpërbërja e perceptuar e kufijve” për shkak të globalizimit, shkaktojnë tek popujt e Evropës “frikën e humbjes së kontrollit”. Populizmi i djathtë që bren përfytyrimet që ka Evropa për veten, është një “tregues i këtyre frikërave.
“Jean-Claude Juncker e krahason strukturën politike të BE-së me “pulovër të vjetër” që është në rrezik të shqepet nëse i tërheq një fije. Ndjenja themelore dramatike lidhet sidomos me referendumin që pritet të zhvillohet në Britaninë e Madhe.
Votimi i britanikëve në qershor për çështjen nëse dëshirojnë të mbeten pjesë e BE-së, ka ngjallur frikën, se ky mund të jetë fija e parë. “Nëse ka një rajon që është i përgatitur për globalizimin, atëherë më tepër se të tjerët Evropa”, thekson Steinmeier. “Shpresoj se britanikët e shohin këtë gjë po kështu”. Në rast të daljes nga BE-ja, ai paralajmëroi për një ripërtëritje të konfliktit në Irlandën e Veriut.
Jean-Claude Juncker beson se britanikët nuk janë në gjendje të vlerësojnë pasojat e një daljeje nga BE-ja. “Ideja se edhe pas një rezultati negativ çdo gjë do të vazhdojë si deri tani është e gabuar”, theksoi ai. “Kushdo që largohet nga tryeza, nuk mund të hajë më në këtë tryezë.” Ambasadori britanik në Gjermani Sebastian Wood, bën sërish reklamë për kompromisin që qeveria britanike ka negociuar me BE-në – sidomos për të drejtën e veçantë për të mos marrë pjesë në “një bashkim gjithnjë e më të ngushtë. Nga këndvështrimi ynë, një union më fleksibël është edhe një union më i fortë”.

Më shumë punë për të rinjtë evropianë
“Evropa do të jetë gjithmonë një krijesë e larmishme”, thekson edhe Angela Merkel. “Identitetet kombëtare nuk duhet të hidhen poshtë”. Pranimi i Evropës do të arrihet vetëm nëse ia dalim mbanë që ajo të jetë ekonomikisht e suksesshme. “Nëse ne nuk jemi në gjendje t’u tregojmë të rinjve se edhe ju mund të siguroni nga kjo Evropë më shumë punë, atëherë do të kemi vështirësi”.
Edhe ajo lë të kuptohet se nuk e konsideron kontinentin e vjetër në formën e tij më të mirë. Pyetjes se pse ajo nuk flet për vizionin e saj, por për çështje praktike, ajo i përgjigjet në mënyrë lakonike: “Mua do të më pëlqente, në qoftë se kjo nuk konsiderohet si një vizion”.

Exit mobile version