Franca s’na tremb

Cristiano Ronaldo nuk i trembet Francës. Ylli i Realit të Madrid duket shumë optimist në prag të finales së Kampionatit Europian. Tre herë fituesi i Topit të Artë deklaron se, Blutë janë favoritë vetëm sepse ata luajnë në shtëpinë e tyre, por pavarësisht kësaj sulmuesi është i bindur tek suksesi i luzitanëve.
“Personalisht mendoj se Francën e bën favorite fakti që ata luajnë në shtëpinë e tyre dhe sigurisht që e gjithë Franca do të bëjë tifo për ta, por pavarësisht kësaj jam i mendimit se në një finale gjithçka mund të ndodhë. Që nga fillimi i këtij turneu asnjë skuadër nuk ka arritur të na mundë, shpresoj që e njëjta gjë t’i ndodhë edhe ekipit të Dechamps”, u shpreh Ronaldo.
Sulmuesi duket shumë i motivuar për të udhëhequr skuadrën e tij drejt triumfit. Ai shtoi se Portugalia i ka të gjitha mundësitë për t’u shpallur kampione. “E ëndërroja sërish të luaja në një finale. Më 2004 ishim shumë pranë, por nuk ia dolëm dot. Kësaj here nuk besoj se do të ndodhë e njëjta gjë. Unë dhe shokët e mi të skuadrës besojmë se do t’ia dalim. I kemi të gjitha kapacitetet për ta mundur Francën”, tha kapiteni i Portugalisë.
Në fund Cristiano Ronaldo foli dhe për rekordin e thyer, duke arritur Michel Platini, në renditjen e golashënuesve më të mirë. “Është bukur të thyesh rekorde, por vetëm kaq. Ndihem shumë mirë fizikisht dhe e vetmja gjë që dua është të vazhdoj të fitoj”, përfundoi Ronaldo.
Ky europian ka thyer çdo tabu. Italia mundi Spanjën pas 24 vitesh, Gjermania që për të parën herë në historinë e saj eliminon të “kaltërit” në një ndeshje zyrtare, Franca pas 58 vitesh merr hak nga gjermanët. Tashmë jemi në vigjiljen e finales së Kampionatit Europian “Francë 2016”, ku Franca vendi organizator është në finale aty ku të gjithë e kishin parashikuar kundër Portugalisë së Cristiano Ronaldos, aty ku askush nuk e kishte imagjinuar dhe parashikuar.
Franca, e cila jep gjithçka në fushë me lojën e bukur, me qarkullimin e topit duket se e ka arritur me meritë finalen e këtij europiani. Të shohësh Gjermaninë e bukur të Joachim Low është njësoj si të shohësh Barcelonën apo Bayern Munchen të eliminuar në Champions League nga Atletico Madrid i “Cholo” Simeone dhe nga “Djalli i vogël” Antoine Griezmann. Tashmë koha e tiki-takës ka përfunduar.
Futbolli ka një histori, e cila është e shkruajtur se asnjë modul loje nuk është fitues përgjithmonë. Kjo i ka ndodhur edhe Ajaxit në vitet 1970, më pas Milanit, Barcelonës dhe Bayern Munchen.
Në këtë europian i kanë bërë valixhet përpara kohe Spanja, Belgjika, Italia dhe së fundmi Gjermania. Qëndrojnë Franca dhe Portugalia, me djemtë e tyre simbol.

Exit mobile version