Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode ka debatuar me shifra me kreun e qeverisë Edi Rama për bujqësinë. Bode i tha se qeveria i rriti taksën, fermerëve: “Për meritën tuaj, fermeri e paguan 24 lekë më shtrenjtë naftën, tha ai.
“Thatë se keni sjellë 24 ekskavatorë! – vërejti Bode. – Kjo është gjëja më periferike që ka nevojë bujqësia. Por ish-kryeministri Majko ka firmosur një kredi me Japoninë dhe ju jeni duke ekzekutuar disa projekte të BB që janë firmosur në vitin 2012, që kanë të bëjnë me digat e HEC-eve dhe disa kanale kulluese. Na thoni një kredi të vetme që keni sjellë në ndihmë të bujqësisë! Ju duhet të pyesni veten se çfarë keni bërë për bujqësinë.
Ndërpretë programin e infrastrukturës në zonat rurale. Ne asfaltuam mbi 8 mijë km rrugë në fshatra. Në tre vjet, ju asnjë nuk bëtë. Investimet në infrastrukturë nuk ishin për luks, por për t’i nxjerrë nga izolimi dhe nuk është bërë asgjë në 3 vjet, është ndërprerë ai program. Ka pjesë të tëra të territorit të vendit që nuk lidhen dot me vendin, me tregun”.
Pas Bodes, ka dalë sërish në foltore Rama për të replikuar, duke i hedhur poshtë akuzat.
Kredi për fermerët, falimentimi në prag
Kryeministri i ka shpjeguar ish-ministrit të Financave arsyen pse Shqipëria e kishte më të lartë çmimin e naftës në bujqësi, sepse brenda tij përfshiheshin edhe llogari të tjera që vende të rajonit i llogarisnin më vete dhe e ka kundërshtuar edhe për pikat e tjera.
Më the Ridvan, se ka pasur NIPT-e më përpara. E para, nuk ka pasur NIPT-e, kanë qenë shumë të rralla. E dyta e punës, të kam dëgjuar vetë kur u ke thënë fermerëve në Korçë “mos merrni NIPT-e”. E vërteta është që dhe pranoje këtu nëse do të dalësh prapë, se marrja e NIPT-it nuk sjell asnjë faturë financiare për ata, por kushtin që të marrin mbrapsht 20% rimbursim!
Së treti, për konkurencën. Më vjen keq ta dëgjoj nga ti se shteti duhet të vendosë barriera të kohës ehu…përpara se të hynim në procesin e integrimit dhe të negociojë barrierat me BE. Nuk ka! Është e panegociueshme!
Gjithashtu, ne i kemi eksportet 1 me 5, kurse ti e ke pasur 1 me 7. Dhe do ta ulim akoma.
Më kujtove ato 200 milionë USD që ishin firmosur nga Pandeli Majko kur ishte Kryeministër. Nuk e di se ku janë ato, po jo se janë investuar në bujqësi, se atëhërë mbyteshin me një shi vere.
Ju më numëroni kilometrat e kontraktuara, por ato nuk numërohen. Se është bërë barcaletë kjo që na thoni se nuk keni ndërtuar asnjë kilometwr dhe na thoni se keni kontraktuar rrugën e Shishtavecit! Por kur erdhëm ne nuk kishte rrugë aty.
Ne nuk kemi bërë volume të mëdha rrugësh normale, është e vërtetë, sepse na është dashur të financojmë çerekrrugët tuaja dhe pastaj t’i përfundojmë ato. E ndërtuam ne gjithë zonën bujqësore të Divjakës, që ka pasur impakt të drejtpërdrejtë!
Hajde t’i masim volumet e kreditimit të bujqësisë, na thoni. Po hajde të masin dhe impaktet e një fondi 300 milionë euro për 3 vitet e mëtejshme. Ne nuk u themi fermerëve “merrni kredi”, sepse është e qartë se nuk është e favorshme, përkundrazi, s’i del llogaria fare një fermeri. Por ne bëjmë garantimin e kredive të fermerëve. Nuk ka nevojë të shkojë fare në bankë fermeri ose grupi, sepse garantimin e kredisë e bën qeveria. Fermeri nuk ka nevojë të vendosë në bankë asnjë lloj kolaterali, por e bën qeveria këtë”.
Nano dështoi me kredinë për fermerët
“Ti japësh alternativën fermerit sot si rrugëzgjidhje merr kredi që të mbijetosh”, është anormale. Ju duhet ta dini se këtë e ka bërë qeveria e Fatos Nanos. Nuk je ti i pari dhe kjo ka dështuar. U mor nga Banka Botërore një fond si fond garancie për të ndihmuar zhvillimin e bujqësisë. Nuk funksionoi.
Ju e dini se ka shoqëri të kursim–kreditit në fshatra, por ja që kreditojnë me interesa 18-20%. Ju thoni se dilni ju garant, por dimë edhe sa është rritur niveli i kredive të këqia në vend, është rritur sa 5% e GDP.
Pra, diku tek 3% e GDP ka humbur vitin e kaluar. Pra, aq sa thua se jeni rritur në ekonomi, aq kanë humbur dhe ju duhet të hiqni dorë nga këto marifete. Unë po them ato që kanë ndodhur, nuk po them se kjo që po bën ti do të shkatërrojë”.
Bode ka vazhduar me replikën:
Sa për atë të NIPT-it, nuk e kam thënë kurrë këtë fermerëve që “mos merrni NIPT-e”. Një kryeministër nuk duhet të thotë të pavërteta.
Nuk është e vërtetë që ata që rimbursohen marrin 20% të çmimit, sepse po jepni atë pjesë të kontributeve që ata kanë dhënë. TVSH-ja këtë thotë.
(Rama e kundërshton nga vendi…)
Bode vazhdoi: TVSH do të thotë merr 20% të asaj që ke paguar, jo të asaj që nuk ke paguar. Thatë se nuk bëhen dot barrierat tregtare. Asnjë njeri nuk do t’i prishë marrëveshjet me vendet që kemi negociuar, por ka çështje që mund të shihen në kuadrin e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë dhe thuhet se sa mall mund të kalohet me taksë dhe sa pa taksë.
Është e vërtetë se raporti import-eksport është përmirësuar: Nga 1 me 7 e keni çuar në 1 me 5. Por ne e gjetëm 1 me 11 dhe e çuam 1 me 7! Duhet ta kuptoni se në një vend bujqësor, duhet të jetë eksportues neto! Kurse ne jemi importues neto i produkteve bujqësore dhe këtë duhet të mendojë qeveria që t’i japë vlerë, djersës në bujqësi”.