Ferencvaros i tronditur: I kërkojmë falje tifozëve

Në letër ishin ata favoritët absolutë. Por, falë sakrificës dhe mirorganizimit, por mbi të gjitha me paraqitjen e jashtëzakonshme të kapitenit Alban Hoxha, Partizani bëri mrekullinë në Budapest. Të kuqtë u kualifikuan në turin e tretë të Champions League, ndërsa Ferencvaros-it nuk i mbeti veçse zhgënjimi. Tronditja për humbjen u shfaq në konferencën për shtyp pas ndeshjes nga trajneri Thomas Doll.
“Nuk më mbetet veçse të kërkoj falje te tifozët. Por, është e pakonceptueshme për mua si lejuam që kundërshtarët të na barazonin. Kishim një shans të madh për të vazhduar, por në fund eliminohemi të hidhëruar. Kjo është e papranueshme. Gjatë gjithë sezonit të kaluar nuk luftuam për t’u larguar kaq shpejt nga Champions. Disa lojtarë nuk treguan dëshirë dhe entuziazëm. Dikush u paraqit mirë, por nuk ishte e mjaftueshme”, u shpreh Thomas Doll.
Edhe më kritik sulmuesi i përfaqësueses hungareze Lovrencsics Gergo, i cili ishte mes lojtarëve më të dëshpëruar të Ferencvaros-it pas eliminimit. “Më vjen turp. Kjo skuadër duhej të kishte shënuar 2 apo 3 gola. Ishte një mundësi për të treguar që jemi një ekip më i mirë se kaq, por nuk arritëm ta shfaqnim kualitetin tonë. Më vjen vërtet keq dhe nuk di çfarë të them. Fatkeqësisht na mbetet vetëm kampionati”, tha ai.

Exit mobile version