Njoftimi i papritur se do t’i prishen shtëpitë ka alarmuar banorët e Shkozës që të enjten u hodhën në protestë duke bllokuar rrugën. Pamjet e fëmijës që qante, ndërsa i arrestuan nënën ishin rrëqethëse. Një ditë më pas, banorët liruan rrugën, ndërsa autoritetet tërhoqën policinë, në një “armëpushim” të brishtë.
Premtimi është që një “grup ndërinstitucional” do të shohë mundësinë e një zgjidhjeje të ndërmjetme që do të bëjë të mundur rehabilitimin e zonës dhe që nuk do të lërë pa shtëpi 153 familjet që preken nga projekti. Deri atëherë, banorët i shkruajnë deputetëve të PS dhe kërkojnë zgjidhje prej tyre, pasi në fushatë i kërkuan votën duke i premtuar se shtëpitë e tyre nuk do të prisheshin.
Në komentet për deputeten Elona Gjebrea, një banor mallkon veten që votoi PS-në, ndërsa thekson se po i groposin të gjallë. Vajzës së tij i ka rënë të fikët të enjten ndërsa ishte ndaluar nga policia, ndërsa nipin ia ka marrë policia. Ai i është drejtuar me një mesazh deputetes së PS ku ndër të tjera shkruan se, kur ka parë vajzën të shtrirë tek këmbët e policisë gjatë protestës dhe nipin që ia mori policia, ai thotë se, “kam mallkuar se kujt ia kam dhënë votën me familjen time deri kur është themeluar Partia Socialiste”.
Ja çfarë i shkruan ai deputetes, Gjebrea:
“Znj. Gjebrea. Kam pasur dhe kam respekt. Jam ai xhaja që po luaja domino te dyqani, te Agushe Gjexovica që foli dhe gruaja ime. Të premtuam votat tona dhe ju më premtuat në mes të gjithëve: ‘xhaxha je i pari që do të marrësh legalizimin’. Mirëpo, dhe tani s’e kam marrë akoma. Ti e di mirë që unë jam i sëmurë, që të informoi edhe gruaja ime me këshilltarin e zonës dhe prapë kam ardhur në Itali për kurim. Kur marr vesh që goca ime, që është edhe e sëmurë, e shoh të shtrirë në këmbët e policisë që i kishte ikur edhe gjuha. Gjithashtu dhe nipin tim që e merr policia. I thashë vetes dhe e kam mallkuar se kujt ia kam dhënë votën me familjen time deri kur është themeluar Partia Socialiste. Kjo parti, familjen time po ma gropos. Kur u shemb dyqani te ‘Ali Demi’, në tokën time ku më kishin prishur shtëpinë private, që kjo qeveri akoma s’më ka shpërblyer. Vetëm emrin kam për shpërblimin e shtëpisë. I kam bërë gjithë veprimet deri tek banka që do t’i dërgonin, por ende s’kam marrë asgjë. Këtu që kam bërë shtëpinë që ma keni zotuar, që fola më lart dhe kur mësova edhe për gocën Anila Mema që ka komunikuar dhe pashë edhe videot me policinë, them që kjo është socialistja?! Ndaj nuk kam më besim. Që kjo qeveri që kam votuar deri ku u themelua dhe prandaj jam i shqetësuar dhe i zhgënjyer. Pres që të bëjnë ndonjë kthesë dhe të marr ndonjë përgjigje të mirë, Faleminderit!”.
Të enjten qindra banorë u ngritën në protestë kundër prishjes së shtëpive në zonën e Shkozës në Tiranë, ndërsa policia ushtroi terror ndaj tyre. Banorët kishin bllokuar urën duke mos lejuar kalimin e automjeteve, ndërsa në vendngjarje kishin shkuar më shumë se 100 forca policore duke dhunuar dhe arrestuar disa nga protestuesit. “Nuk kemi ku të shkojmë, do të mbajmë të bllokuar urën. Shtëpitë disa janë të ndërtuara që më 1985, disa në proces legalizimi. Banorët u mashtruan me premtime e tani sjellin 100 policë për të na flakur në rrugë”, janë shprehur ata të revoltuar.
Dhuna policore ndaj protestuesve në Shkozë shkaktoi trauma edhe tek fëmijët që ndodheshin përkrah prindërve në mbrojtje të banesave të tyre. Në një video të publikuar nga mediat shfaqet momenti rrëqethës kur një djali të vogël, jo më shumë me 6 vjeç, i shoqërojnë prindërit për në komisariat, ndërsa i mituri ulëret e të këput shpirtin me fjalët e tij, “Jooo, mos ma merrni mamin”.
Terrori policor në Shkozë, Avokati i Popullit nis hetim administrativ
Institucioni i Avokatit të Popullit bën me dije se, ka nisur qysh ditën e enjte hetimin administrativ në lidhje me procedimin nga ana e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) për prishjen e disa ndërtimeve private, në zbatim të një projekti infrastrukturor në Shkozë të Tiranës. Përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë ndjekur ditën e enjte në terren procedurat që po kryhen nga IKMT dhe Policia e Shtetit në zonën e Shkozës.
Gjithashtu, nga ana e përfaqësuesve të institucionit tonë është marrë kontakt me qytetarët e prekur nga projekti i mësipërm. Sipas tyre, IKMT ka njoftuar para disa ditësh për prishjen e banesave të ndërtuara pas vitit 1991, për të cilat ata kishin kryer vetëdeklarim. ALUIZN-i Tiranë sipas tyre, vetëm para pak ditësh i kishte njoftuar se ndërtimi i tyre nuk do të trajtohej me leje legalizimi.
Sipas këtyre personave, janë rreth 150 familje që preken nga prishja e ndërtimeve si rrjedhim i zbatimit të këtij projekti.
Në vijim të informacioneve të mësipërme, nga ana e ekspertëve tanë janë hartuar shkresat përkatëse për IKMT-në, ALUIZN-in dhe ARRSH, për të na vënë në dispozicion gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me procedurat që po kryhen në kuadër të këtij projekti me impakt kaq domethënës për qytetarët.
Një çështje tjetër që po ndiqet paralelisht nga një grup i dytë ekspertësh të institucionit tonë është edhe çështja e shoqërimeve që Policia e Shtetit u ka bërë qytetarëve që nuk ishin dakord me kryerjen e veprimeve nga ana e IKMT-së.
Ekspertët e Avokatit të Popullit kanë ndjekur dhe shqyrtuar procedurat e shoqërimit të disa qytetarëve nga ana e Policisë së Shtetit dhe kanë bërë verifikimet e duhura në lidhje me to.
Sipas konstatimeve tona, 10 qytetarë u shoqëruan në orët e pasditës së djeshme nga Policia e Shtetit. Nga verifikimi ynë, këta qytetarë u mbajtën për rreth tre orë në ambientet e Komisariatit nr.1 në Tiranë ku janë pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.
Për këta shtetas janë përcjellë materiale në Prokurori për procedim penal për veprat “mosbindje ndaj punonjësve të policisë”, “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullim e manifestim të paligjshëm” dhe “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Një ndër të proceduarit ishte edhe shtetasi minoren J.M., për të cilin është kërkuar nga ana e përfaqësuesit të Avokatit të Popullit që të trajtohet konform standardeve ndërkombëtare për të drejtat e të miturve.
Qytetari J.M., është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës të zgjedhur nga familja dhe psikologu. Këta shtetas janë shoqëruar në komisariat në orën 16:45 dhe janë liruar në orën 19:30, të datës 14.09.2017, pas ndërhyrjes së ekspertit të Avokatit të Popullit. Avokati i Popullit garanton qytetarët se vullneti, të drejtat dhe interesat e tyre janë dhe do të mbeten në fokusin kryesor të punës së këtij institucioni në çdo rrethanë.