Fajtori kthehet gjithmonë në vendin e krimit

Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka reaguar pas inspektimit të punimeve për bulevardin e ri nga Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Bozdo thotë se Terminali Multimodal, bulevardi i ri dhe rehabilitimi i Lumit të Tiranës kanë qenë projekte të Lulzim Bashës kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, por punimi në atë kohë u ndërpre nga Kryeministri Rama. Në një reagim për mediat, Bozdo tha se Rama përgjegjësi kryesor për bllokimin për dy vite të ndërtimit të bulevardit të ri.
“Edi Rama përgjegjësi kryesor për bllokimin për dy vite të ndërtimit të bulevardit të ri, rehabilitimit të Lumit të Tiranës u krekos sot si gjeli majë plehut me punën e nisur nga Lulzim Basha.
Pas bllokimit për më shumë se dy vite të projektit të bulevardit dhe të Lumit të Tiranës përveç interesave politike duket se po më të rëndësishme kanë qenë interesat e betonit të Sadri Abazit, që u faktuan me reduktimin e sipërfaqes së gjelbër, e cila ishte parashikuar rreth 300 mijë metër katrorë e zëvendësimit me kulla betoni. Meqenëse bilanci është vetëm beton, taksa të larta, rritje të çmimit të biletës së autobusëve, mungesë shërbimi, Rama dhe masha e tij në Bashki ka zgjedhur të mburret me punët e Lulzim Bashës. E filloi me investimin e nisur nga administrata “Basha” me fonde të BE-së për ndërtimin e një shkolle dhe infrastrukturës rrugore në njësitë administrative 4 dhe 8, e vazhdoi me rikonstruksionin e Lumit të Tiranës, duke e shitur si investim të tij edhe pse kishte përfunduar 60 për qind e punimeve ku mori detyrën e po e vazhdon me bulevardin e ri.
Në fakt në tre vjet as Edi Rama nuk ka asnjë bilanc për të treguar përveç palmave, kullës së Korçës, investime tërësisht korruptive dhe 2.2 miliard euro të vjedhura nën qeverisjen e tij.
Shqiptarët nuk e hanë më sapunin për djathë. Bulevardi i ri ishte vizion i Lulzim Bashës. Punimet për bulevardin e ri të Tiranës nisën në shtator të vitit 2013 pas përfundimit të projektit nga studioja prestigjioze ndërkombëtare “Grimshaw Architects” dhe sigurimit të fondit të investimit nga Fondi për Zhvillim i Abu – Dhabit. Projekti u bllokua më pas me urdhër të Edi Ramës. Për këtë bllokim është kallëzuar penalisht ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, dosje të cilën Prokuroria vazhdon ta mbajë në sirtar dhe është dënuar ish-kreu i INUK.
Sot, Edi Rama dhe Erion Veliaj duhej fillimisht t’i kërkojnë ndjesë qytetarëve të Tiranës për bllokimin me dy vjet të këtij projekti dhe mijëra vendeve të punës të lidhura me të” tha Bozdo në reagimin e tij.

Exit mobile version