Fernando Santos kërkon kulmin e karrierës

Fernando Santos mbyll një cikël të plotë me Portugalinë sot, kur ai do të luajë për çmimin më të madh të futbollit europian, në stadiumin ku zhvilloi edhe ndeshjen e parë me ekipin e tij si trajner i kombëtares luzitane.
Trajneri 61-vjeçar Santos debutoi në krye të Portugalisë, pasi zëvendësoi Paulo Benton, në “Stade de France” me një humbje 1-2 kundër Francës, në një takim miqësor të tetorit 2014. Tashmë, ai ndeshet sërish me Francën dhe sërish në të njëjtin stadium, për finalen e Euro 2016, ku Portugalia do të kërkojë titullin e parë të madh europian, pasi e humbi atë në finalen kundër Greqisë, në Lisbonë. “Ne nuk jemi një ekip i klasit botëror, megjithatë ne nuk do të tolerojmë më”, deklaroi Santos, pas paraqitjes eficiente, por jo të shkëlqyer të ekipit të tij në këtë turne.
Disa mund të kujtojnë Greqinë e vitit 2004, aq më tepër kur ish-mbrojtësi Santos, pasi stërviti tre gjigantët portugezë, Porto, Benfica dhe Lisbona, ka qenë për shumë vjet edhe trajner i skuadrave të njohura greke AEK, Panathinaikos dhe PAOK, si edhe i kombëtares greke gjatë viteve 2010-2014.
Santos drejtoi në mënyrë fantastike Greqinë në vitin 2014, që humbi me penallti kundër Kosta Rikës dhe u ndalua të drejtojë për gjashtë ndeshje, pasi fyeu zyrtarët e takimit përpara gjuajtjes së penalltive.
Fushata kualifikuese dhe ndeshjet në Francë me Portugalinë kanë një aromë të fortë greke dhe pikërisht Santos i përmendi grekët pas fitores së Portugalisë 2-0 kundër Uellsit, që i hapi rrugën drejt finales.
“Ndiej gëzim të pamatë për lojtarët, për familjen, për popullin portugez, si edhe për shumë grekë, të cilët më kanë mbështetur në këtë periudhë”, deklaroi Santos pas ndeshjes. Por, Portugalia e Santosit ka individë të jashtëzakonshëm të udhëhequr nga superylli Cristiano Ronaldo, të cilin Santos e ka përgëzuar në çdo rast. “Ai ka nevojë të jetë i lirë dhe jo i lidhur me një pozicion në fushën e lojës”, thotë Santos.
Santos ka sjellë edhe lojtarë të rinj si Renato Sanches dhe Rafael Guerreiro, por ka ide të qëndrueshme rreth kombinimit të lojtarëve dhe taktikave. “Unë nuk u besoj revolucioneve. Kemi lojtarë cilësorë, por edhe lojtarë në fund të karrierës. Puna është të gjejmë ata që janë më në formë”, thekson Santos.
Fitorja e mundshme e Euro 2016 mund të jetë kulmi i karrierës së tij, që deri tani është shënuar me dy tituj kampion kombëtar me Porton. “Kjo është pika më e lartë e karrierës time. Është vendi im, flamuri im, atdheu im”, deklaroi Santos menjëherë pas ndeshjes së fituar kundër Uellsit.

Exit mobile version