Rrëfimi i oficerit: Si përgjonim pa leje

Një nga 5 oficerët e trajnuar nga policia italiane me përgjuesin e paligjshëm ka treguar detaje të reja që konfirmojnë se kjo pajisje u përdor për përgjime dhe aksione policore.
Agjenti i policisë ka treguar para hetuesve rastin kur së bashku me dy ekspertët italianë dhe të shoqëruar nga përgjegjësi i IT-së, Ention Xhelilaj kanë zbarkuar në Seman të Fierit për hetime operative, sipas “Abc News”. Ai ka thënë se në atë zonë kishte dyshime se persona ende të paidentifikuar trafikonin lëndë narkotike me avionë të vegjël. Për të identifikuar dhe gjurmuar numrat e personave të dyshuar si trafikantë, efektivi i policisë ka treguar se kanë kryer disa veprime operative në atë zonë duke tentuar zbardhjen e numrave të tyre. Ai ka thënë se në një moment, ekspertët italianë kanë kërkuar që efektivët e policisë shqiptare të largoheshin nga makina dhe për disa minuta kanë qëndruar vetëm, pa ditur se çfarë është bërë në atë kohë.
Agjenti ka shpjeguar me detaje edhe për rastet e gjurmimit dhe identifikimit të numrave të të dënuarve në burgje mes të cilëve edhe Vladimir Gjuta, i dyshuar për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, por që më pas doli i pafajshëm.
Po ashtu është përgjuar edhe burgu i Peqinit dhe zyrtarë të lartë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Provat për Semanin

Pajisja përgjuese “IMSI Catcher”, për të cilën Prokuroria ka nisur hetimet, dyshohet se është dërguar në zonën e Semanit pak javë më parë. Pas sinjalizimeve se në këtë zonë po ulen avionë me drogë, drejtuesit e policisë dyshohet se urdhëruan përdorimin e “IMSI Catcher”. Hetuesit kanë dyshime se pajisja e përgjimit u dërgua një ditë në zonën ku ishte raportuar për fluturimin e një avioni të vogël në Seman.
Dyshohet se të pranishëm kanë qenë policë shqiptarë dhe punonjës të Interforce. Dërgimi i pajisjes në zonën e Semanit mësohet se është pranuar se ka ndodhur edhe nga efektivë të policisë shqiptare, që janë pyetur si persona me dijeni për çështjen e “IMSI Catcher”. Pavarësisht këtij fakti, nuk është e qartë nëse pajisja përgjuese është dërguar në zonën e Semanit për arsye hetimore, pra për të skanuar IMEI-t në zonë vërtet apo për arsye trajnimi. Zyrtarët e akuzës thanë se po hetojnë të dyja variantet, pra mundësinë që pajisja të jetë përdorur për përgjime në lidhje me çështjen e avionit, por edhe mundësinë që në situatën e dhënë, pajisja të jetë përdorur për trajnim me qëllim lokalizimin e personave të dyshuar në zonë.
Në të dyja rastet, sipas Prokurorisë, ka dyshime se pajisja është përdorur me kapacitetin e saj skanues të celularëve dhe me programe përgjuese. Më 21-22 maj 2016, disa qytetarë raportuan se kishin parë avionë të vegjël sportivë në zonën e Semanit. Raportimet u shoqëruan edhe me disa foto të avionëve, për të cilët u tha se ishin ulur në zonën e Semanit. Policia i hodhi poshtë këto raportime dhe tha se atë ditë në itinerare që përfshijnë Semanin kanë fluturuar tre avionë sportivë, me leje, për qëllime turistike. Nga ana tjetër, Prokuroria bën me dije se veç hyrjes së pajisjes pa kaluar në doganë dhe pa autorizim nga Prokuroria, një tjetër shkelje është gjetur në procedurën e ndjekur. Sipas akuzës, policia nuk ka njoftuar AKEP-in në lidhje me ndërhyrjet që mund të bëheshin në rrjetin e telefonisë celulare nga pajisja “IMSI Catcher”, qoftë edhe për arsye trajnimi.
Edhe në këtë rast, sipas Prokurorisë, organi që ka sjellë pajisjen në Shqipëri duhej që minimalisht të njoftonte Autoritetin e Komunikimeve Elektronike e Postare, AKEP. Sipas Prokurorisë, në çdo rast pajisja ndërhyn në rrjetin e telefonisë celulare duke u sjellë si antenë valësh e rreme e duke nxjerrë jashtë funksioni antenat e vërteta.

Exit mobile version