Ndërtuesi i banesës së Veliajt 3 orë në SPAK, biznesmeni Gentian Sula dëshmi si person që ka dijeni për hetime

Për më shumë se 3 orë në Prokurorinë e Posaçme ka dëshmuar këtë të hënë biznesmeni i ndërtimit në Tiranë Gentian Sula.

Ai është paraqitur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethana të një procedimi penal të nisur nga SPAK-u.

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se marrja e tij në pyetje ka qenë për banesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

Ky i fundit ka deklaruar se prej vitesh jeton në rezidencën “Kodra e Diellit”, që është pronë e Gentian Sulës.

Po ashtu, në këtë ambient jetojnë edhe disa politikanë të rëndësishëm që janë nën mbikëqyrjen e SPAK-ut lidhur me hetimet e veçanta për pasuritë e tyre.

Kujtojmë se rreth një muaj më parë në banesën e Veliajt do të zbarkonin agjentët e BKH-së, të cilët edhe pse u tentuan të ndaloheshin nga bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, ata bënë kontrolle të imtësishme, ndërsa po ashtu kontrolle u zhvilluan edhe tek banesa e vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, Arbër Veliaj, si dhe tek “Harabel”, e Ajola Xoxës.

Këto kontrolle janë cilësuar nga familja Veliaj në shkelje të ligjit, por këto pretendime janë rrëzuar nga gjykatat.

Exit mobile version