Pogba shitje rekord

Në Francë të gjithë janë të sigurt, Paul Pogba është futbollist i Manchester United. Sipas të përditshmes sportive “L’Equipe”, tashmë është arritur marrëveshja me Juventusin për rikthimin e mesfushorit francez në “Old Trafford”. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, “Djajtë e Kuq” kanë pranuar të paguajnë për kartonin e futbollistit shifrën prej 110 milionë eurosh që e bën atë si lojtarin më të shtrenjtë në historinë e futbollit, duke thyer kështu rekordin e blerjes së Gareth Bale nga Reali i Madridit.
Juventus bëri gjithçka mundi për të mbajtur Pogba në Torino, por nuk ia doli dot. Shifra e ofruar nga United ishte e parefuzueshme, ndërkohë që në këtë pikë ndikoi edhe dëshira e 23-vjeçarit për t’u transferuar te Manchester për t’u vënë nën urdhrat e Mourinho-s.
Blerja më e shtrenjtë e të gjitha kohërave. Një rekord ashtu siç pëlqen ta quajë dhe e përditshmja “Sport”. Lëvizja më e madhe në historinë e futbollit është pranë arritjes, me Paul Pogba-në që do të bëhet lojtari më i shtrenjtë me transferimin e tij nga Juventus dhe Man.United. “Djajtë e Kuq” dhe bardhezinjtë janë shumë pranë mbylljes me sukses sipas mediave marrëveshjen për transferimin e francezit në “Old Trafford” për një shumë rekord prej 110 milionë eurosh, me vetë futbollistin që do të firmosë tashmë një kontratë pesëvjeçare me një vlerë prej 12 milionë eurosh në sezon plus 1 milion bonus. Një dyfishim i pagës dhe për vetë lojtarin, që njëkohësisht do të përfitojë dhe 25 për qind të vlerës së këtij transferimi bazuar në një klauzolë në kontratën e tij.
Një supershitje dhe për Juventusin po të mendosh që katër vjet më parë, bardhezinjtë e afruan Pogba-në pikërisht nga Man.United për vetëm 1 milion euro duke 125-fishuar vlerën e tij në një periudhë kaq të shkurtër. Palët janë për momentin ende në bisedime, duke diskutuar dhe nuk ka ende një finalizim të marrëveshjes, por sigurisht që oferta e Man.United është e parefuzueshme. Në fakt, menaxheri i futbollistit Raiola është prej më shumë se 3 javësh në bisedime me drejtuesit e klubit anglez dhe tashmë janë në kontakt dhe të dyja klubet e interesuara. Vetë lojtari e ka bërë të ditur se dëshiron transferimin, ndërsa dhe Mourinho e ka planifikuar për sezonin e ardhshëm, diçka që u zbulua pas një fotoje të bërë nga vajza e tij Matilde, ku shikohej se skemat e portugezit për sezonin e ri ishin ndërtuar pikërisht me Pogba në fushë.
Juventus është vënë në kërkim të zëvendësuesit të Paul Pogba. Lamtumira e francezit nga bardhezinjtë duket se është çështje ditësh dhe nisur nga ky fakt drejtuesit e klubit bardhezi kanë nisur punën e tyre për të kërkuar një mesfushor tjetër. Andre Gomes i Valencias pritej të ishte zyrtarizimi i radhës i kampionëve të Italisë, por në fakt nuk do të jetë kështu, pasi portugezi pritet të kalojë në radhët e Realit të Madridit. Në listën e drejtorit sportiv të Juventusit, Beppe Marotta janë gjithashtu dhe Axel Witsel, Moussa Sisoko, William Carvalho e Lucas Biglia.

Exit mobile version