Fatkeqësitë që e përndoqën që në vogëli Kadri Roshin! Nga puna si hamall porti, te studimet në Pragë dhe aktrimi, jeta e trazuar e artistit të madh

Aktori Kadri Roshi ishte ndër të parët që hodhi themelet e artit të aktrimit pas viteve 30 në Shqipëri.

 

Për vlerat e tij të veçanta dhe unikale të interpretimit Kadri Roshi u vlerësua që në kohën e diktaturës me titullin e madh “Artist i Popullit”. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja përkujtoi në 101- vjetorin e lindjes aktorin e madh Kadri Roshi, “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.

Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja tha se emri i Kadri Roshit nuk shuhet kurrë.

“Sot kujtojmë me nderim të thellë një nga ikonat më të mëdha të skenës dhe ekranit shqiptar, Kadri Roshin, aktorin që me talentin dhe përkushtimin e tij, la një gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe artin tonë kombëtar. Le të kujtojmë sot jo vetëm aktorin, por edhe njeriun që përmes artit frymëzoi breza të tërë artistësh dhe dashamirës të kulturës”,-theksoi Gonxhja.

Roshi lindi më 4 janar të 1924-ës, në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një vogëli të trazuar pasi humbi të ëmën në moshën 2-vjeçare dhe mbeti jetim dhjetë vjet më vonë, kur i vdiq edhe i ati. Kadri Roshi vjen nga një familje e arsimuar, por vetë e pati të vështirë shkollimin, për arsye se fatkeqësitë e njëpasnjëshme familjare do ta përballin me sfidat më të vështira që në fëmijëri. Mbeti përfundimisht jetim në moshën 12-vjeçare.

Për të mposhtur mjerimin shkon në Kavajë dhe Durrës ku punon si hamall porti. Çlirimi i vendit në vitin 1944 e gjen në Tiranë ku disa miq e ndihmojnë të gjejë punë si biletaprerës në kinema. Aty lindi ëndrra për t’u bërë aktor. Karriera e tij si aktor nisi në moshën 21- vjeçare në skenën e Teatrit Popullor.

AKTRIMI

Kur u hap Teatri Popullor Kadri Roshi hyri në konkurs. Prova e parë u mbyll me keqardhjen e dështimit. Ishte pothuajse gagaç, nuk fliste dot rrjedhshëm. Për hir të pasionit iu gjet një punë si sufler në Teatrin Popullor. Shumë shpejt Kadri Roshi shihte dritën e skenës, sepse kishte vlera. Në vitin 1946 iu ofrua një rol te “Revizori” i Gogolit. Me këtë rol triumfoi. Më 1947-n, u nis me bursë të plotë nga shteti shqiptar për në Zagreb të Kroacisë për të studiuar.

Ndërsa ishte vetëm me 4 klasë shkollë fillore, ai u regjistrua si studenti i parë shqiptar në një shkollë të lartë për aktor! Pasi u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë në 1948- n, i vijoi studimet në Pragë bashkë me kolegun Lazer Filipi. Pas studimeve universitare kthehet në Tiranë i diplomuar si aktor. Roli i parë debutues si profesionist është Osipi i “Revizorit” të Gogolit. Pas këtij roli do të vijonin shumë të tjerë, që i krijoi deri në ditët e fundit të jetës. Megjithatë jeta e Kadri Roshit në profesion nuk ka qenë e lehtë. Në vitet ’70 Kadri Roshin e hoqën nga skena për të punuar në një ofiçinë të automjeteve të ndërtimit si xhenerik.

Në ditët e vështira të riedukimit, pasioni i jashtëzakonshëm për teatrin e mbajti gjallë. Kadri Roshi themeloi grupin teatror të ndërmarrjes me aktorë amatorë, duke realizuar disa shfaqje të suksesshme drame dhe estrade, me të cilat fitoi disa çmime. Me këtë trupë ai u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, duke shënuar një ngjarje të rrallë për nga pjesëmarrja e spektatorëve dhe emocionet që përcolli. U kthye me veprën “Koha e komisarëve”, dramatizim i romanit “Komisari Memo” të Dritëro Agollit. Spektatorët shpërthyen në duartrokitje për rikthimin e Kadri Roshit.

ROLET

Kadri Roshi ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm. Rolet e tij variojnë nga skllavi Ezop në teatrin “Dhelpra dhe rrushtë”, tek kujdestari në filmin “Lulëkuqe mbi mure”; nga mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në filmin “Liri a vdekje”, deri tek plaku Mere në filmin “Njeriu me top”.

Disa prodhime të tjera filmike ku Roshi ka mishëruar role protagoniste, janë: “Vdekja e burrit” (1991), “Apasionata” (1983), “Partizani i vogël Velo” (1980), “Ballë për ballë” (1979), “Gjeneral gramafoni” (1978), “Njeriu me top” (1977), “Fije që priten” (1976), “Përballimi” (1976), “Malet me blerim mbuluar” (1971) dhe “I teti në bronz” (1970). Për kontributin e dhënë në artin e fjalës dhe të interpretimit, Kadri Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, me Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe iu akordua vlerësimi “Nderi i Kombit” në vitin 1999. U nda nga jeta më 6 shkurt 2007.

Exit mobile version