Kritika Ramës për qëndrimin mbi Trepçen në Beograd

Juristi dhe analisti politik, Dastid Pallaska, e ka goditur kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se ai gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd ka hyrë në një debat thelbësor për kombinatin Trepça me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe pas përmbylljes së temës së Trepçës në Kosovë.
“Keni thënë: ‘Mund të flas për Kosovën, por jo në emër të Kosovës’. Problemi ka qenë që ju pas një vendimi për Trepçën të Kuvendit të Kosovës, që është organi më i lartë ligjvënës në Kosovë, ju keni hyrë në debat thelbësor, lidhur me Trepçën, pranë një kryeministri të Serbisë, i cili e dëshiron atë si temë të hapur, pasi që është përmbyllur”, i ka thënë Pallaska Ramës, në emisionin “Zona e Debatit” në “Klan Kosova”.
“Ai publikisht e përmend ketë”, ka thënë Pallaska, duke iu përgjigjur pyetjes së Ramës nëse ai është i sigurt këtë e dëshiron homologu i tij serb.
“Ajo që është më e rrezikshme është se temën e Trepçës e ndërlidhni me pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve sipas modelit franko-gjerman”, i ka thënë Pallaska, Ramës, transmeton Gazeta “Express”.
Sipas Pallaskës, kjo sugjeron që po diskutohet në nivelin shqiptaro-serb. “Kjo është brenga që është shpërfaqur në publik… është një brengë legjitime”, ka thënë Pallaska.
Ai e ka pyetur kryeministrin e Shqipërisë se përse nuk ka thënë në Beograd që e përkrah ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për Trepçën. “Kështu flitet për Kosovën…”, i ka thënë Pallaska, Ramës.
“Unë s’flas në emër të Kuvendit të Kosovës. Nëse unë do të thosha që e përkrah ligjin, unë do të hyja pastaj në zonën ku s’është zona ime dhe e Shqipërisë. Është zona e qeverisë së Kosovës, e Parlamentit të Kosovës, e partive politike në Kosovë”, është arsyetuar kryeministri i Shqipërisë.
Pallaska i ka kujtuar Ramës që për një çështje që për Kosovën është e mbyllur e për Serbinë është e hapur, nuk ka çfarë të diskutohet fare.

Exit mobile version