Zyrihu në krizë, reagon Sadiku

Armando Sadiku shpërthen ndaj Zyrihut, skuadrës që zotëron kartonin e tij. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, që aktualisht luan te Vaduzi në formë huazimi, shënjestron drejtuesit Zyrihut për situatën e rëndë që po kalon klubi, duke rrezikuar rënien një kategori më poshtë.
“Janë bërë shumë gabime te Zyrihu, deklaroi fillimisht Sadiku. Janë larguar disa lojtarë, të cilët nuk janë zëvendësuar me elementët e duhur. Nuk më takon mua të them nëse do t’i duhesha skuadrës së Zyrihut, vetë klubi më kërkoi të largohesha. Tani të kjo skuadër gjërat po shkojnë keq, kush ka faj le ta paguajë”, u shpreh Sadiku.
Sadiku, autor i një dygolëshi në fitoren e fundit me Sionin, është i bindur se nuk iu dha mundësia për të treguar sesa vlen te Zyrihu. “Në Zurih nuk jam ndier në asnjë moment i rëndësishëm dhe kurrë nuk më dhanë besim, vijon më tej sulmuesi shqiptar. Nëse gaboja në një ndeshje, në tjetrën isha jashtë. Kanë bërë shumë gabime, por ky është realiteti. Atje janë të bindur se ma kanë dhënë mundësinë për të treguar sesa vlej, por unë besoj se kjo nuk ka ndodhur”, tha ai.
Në ndeshjen e fundit të kampionatit, Zyrihu do të luajë në transfertë pikërisht ndaj Vaduzit të Sadikut. Sulmuesi shqiptar nuk ka asnjë dilemë, do të bëjmë gjithçka për të mundur skuadrën që zotëron kartonin e tij. Unë jap gjithçka aty ku ushqehem. Nuk ka asnjë dyshim, do të bëj më të mirën për Vaduzin dhe nëse do të më jepet mundësia për të shënuar, do ta bëj. Shpresoj që ta kemi siguruar mbijetesën më parë, që të mos udhëtoj fare drejt Zyrihut”, tha Sadiku.
Nuk mund të mungonte një dhumbim i 25-vjeçarit edhe për trajnerin Sami Hypia. “Ai nuk e njeh futbollin zviceran. Problemi më i madh nuk ishte ky, por niveli i komunikimit. Hypia nuk më lejonte që të flisja italisht me Chiumiento dhe Nef. Mos vallë duhet ta harronim këtë gjuhë”, përfundoi Sadiku.

Exit mobile version