Fasoni redukton përfitimet për punonjësit, ulen dhe hiqen bonuset! Kriza për shkak të humbjeve nga kursi i këmbimit valutor, mijëra të papunë

Sektori i industrisë së përpunimit është futur në një krizë pa kthim për shkak të humbjeve që erdhën ndër vite në kursin ë këmbimit.

 

Në vitin 2021 përftimet e një punonjësi me cilësi të lartë në një rrobaqepësi në Tiranë arrinin 55,000-60,000 lekë në muaj. Kjo shumë përfshinte pagën minimale dhe një bonus në formën e shpërblimit që arrinte në rreth 20 mijë lekë në muaj.

Shpërblimet zakonisht ishin pagesa që nuk përfshiheshin në pagë, pohoi A. Mustafa më përvojë shumëvjeçare se administrator në fabrikat e prodhimit të veshjeve.

Tani shpërblimet nuk jepen më ose janë shumë më të ulëta, duke çuar në ulje të mprehtë të pagave. Shpesh punonjësit zgjedhin të lënë punën nga ulja e përfitimeve, por edhe në fabrikat e tjera ku ata tentojnë të punësohen situata është e njëjtë, marrin një bonus më të ulët ose nuk marrin fare.

Punonjësit e fabrikave me përvojë shumë vjeçare ne qepjen e rrobave dhe këpucëve në eksport e kanë të vështirë të integrohen në sektorë të tjerë. Shumë prej tyre po pranojnë të punojnë në kushtet e reja, me ulje page.

Dy vitet e fundit qindra njësi prodhimi të veshjeve dhe këpucës që kanë punuar si nën-kontraktorë kanë mbyllur aktivitetin, teksa mijëra punonjës dolën papunë.

Efektet e krizës së fasonit në punësim mbeten të pamatshme këtë vit për shkak se INSTAT nuk ka i publikuar treguesit e punësimit më 2024 në pritje të azhurnimeve të Anketës së Forcës së punës me të dhënat e reja të Cenc 2023.

Fabrikat e mëdha të tekstilit dhe këpucës duket se janë dorëzuar para krizës dhe besojnë se situata nuk do të jetë e rikuperueshme. Rënia përtej parashikimeve e kërkesës nga jashtë e kombinuar me faktorë të brendshëm si rritja e kostove të punës, humbjet nga kursi i këmbimit kanë ulur të ardhurat me 30% në vitin 2023, teksa shumica bilanceve rezultuan me humbje. industrialistët kanë shkurtuar 35 për qind të punonjësve në dy vitet e fundit, teksa janë në përpjekje për tu diversifikuar në sektorë të tjerë.

Ditë pas ditë, muaj pas muaji dhe vit pas viti humbjet nga kursi i këmbimit janë shndërruar në gangrene për fabrikat me destinacion eksportin. Në fillim të vitit 2022 euro u këmbye mesatarisht 123 lekë, ndërsa këto ditë ka rënë poshtë nivelit 100 lekë. Rënia e euros në dy vite me rreth 18 pikë për qind, i ka ulur në nivele të ngjashme të ardhurat nga eksportet pavarësisht volumit të punës./Monitor

Exit mobile version