Historitë interesante të futbollistëve janë të shumta. Disa për mënyrën si e kanë nisur karrierën në sportin më popullor, të tjerë për famën dhe kontratat disamilionëshe që kanë nënshkruar në moshë të vogël. Të tjerë kanë histori me vëllezërit e tyre. Mes kësaj kategorie, janë edhe vëllezërit Xhaka, një prej të cilëve është pjesë e Kombëtares shqiptare dhe tjetri në atë helvete.
“Gazzetta Dello Sport” ka bërë një renditje të dhjetë vëllezërve që kanë luajtur në nivelet maksimale dhe dyshja e parë është ajo e Xhakave.
“Vetëm një gjë të përbashkët në karrierat e tyre: Bazeli. Në jetë, gjithmonë kanë bërë zgjedhje të ndryshme, mbi të gjitha ajo e kombëtares me të cilën kanë preferuar të luajnë. Graniti ka zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën, ndërsa Taulanti Shqipërinë. Të dy, për herë të parë janë përballur me njëri-tjetrin në fushën e lojës në Europianin ‘Francë 2016’, për kënaqësinë e mamasë mbase…”, ka përshkruar “Gazzetta” vëllezërit Xhaka.
Në një intervistë të dhënë për mediat helvete, mesfushori i Bazelit ka folur së bashku me ish-futbollistin e Jong Bojsit për përplasjen që kanë pasur mes tyre një vit më parë. Jo vetëm kaq, por Xhaka ka shpjeguar edhe marrëdhënien aktuale me Renato Shtefen, aktualisht futbollist i Bazelit dhe shoku i dhomës me shqiptarin.
“Në atë moment ishte një veprim në gjaknxehtësi e sipër dhe, pas vetëm pak sekondash e çova nëpër mend që do të më priste një ndëshkim nga federata. Aktualisht jemi miq shumë të mirë bashkë. Për fat të mirë, Renato nuk është si Delgato që gërhiste gjatë natës (qesh…). Më kanë thënë shpesh herë që ndëshkohem, mirëpo nëse krahason ndërhyrjet e mia gjatë ndeshjeve dhe numrin total të kartonëve, atëherë vihet re që nuk jam ndër futbollistët që e ekzagjeroj me kartonin”, u shpreh Xhaka.
Ai është pyetur edhe për vëllanë më të vogël, Granitin. “Është gjithmonë më i vendosur sesa unë dhe, mbi të gjitha, më bindës. Pavarësisht se është më i vogël, sa herë që kemi ndonjë diskutim, arrin të më bindë. Kemi kontakt të përditshëm bashkë, pavarësisht distancës që na ndan”, ka deklaruar Taulanti.