Fadromat e INUK shembin kullën e heroit Prek Cali

Fadromat e Inspektoratit Ndërtimor rrafshuan dje kullën e prijësit të krahinës së Kelmendit, heroit të rezistencës antikomuniste, Prek Cali. Veprimi i kryer në fshehtësi, në atë kullë ku prej disa javësh emigrantët e zonës kishin nisur të investonin për ta kthyer në identitet, solli reagimin e ashpër të banorëve.
Me një vendim arbitrar, eskavatorët e IKMT-së kanë shkuar në Vermosh dhe kanë shembur shtëpinë e Prek Calit, udhëheqësit të kryengritjes antikomuniste të Kelmendit të vitit 1945. Siç duket trashëgimtarët e diktaturës që tani janë në pushtet, ende nuk e harrojë atë kryengritje dhe sot kanë vendosur që të bëjnë edhe veprime të tjera. Ata jo vetëm që nuk kanë lënë rikonstruktimin e banesës së Prek Calit, por kanë vendosur ta rrafshojnë.
Reagimet e banorëve kanë qenë të shumta, por ndërhyrja e policisë ka bërë që eskavatori i IKMT-së të bëjë shembjen. Banorët kanë thënë se veprimi i bërë sot i ka vrarë ata për së dyti, pas masakrës që bënë komunistët në 1945.

Banorët: Vrasje për së dyti, turp kombëtar!

Të mbledhur në rrënojat e kullës, banorët e quajnë vrasje për së dyti të Prek Calit dhe turp kombëtar, atë që ndodhi në këto troje.
“Falënderoj shumë disporën që ka investuar për të ndërtuar shtëpinë e Prek Calit, por nëse janë bërë ndërtimet pa leje nga pushteti vendor dhe janë dhënë fondet, se kush e ka rrëzuar ne nuk mund ta përcaktojmë, se fadromist mund të jetë kushdo. Këtu është dashur të merret një vendim. Si mund të merret vendimi pas 27 vitesh demokraci të rrëzohet një muzeum në tokën e Vermoshit ku varet harta e gjithë Shqipërisë”, u shpreh një nga banorët.
“Prek Calit i kanë ardhur mushqit me flori dhe nuk ka pranuar të shesë Vermoshin, as Kelmendin. Kurse sot këtyre politikanëve të famshëm që kemi ne, gjysmën e këtyre parave dhe të shesin Shqipërinë. Kështu janë këta. Ne dënojmë shumë gjestin e djeshëm. Edhe si shoqatë e të persekutuarve, edhe si mbarë populli i Vermoshit dhe Kelmendit, është gjëja më e keqe që ka ndodhur tani e 100 vjet. Enver Hoxha ia hoqi një kat, por nuk e shembi krejt. E ka shfrytëzuar”.
“Kjo është vrasja e dytë që i bëhet Prek Calit dhe kullës së tij prej regjimit komunist. Prej këtyre nuk kemi pritur të mira dhe as nuk presim”.
“Jemi të vrarë nga kjo që na ndodhi pa dijeninë tonë, se po ta dinim nuk e kishim lënë. Do ta mbrojmë me çdo kusht. Mos të nisen më me ardh këtej, me dhunu për së dyti Prek Calin”.
Megjithëse banorët tentuan ta bllokojnë prishjen e kullës, por ishte e pamundur për ta, pasi aksioni u mbështet nga forcat e Policisë së Shtetit.
Veprimi u ndërmor me argumentin se punimet po bëheshin pa leje, por rrafshimi i kullës jo vetëm është një akt i shëmtuar, por hedh poshtë miliona lekë të dhuruara nga bashkatdhetarët në diasporë, që këtë kullë e shihnin dhe vlerësonin si identitet të krahinës së tyre.

Berisha: Hakmarrje primitive e Ramës

Pas shembjes së shtëpisë-muze të heroit të rezistencës antikomuniste, Prek Cali ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha. Berisha ka publikuar në Facebook denoncimin e një banori të Vermoshit që deklaron se shteti shembi kullën e Prek Calit, antikomunistit të veriut të vendit. Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama, ndërsa e quan një akt hakmarrjeje primitive.
“Qytetari dixhital denoncon: Edvin Kristaq Ramën, që në një akt hakmarrjeje primitive atërore po rrafshon me fadroma kullën e heroit legjendar të rezistencës antikomuniste të veriut të Shqipërisë, Prek Cali!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje z. Berisha, ju shkruaj për një shqetësim kombëtar, sot fadromat e Bashkisë Malësi e Madhe shembën muret e shtëpisë së heroit, prijësit dhe atdhetarit tonë, Prek Cali. Shtëpia e tij ka qenë e amortizuar 80% dhe populli i Vermoshit që jeton në Amerikë mblodhi fondet për rindërtimin e saj. Punimet filluan para një muaji, sot ishte në përfundim kati I, por fadromat e kuqe të komunizmit e rrëzuan për të dytën herë heroin tonë. Gjithë komuniteti është i shqetësuar dhe i revoltuar. Të lutem publikoje, me respekt nga Vermoshi”, shkruan qytetari.

Basha: Rama nuk mund ta durojë nderimin e një prijësi legjendar anti-komunist

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas shembjes së kullës së heroit të rezistencës antikomuniste, Prek Cali nga fadromat e INUK. Në një postim në Facebook, Basha shkruan se, fadromat në kullën e Prek Calit goditën simbolin e kryengritjes së Kelmendit, revoltës së parë antikomuniste të Europës sepse Edi Rama nuk mund ta durojë nderimin e një prijësi legjendar anti-komunist. Sipas Bashës kjo është një shenjë e pastër urrejtjeje dhe demokracie.
“Fadromat në kullën e Prek Calit goditën sot simbolin e kryengritjes së Kelmendit, revoltës së parë antikomuniste të Europës. Ato mure në kullen e Calëve u ndërtua falë donacioneve të shqiptarëve patriotë të Amerikës. Qeveria duhej ta legalizonte restaurimin për atë çka Kulla e Prek Calit përfaqëson për Kelmendin, Malësinë dhe gjithë Shqipërinë.
Por Edi Rama nuk mund ta durojë nderimin e një prijësi legjendar anti-komunist si Prek Cali. Se kur kthen pinjollët e Byrosë dhe xhelatët e diktaturës në krye të vendit, të tremb kujtimi dhe hija e Prek Calit. Ky i sotmi është një akt urrejtje por edhe dobësie. Kelmendasit, malësorët dhe mbarë shqiptarët patriotë do t’ia japin përgjigjen pjellës së keqe”, shkruan Basha.
Kulla e prijësit të krahinës së Kelmendit, heroit të rezistencës antikomuniste, Prek Cali u rrafshua dje nga fadromat e INUK. Veprimi është kryer në fshehtësi, në atë kullë ku prej disa javësh emigrantët e zonës kishin nisur të investonin për ta kthyer në identitet, solli reagimin e ashpër të banorëve. Të mbledhur në rrënojat e kullës, banorët e quajnë vrasje për së dyti të Prek Calit dhe turp kombëtar, atë që ndodhi në këto troje.
Veprimi u ndërmor me argumentin se punimet po bëheshin pa leje, por rrafshimi i kullës jo vetëm është një akt i shëmtuar, por hedh poshtë miliona lekë të dhuruara nga bashkatdhetarët në diasporë, që këtë kullë e shihnin dhe vlerësonin si identitet të krahinës së tyre.

R.POLISI

Exit mobile version