NGA HAJREDIN ISUFI
STUDIUES
Lindi në Delvinë me 30 dhjetor 1911 në një familje qytetare. Shkollën e mesme e kreu në Liceun e Korçës e më pas vazhdoi studimet për letërsi në Francë. Më 1937, për arsye shëndetësore, ndërpret studimet dhe kthehet në Shqipëri. Fillimisht emërohet profesor për gjuhën frënge në Institutin tregtar të Vlorës dhe vazhdoi mësimdhënien deri në vitin 1942. Me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH), u lidh me grupin organizativ të Vlorës e më pas zgjidhet anëtar i Komitetit Qarkor. Shemsi Totozani ishte trim dhe njeri i aksioneve. Ai mori pjesë bashkë me shumë vlonjatë në demonstratën e 28 nëntorit 1942, kur ishte vetëm 21 vjeçar, ku dhe u arrestua. Pas daljes nga burgu me një grup shokësh, ish-nxënësit e tij u hodhën në ilegalitet në Krahinën e Mesoplikut. Aktiviteti i tij në ilegalitet vazhdoi vetëm dy javë e me porosi të Qarkorit të Vlorës, zbret përsëri në qytet për të vazhduar veprimtarinë e tij antifashiste në jetën legale së bashku me shumë bashkëqytetarë vlonjatë. Shokët e Qarkorit të Vlorës për të shmangur një arrestim të mundshëm e për të humbur gjurmët, menduan ta dërgonin Shemsi Totozanin në Gjirokastër. Ai atje, u prit ngrohtë në Gjirokastër dhe nuk zgjati shumë, me 12 prill 1942 hyri në organizatën e PKSH-së si anëtar celule. Pas 4 muajsh, me 16 korrik 1942 u hedh në ilegalitet, megjithëse vuante nga një sëmundje kronike që e mundonte shumë. Oficerët anglezë propagandonin kundër EAM- ELAS-it e kishin bërë pjesë të programit të tyre me qëllim që të krijonin përçarje dhe ftohje në masën e të krishterëve grekë që ishin në radhët e ELAS-it”.
Shemsi Totozani vriste mendjen se nga kush i vinin këto goditje që ia lëndonin shpirtin e tij të pastër, herë-herë mendonte kur i dilte gjumi natën, se mos e kishte nga Nako Spiro apo Qibrie Ciu, me të cilët kishte pasur ndonjë debat të lehtë pune… por e largonte atë mendim nga shpirti i tij i trazuar dhe mendjen e përcillte në ndonjë ndodhi tjetër, por nuk arrinte dot të shpjegonte pse kishte nisur një luftë kundër tij… që nuk iu nda për vite e vite me radhë deri në fund të jetë së tij.
SHEMSI TOTOZANI EMISAR I QARKORIT TË GJIROKASTRËS NË FSHATRAT E MINORITETIT GREK
Në vjeshtën e vitit 1942 dhe në pranverën e vitit 1943, u ndërmorën veprime konkrete nga Fronti Nacionalçlirimtar (FNÇL) dhe Qarkori i Gjirokastrës për të tërhequr vullnetarë për çetat partizane dhe për të krijuar këshillat antifashistë. Qarkori i Partisë së Punës Komuniste (PKSh) në Gjirokastër, shpërndau në terren aktivistët më të përzgjedhur për të organizuar takime e konferenca me popullin dhe drejtuesit e fshatrave minoritare për të rekrutuar njerëz në frontin antifashist e të mos ndikoheshin nga presionet e EDES-it (Lidhja Demokratike Greke), i drejtuar nga Napoleon Zerva, që kishte shpërndarë në disa zona të minoritetit së Dhrovjan dhe Leshnicës rreth 23 zervistë ku paguanin 1 sterlinë angleze për të rekrutuar pjesëtarë të familjeve minoritare në radhët e EDES-it. (1). Emisari i grupit të aktivistëve të Qarkorit të Gjirokastrës që u nis për në fshatrat e minoritetit ishte Shemsi Totozani, sekretar i seksionit politik të Qarkorit të Gjirokastrës, bashkë me Shefqet Reçin, Dilaver Poçin, me pseudonimin “Çakalli”, e shokë të tjerë, mes tyre dhe Rexhep Çami nga Filati dhe Rexho Plaku një drejtues i rëndësishëm politik në Konispol e rrethina.(2) Historiani Minella Daljani shkruan se në këtë kohë, minoriteti grek në Shqipëri kishte edhe kuadrot e veta drejtuese të lëvizjes antifashiste si; Dhimitër Çati, Lefter Talo, Theodhor Siano, Spiro Ciu etj. Daljani, gjithashtu, na informon se Dhimitër Çati nga Sotaria e Dropullit të Sipërm me pseudonimin “Aleko”, jetonte në Janinë. Ai kishte qenë ndërlidhës ndërmjet Qarkorit të Gjirokastrës dhe të zyrave epirotike të EAM-it (Fronti Çlirimtar Kombëtar grek në Janinë për një front të përbashkët në luftën antifashiste.(3). Kontaktet e të dërguarve të Qarkorit, shënuan zhvillime të dukshme në fshatrat e minoritetit Grek. Në shumë fshatra u formuan këshillat NÇL dhe grupe të armatosura antifashiste. Me 15 shkurt 1943 në Konispol u formua “Çeta e Çamërisë”. Në atë çetë bashkë me shqiptarët myslimanë çamë ishin të inkuadruar dhe shumë luftëtarë grekë nga minoriteti grek në Shqipëri; Lefter Talo ishte njëri nga të tre anëtarët drejtues të çetës. Kjo çetë do të bëhej bërthama e batalionit “Çamëria”, që u krijua me 18 qershor 1943 me myslimanë çamë dhe ortodoksë minoritarë.
Në fund të marsit 1943 falë bashkëpunimit të FNÇL shqiptar me EAM-in grek, emisarët e parë drejtues të EAM-it nga zona e Filatit të përbërë nga Janis Kontis, Taqis Theologis, Panajotis Mitsis etj. Sapo shkelën në Leshnicë, fshat minoritar në kufi, takimin e parë e patën me komandantin e “Çetës Çamëria”, Shemsi Totozanin dhe Lefter Talon. Grupi i emisarëve të EAM-it- shkruan Panajotis Mitasis (anëtar i grupit) në librin e tij “Thimamai” (4). Në Leshnicë zhvilluan një takim me banorët e fshatit që i pritën miqësisht dhe iu shpjeguan “qëllimin e luftës së përbashkët kundër pushtuesve”, e më pas kaluan në disa fshatra minoritare. Me 25 mars, festa kombëtare e Greqisë i gjeti në fshatin Aliko. Aty, bashkë me fshatarët festuan ditën e festë kombëtare me këngë e valle, ku u mbajt dhe një fjalë e rastit.
Këto në çdo fshat që shkuan krijuan bazat për ngritjen e këshillave antifashiste dhe luftëtarëve minoritarë për çetat partizane antifashiste. Niko Zhango që iu bashkua forcave partizane shqiptare, me veprat e tij voluminoze i vlerëson shumë emisarët e EAM-it që dërgohen në fshatrat minoritare dhe thirrjes e udhëheqësit të së majtës greke.
Aris “që i bënte thirrje komunitetit grek në Shqipëri të merrte pjesë në rezistencën antifashiste, së bashku me partizanët e vendit ku jetojnë, ndërsa Napoleon Zerva i këshillonte minoritarët të bashkoheshin me organet Nacionaliste të EDES-it” (5). Ky komision i EAM-it në kthim, bashkë me disa drejtues çam të “Çetës Çamëria”, Rexho Plaku nga paria e Konispolit, Taho Sejko dhe Vehip Demi nga Filati, shkuan bashkë me emisarët e EAM-it në fshatrat çame të Filatit për të mobilizuar forca të reja partizane dhe ngritjen e Këshillave antifashiste (5). Emisarët çamë u bënin thirrje vendasve të tyre çamë që të ndërprisnin çdo lidhje me pushtuesin dhe mbështetësit e tyre, Nuri Dino e Mazar Dino. Emisarët çamë në Koskë morën pjesë edhe në ngritjen e Këshillit të Parë Antifashist në fshatin Koskë.
MBLEDHJA E NEPRAVISHTËS (20 QERSHOR 1943)
Qarkori i PKSH dhe Frontit NCL të Gjirokastrës, organizuan në fshatin Nepravishtë të Libohovës një mbledhje ku merrnin pjesë kuadrot aktivë të lëvizjes antifashiste nga gjithë fshatrat e zonës së minoritetit. Në atë mbledhje Qarkori i Gjirokastrës përfaqësohej nga Shemsi Totozani (6).
Mbledhja u mbajt në shtëpinë e komandantit të çetës partizane të Nepravishtë, Isuf Çobani. Në atë takim u analizua situata politike e minoritetit grek, problemet me të cilat ishin përplasur me elementët armiq dhe vijën politike që duhet të mbështeste – luftën antifashiste, kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Minella Daljani, vë në dukje se në atë takim të rëndësishëm “pavarësisht nga ekzistenca e një vije të përbashkët politike, e njerëzve të përbashkët, në frontin e përbashkët- në luftën nacionalçlirimtare nuk munguan përplasjet dhe mosmarrëveshjet, kundërshtimet dhe dyshimet ndërmjet kuadrove drejtues të minoritetit grek dhe atyre të FNÇL. Çështja që pati më tepër diskutime ishte “përgjegjësia që do të kishin partizanët e minoritetit në formacionet partizane” (7). Shemsi Totozani i mbështetur dhe nga Dhimitër Çati, një drejtues antifashist me influencë në zonën e minoritetit, e qetësoi situatën dhe në vijim të mbledhjes kaluan në një pikë tjetër. Simbolet që do të mbanin partizanët shqiptarë të minoritetit kur të kalonin në tokën greke për të bashkëpunuar me Regjimentin XV të ELAS-it.
Shemsi Totozani u tha të pranishmëve se kapat (kapelet) e partizanëve minoritarë që do të kalonin kufirin do të ishte me një yll të kuq, ndërsa flamuri do të ishte pa yll. Ngjyra që do të kishte flamuri ngjalli debate. Totozani shprehu një mendim të vetin për ngjyrën e flamurit që “të ishte një kombinim mes flamurit shqiptar dhe atij grek, që të shprehte simbolin e bashkimit dhe vëllazërimit mes dy popujve”. Ky propozim nuk u pranua dhe çështja e ngjyrës së flamurit u shty për t’u diskutuar në një takim tjetër. (8). Mbledhja në Nepravishtë- shkruan Minella Daljani, erdhi në përfundim se “veprimet e minoritetit grek në Shqipëri ishin aktivë me pjesëmarrjen në frontin antifashist. Në përfundim të mbledhjes, me kërkesën e Shemsi Totozanit, Haki Rushiti transferohet në çetën e Pogonit. EAM-i në verën e vitit 1943 shtoi interesin për minoritetin grek në Shqipëri dhe nisi enkas tri emisarë, dy ushtarakë Milto Kurjani dhe Panajotis Papadimitrin . Milto Kurjani misionin e emisarëve drejt zonës së minoritetit e shpjegoi në këtë mënyrë: “Organizata e Ballit Kombëtar dhe mercenarët e Dinenjve të Çamërisë kishin ndërmarrë sulme ndaj fshatrave të minoritetit grek. Një përfaqësi e minoritetit grek prej tre vetash, emrat e të cilëve nuk bëhen të njohur, kërkuan ndihmën e EAM-it grek. Dyshes Kurjani dhe Papadimtriut iu ngjet dhe një i njohur i tyre J. Zografi, të tre kaluan kufirin dhe u ndalën në fshatin Sheper dhe Nivjan. Aty, shkruan Papadimtriu (9) takuam Bedri Spahiun, Sekretarin politik të Qarkorit të Gjirokastrës Shemsi Totozanin dhe Zihni Sakon, mësuesin e greqishtes. Më tej Papadimitriu shton se “me të dërguarit politik të Qarkorit të Gjirokastrës diskutuam të gjitha format e bashkëpunimeve si dhe rreth marrëdhënieve mes dy lëvizjeve tona antifashiste” (10). Kur bisedimet ishin drejt përfundimit, Shemsi Totozani iu drejtua dy emisarëve të EAM-it; ”Nëse do të arrini që të realizoni që minoriteti grek të mos na qëllojë pas shpine, suksesi ynë do të jetë i plotë në Luftën Antifashiste e në bashkëpunime” (11). Ndërhyrja e emisarëve Kurjani dhe Papadimitri, shkruan N. Zhango, “bënë që në fshatin Memorahi të merreshin vendime të rëndësishme. Minoriteti grek në Shqipëri të bëhej një mbështetje e fortë e Frontit Antifashist. Në atë takim ishte dhe emisari i EAM-it Milto Kurjani dhe Lefter Talo. Shemsi Totozani ka qenë i dërguari i Qarkorit të Gjirokastrës për koordinimin e bashkëpunimin e çetave të minoritetit grek dhe “Çetës Çamëria” në “Regjimentin 15” kundër forcave pushtuese dhe atyre të EDES-it në zonën e fshatrave të Murganës në Filat. Me 23 shtator 1943 “Çeta e Pogonit” me luftëtarë të minoritetit grek i shkoi në ndihmë Regjimentit 15-të të ELAS-it në përballje me forcat e EDES-it (12). Emisari që bënte lidhjet e Qarkorit të Gjirokastrës me Komandën e Regjimentit 15-të, ishte Shemsi Totozani, thuhet se vetë Totozani shkoi bashkë me “Çetën e Pogonit” në frontin luftimeve. Në fillim të vitit 1943 kur nga radhët e ELAS-it u larguan disa kuadro kryesorë, si Vangjel Zoto, Ilia Kaçi, ky i fundit komandant i batalionit të ELAS-it në Sul etj., dhe kaluan tek forcat e EDES-it. Komanda e EAM-it në Janinë organizoi një mbledhje në Vivar të Murganës, një krahinë malore në zonën e filatit që përmblidhte rreth 16 fshatra dhe ishte bastion i EAM-it/ ELAS-it në zonën e Filatit. Në atë mbledhje u ftua dhe një përfaqësi nga Qarkori i PKSH të Gjirokastrës, që u përfaqësua nga Shemsi Totozani.
PAS ÇLIRIMIT
Shemsi Totozani në vitet 1946-1955, arriti në kulmet e karrierës së tij. Në 1946 emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë. Më pas, në vitin 1950 vendoset në një post tjetër të rëndësishëm, zëvendësministër i arsimit dhe në mungesë të ministrit ishte titullar kryesor i asaj ministrie. Në këtë kohë ai informohet se fëmijët e familjeve që ishin izoluar në kampin e internimit të Tepelenës, nuk lejoheshin të vazhdonin shkollimin me bashkëmoshatarët e tyre në atë qytet. Ky informacion e vuri në lëvizje titullarin e asaj ministrie dhe pa humbur kohë iu drejtua me një shkresë zyrtare Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tepelenës (Seksionit të Arsimit) në të cilën thuhej;
“… fëmijët e Kampit të Internimit që nuk ndjekin shkollën, autorizoheni t’i pranoni këto fëmijë në shkollë…. Dhe në rast se do të keni nevojë për 2-3 mësonjës, njoftoni këtë ministri… “ (në AQSH Fondi 511, Dosja 11, viti 1950)
Kjo ndërhyrje me kurajë e Shemsi Totozanit, bëri që fëmijët e pafajshëm që dergjeshin në kampet famëkeqe të Tepelenës e që u ishte mohuar e drejta e shkollimit, t’u hapeshin dyert e dijes dhe vazhdonin të mësonin në bankat e shkollës me bashkëmoshatarët e tyre të qytetit të Tepelenës. Më pas, Shemsi Totozani transferohet nga Ministria e Arsimit për t’u emëruar në një post të rëndësishëm – ambasador i Shqipërisë në Francë. Kur diplomati ishte në kulmin e karrierës së tij në Paris, Bedri Spahiu, baxhanaku i tij, goditet rëndë nga Partia në plenumin e qershorit 1955 duke u akuzuar si element antipartiak dhe menjëherë internohet bashkë me familjen e tij në qytetin e Elbasanit.
Në këtë kohë fillon tatëpjeta për Shemsi Totozanin. Ai kthehet menjëherë nga Parisi në Tiranë, kjo lëvizje e papritur dhe pa motivacion e indinjoi thellë atë dhe nuk ishte në gjendje ta shpjegonte se nga i vinte kjo luftë. Ai dërgohet pas disa kohësh diplomat në Bullgari, por edhe prej andej lëvizin shpejt duke e kthyer në Tiranë, në një detyrë të re, në Ministrinë e Jashtme, por edhe këtu nuk e lanë të qetë. Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik e largojnë nga ajo detyrë për ta dërguar me 1964 në Shkollën Pedagogjike “17 Nëntori”, në Tiranë. Lëvizjet e shpeshta e kishin dëshpëruar shumë shpirtin e trazuar të Shemsi Totozanit, të cilat i shpreh edhe në kujtimet e tij…: ”… U dëshpërova shumë dhe krijova bindje se Partia e kishte humbur besimin ndaj meje.. Kjo bëri që dalëngadalë edhe unë të humbas besimin ndaj Partisë time..”
Në shkollën pedagogjike, ai u përball me sulme të ashpra, që dita ditës shënonin për të një fund të dhimbshëm të një njeriu të pafajshëm. Ai ishte vënë në një rreth të kuq dhe pa e ditur as vetë. Në celulën e Partisë në Shkollën Pedagogjike, sulmohej edhe etiketohej hapur me epitetet si; “element antiparti”. Në mbledhjen e celulës së Partisë së shkollës ndaj tij ngriheshin akuza se; “ ishte i pakënaqur nga Pushtetit Popullor për krijimin e kooperativave bujqësore”, “ndaj vijës së Partisë e të Komitetit Qendror të Partisë”. Tashmë Shemsi Totozanit i ishin larguar tërë shokët dhe një pjesë e tyre kishin frikë t’i afroheshin mikut e bashkëqytetarit të vjetër se pësonin fatin e tij.
Totozani situatën e rëndë me të cilën u përball në shkollën Pedagogjike e përshkruan kështu;
“… nëse vinte ndonjë i deleguar në mbledhjen e celulës së Partisë së shkollës nga rajoni apo qyteti i Tiranës, unë bëhesha objekt i sulmeve me akuza shumë të rënda duke më akuzuar pa të drejtë si “element armik i rrezikshëm kundër vijës së Partisë”… etj. etj..
Tashmë ai e kishte kuptuar, burimi i të gjithë atij mllefi ishte lidhja familjare që kishte me Bedri Spahiun dhe mbështetja që i bënte ai familjes së tij duke mos pasur asnjë mbështetje. Shemsi Totozani ishte i përgatitur shpirtërisht se edhe atë do ta priste fati i Bedri Spahiut, baxhanakut të tij. Në vitin 1964 ai përjashtohet nga Partia dhe pas disa muajsh me 1965 transferohet me gjithë familjen në qytetin e Elbasanit.
ARRESTIMI DHE DËNIMI
Shemsi Totozani i dëshpëruar shpirtërisht shkoi në qytetin e Elbasanit me familjen e tij. Tashmë ai ishte i braktisur nga miqtë e shokët. Në Elbasan, ditët kalonin dhe atij i afroheshin në kafene njerëz të panjohur që dalëngadalë miqësoheshin dhe tregoheshin të përzemërt. Shemsiu që ishte i ndershëm dhe i drejtpërdrejtë nuk i shkonte ndërmend që këta ishin provokatorë të caktuar nga dega e brendshme, për ta survejuar: me cilin shoqërohej, çfarë fliste.. etj.
Më 23 tetor 1974, Shemsi Totozanin e arrestojnë dhe me 24 në hetuesinë e prokurorit të Rrethit të Elbasanit iu lexua dhe aktakuza, me të cilën qysh në rreshtat e parë thuhej;
“ I pandehur Shemsi Totozani në vitin 1965 ke ardhur i transferuar nga Tirana në qytetin e Elbasanit. Që nga ajo kohë deri në momentin e arrestimit duke qenë në pozita armiqësore ke propaganduar me qëllim për të minuar e dobësuar Pushtetin Popullor me persona të ndryshëm..”
Shemsi Totozani, tashmë i pandehur akuzohej se kishte propaganduar se;
“… ushtria jonë nuk ishte në gjendje të mbronte vendin”; “se gjendja ekonomike në Shqipëri ishte e keqe”, “ rrogat e punonjësve janë të vakëta e njerëzit vuajnë”, dhe “ndërtimi i socializmit me forcat tona është i pamundur”.
Shemsi Totozani pasi u njoh me aktakuzën u përgjigj i prerë; akuzat nuk i pranonte, nuk ishte armik dhe quante shpifje dhe sajesa ”unë nuk agjitoj propagandë kundër Pushtetit Popullor” dhe e ndërpreu fjalën e tij duke thënë: “ kërkoj kohë të përgjigjem” do të analizoj tërë veprimtarinë time dhe do të jap shpjegime më vonë.”
Nga procesverbalet e hetuesisë mësojmë se ai merrej në pyetje disa herë në ditë dhe i bëheshin lloj-lloj presionesh që të pranonte akuzat që ngriheshin ndaj tij.
Në procesverbalin e 26 tetorit 1974, hetuesi i degës së punëve të brendshme të Elbasanit, shënoi në procesverbal se kishte marrë në pyetje të pandehurin Sh. Totozani dhe e pyeti të përgjigjej rreth akuzave që i bëheshin.
Përgjigja e tij ishte se “Ai nuk ishte armik i popullit dhe nëse do të ishte e tillë nuk do të kishte edukuar fëmijët e tij punëtorë e të ndershëm. Dhe më tej i deklaroi hetuesit se personi që konsiderohej armik, “ishte një person me karakter të fortë e nuk i pranonte padrejtësitë siç i kishin ndodhur tek ai dhe të tjerët”
Hetuesi e ballafaqonte Shemsi Totozanin me persona që dëshmonin kundër tij për ”bisedat propaganduese”, që bënte me ta. Në një rast me 3 janar 1975 në hetuesi ishte thirrur një dëshmitar me inicialet Sh.R për të dëshmuar për armiqtë të Shemsi Totozanit. Dëshmitari në fjalë stis lloj-lloj shpifjesh, sikur Shemsiu i kishte thënë se; “prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1960 nuk më është dukur aspak e drejtë dhe përgjegjësinë për mua e mban Partia jonë dhe udhëheqësi i saj”. “Bashkimi Sovjetik mbetet gjithmonë Kështjellë e Paqes etj”..
Në një çast, hetuesi iu drejtua të pandehurit Shemsi Totozani:
– I dëgjuat shënimet e dëshmitarit Sh.R dhe çfarë keni për të thënë? Përgjigja e Shemsiut ishte: “Jo vetëm që nuk e njoh një njeri të tillë, por për herë të parë dëgjoj një emër të tillë sonte këtu. As e njoh, as e kam dëgjuar e as biseduar, prandaj kërkoj ndjekje ligjore kundër tij për shpifje!”
Shemsi Totozani në hetuesi u ballafaqua me disa nga ishata që iu afruan si shokë që në ditët e para kur shkoi në Elbasan e deri në ditët e fundit kur u arrestua, për t’u dëgjuar si dëshmitar të propagandës antipushtet që gjoja kishte zhvilluar i pandehuri «Sh. Totozani» me ta. Në hetuesi u thirrën edhe dëshmitarë të tjerë, të njohur e të panjohur të Shemsi Totozanit për të akuzuat atë se në bisedat me shokët “ishte munduar të ngjallte panik dhe të tregonte mosbesim dhe lëkundje në aftësitë mbrojtëse të atdheut tonë para një agresioni të mundshëm”
Dëshmitarët me iniciale Q.H, M.B etj., thanë se i pandehuri u thoshte atyre se ”faktor për prishjen me Bashkimin Sovjetik ishte udhëheqja jonë” etj. etj..
Mbi bazën e këtyre dëshmive, prokurori i rrethit të Elbasanit, me 10 shkurt 1975 hartoi pretencën prej disa faqesh kundër të pandehurit Shemsi Totozanit dhe e akuzonte ndër të tjetra se; ”Të pandehurit Shemsi Totozani nuk i pëlqente demokracia që ekzistonte në vendin tonë, nuk pajtohet me ligjet e diktaturës se proletariatit duke dashur të godasë fitoret tona në fushën ekonomike, ka bërë krahasime midis standardit ekonomik të punonjësve tonë dhe atyre të vendeve kapitaliste e revizioniste».
Së fundi, prokurori kërkoi që i pandehuri Shemsi Totozani të deklarohej fajtor sipas nenit 63/1 të Kodit Penal dhe të dënohej me 10 vjet burg, heqjen e dekoratave dhe konfiskimin e pasurisë. Edhe Gjykata e Rrethit të Elbasanit në bazë të nenit 278 dhe 279 e la në fuqi dënimin me 10 vjet.
Ishte e dhimbshme që në moshën e pleqërisë të dergjej në burgjet komuniste një njeri i pafajshëm. Ai ishte një viktime e sistemit komunist, dhe pati fatin e shumë bashkatdhetarëve të tjerë të ngrinin zërin kundër padrejtësive të sistemit. Këta njerëz duhen kujtuar se i bëjnë nder kombit.
REFERENCA
1-AQSH, F/17 AP, viti 1943 D -9,
S. Baci, “Minoriteti grek në Shqipëei”, 1939-1949, Tiranë
2002, f.111
2- AQSH, F/17, viti 1943 dok. i përmendur.
3- M.Daljani, “Ethniqi andistasi tis eleniqis minotitas stin
Alvania (1940-1944), Athinë 2000, f. 91
(Qëndresa Kombëtare e Minoritetit Grek në Shqipëri, 1940-1944)
4- N.Zhango, “Anglikos imperialismes andistasi” (1940-
1949), Athinë 1978, Vëll II.
5-P. Mitsin, “Thiamamai”, Selanik 2021, f.53
6- N.Zhango, “Anglikos imperialismes qe ethniqi andistasi” (1940-1945), vëll II.
7- M.Daljani, “Ethniqi andistasi….. f.91
8- po aty,,,
9-po aty,,,
10- P. Papadimitriu, “Istoriqi minotikas stin Alvania to
mesa dekemoriu (1943)”, f. 174
(Organizmi ushtarak i minoritetit grek në Shqipëri, nga gushti 1943 deri në mes të dhjetorit 1943″ f.3)
11-Papadimitriu, “Istoriqi…. po aty…
12-Papadimtriu, Istoriqi…. vepër e përmendur… f.173
13-M. Daljani, “Ethiniqi… vep.e përm