FIFA skualifikon për 4 muaj Calhanoglu

Bayer Leverkusen duhet të bëjë pa shërbimet e Hakan Calhanoglu deri në fund të sezonit. FIFA e skualifikoi për katër muaj futbollistin turk, për shkak të një episodi të ndodhur në vitin 2011 ndërmjet fantazistit dhe klubit të Trabzonspor. Në moshën 17-vjeçare, Calhanoglu kishte firmosur një parakontratë me klubin e Trebisonda-s, por transferimi i tij në muaj në vazhdim kur lojtari mbushi moshën për të firmosur kontratë profesioniste nuk u realizua.
Palët nuk arritën akordin dhe nga Karlsruhe, mesfushori përfundoi te Hamburgu. Në situatën e krijuar, Trabzonspori u ankua te FIFA, që dha vendimin për pezullim dhe 100 mijë euro gjobë masë disiplinore, e cila u konfirmua edhe nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.
Nga e gjithë kjo situatë u dëmtua mbi të gjitha Bayer Leverkusen, skuadra aktuale e Hakan Calhanoglu. Kjo u konfirmua edhe nga drejtori sportiv i skuadrës së “aspirinave”, Rudi Völler.
“Për ne është një goditje e madhe, sepse dëmtohemi për një ngjarje me të cilën nuk kemi lidhje. Do të na mungojë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës”, deklaroi Völler.

Exit mobile version