Nga Sabina Nika
Nga Tirana në Helsinki, përmes Amsterdamit dhe Barcelonës, droga udhëtonte pa njohur kufinj. Askush nuk e vinte re kur paketat e amfetaminës kalonin në kamionë me targa polake apo kur ngarkesat me ekstazi postoheshin nga Spanja drejt veriut të Europës. Pas dy vitesh ndjekjeje, përgjimesh e koordinimi ndërkombëtar, një operacion i përmasave të mëdha çoi në rrëzimin e katër grupeve kriminale me rrënjë shqiptare dhe degë që përthithnin territore të tëra në Europë.
Në orët e para të mëngjesit të 3 qershorit, SPAK, së bashku me autoritetet finlandeze dhe holandeze, lëshuan goditjen e fundit. Në Shqipëri u vunë në pranga nëntë persona. Dy të tjerë u shpallën në kërkim. Në Finlandë, arrestimet shkuan në 55, një numër që tregoi qartë se kjo nuk ishte një bandë e zakonshme rrugësh, por një rrjet i sofistikuar me prani të gjerë etnike: shqiptarë, finlandezë, polakë, aziatikë, afrikano-veriorë.
Një trafik me rrënjë shqiptare
Më 3 qershor 2025, strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Policisë së Shtetit shqiptar ekzekutuan masa sigurie ndaj 9 shtetasve shqiptarë, si pjesë e një rrjeti kriminal që trafikonte lëndë narkotike drejt Finlandës. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, njëri prej të cilëve ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë.
Ndërkohë, në Finlandë janë arrestuar 55 persona të kombësive të ndryshme si shqiptarë, finlandezë, polakë, rumunë dhe shtetas nga vendet aziatike e afrikane të gjithë të përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 300 kg lëndë narkotike, përfshirë 170 kg amfetaminë, 100 kg marijuanë dhe 10 kg kokainë. Lënda narkotike trafikohej kryesisht nga Spanja dhe Holanda në drejtim të Finlandës, përmes kanaleve të sofistikuara të logjistikës, duke përfshirë shërbimin postar dhe automjete transporti me targa të huaja.
Sipas autoriteteve hetimore, të gjitha grupet kriminale kishin si drejtues shtetas shqiptarë që vepronin nga territori shqiptar. Dy prej tyre ishin nga Vlora, ndërsa të tjerët nga Berati dhe Kuçova, me banim në Tiranë.
Sipas hetimeve roli i shqiptarëve nuk ishte transportues, por organizatorë. Ata vendosnin marrëveshjet, ndanin rrethinat në Finlandë, por vepronin nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani. Komandat jepeshin në heshtje, nëpërmjet aplikacioneve të koduara si Telegram, Signal apo WhatsApp, dhe pagesat kalonin me metoda informale drejt Shqipërisë, larg gjurmëve bankare.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, theksoi se për herë të parë, grupet shqiptare kishin në fokus trafikun e drogërave sintetike, përveç kanabisit dhe kokainës.
Janë dokumentuar katër episode të mëdha trafikimi, që përfshijnë transportimin dhe shitjen e mbi 400 kg amfetaminë, 500 kg kanabis dhe sasi të konsiderueshme kokaine, si dhe shpërndarjen e tabletave ekstazi në Helsinki dhe qytete të tjera.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, 11 persona janë caktuar me masën “arrest në burg”. Në zbatimin e këtij vendimi u përfshinë 110 punonjës të Policisë së Shtetit nga disa drejtori vendore dhe njësi të specializuara.
Hetimet nisën në vitin 2023, pas një kërkese nga autoritetet finlandeze. Më 21 nëntor 2023 u krijua një Skuadër e Përbashkët Hetimore mes SPAK dhe institucioneve finlandeze, ndërsa hetimi përfshiu metoda speciale si përgjime, vëzhgime dhe shkëmbim informacioni në kohë reale.
Prokurori Alfred Shehu vuri në dukje se një veçanti e këtyre grupeve ishte “shkëmbimi” i anëtarëve në raste të caktuara, duke përforcuar bashkëpunimin ndërgrupor. Ndërkohë, ka nisur edhe një hetim pasuror për 11 persona të përfshirë, me qëllim gjurmimin e burimeve të paligjshme të të ardhurave.
Strukturë pa fytyrë
E veçanta e këtij rrjeti qëndronte se nuk kishte një boss. Grupi funksiononte në mënyrë horizontale. Në disa raste, anëtarë të një grupi shpërndanin drogë për një grup tjetër. Ata ndanin transportues, logjistikë dhe kontakte duke mbuluar gjurmët dhe shmangur ndjekjen.
“Bashkëpunimi mes tyre ishte aq i lartë saqë hetimi nuk mund të kufizohej vetëm në një strukturë,” – deklaroi një nga prokurorët e SPAK, Alfred Shehu. “Vepronin të ndarë, por me një qëllim të përbashkët, të dominojnë tregun e drogës sintetike në Finlandë.”
Për SPAK-un dhe drejtuesin e tij Altin Dumani, kjo goditje nuk është thjesht një tjetër sukses i operacioneve antidrogë. Është një dritare që hapet mbi një realitet të ri. Kriminaliteti shqiptar po zhvendoset nga droga tradicionale drejt substancave sintetike. Dhe po ndërton baza në vende që deri dje nuk ishin në hartën e zakonshme të trafikut si Finlanda.
“Kemi për herë të parë grupe shqiptare që fokusohen jo te kanabisi, por te droga sintetike. Kjo është më fitimprurëse dhe shumë më e rrezikshme për komunitetet,” – tha Dumani gjatë konferencës për shtyp.
“Sasitë janë të mëdha, sepse janë droga sintetike, edhe ekstazi është kapur dhe të gjithë e dimë rrezikun. Tipologjia është e tillë, që ky grup kishte krijuar bazat në Finlandë dhe herë pas herë dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre, të cilët shkonin në bazat e përcaktuara dhe fillonin shitjen e lëndëve narkotike” – deklaroi kreu i SPAK./shteg.org