Fillimi i Drejtësisë, fundi i qeverisë

Lulzim BASHA

Kanë qenë ditë të gjata, orë të gjata, javë të gjata, muaj të gjatë. Reforma në Drejtësi, që sot u miratua me konsensusin e plotë të Parlamentit të Shqipërisë, paketa kushtetuese që kaloi me votat e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës të bashkuara është një ogur i mirë për bashkimin e shqiptarëve. Për drejtësinë e standardit europian, për drejtësinë e dinjitetit të shqiptarëve dhe jo poshtërimit dhe nëpërkëmbjes së tyre. Për drejtësi të aspektit të barabartë dhe garantuar për çdo shqiptar dhe jo sipas kufijve të vendosur me të padrejtë nga politika. Për drejtësinë e kushtetuetshmërisë, ku çdo përgjegjësi merret vetëm kur shoqërohet nga llogaridhënia.
Në këtë kuadër kjo është një betejë e cila nuk duhet të luftohej mes dy palëve por duhej kaluar rreth një vit e gjysmë më parë. Nga kjo sallë duhet të kishim dalë me konsensus më shumë se një vit më parë. Por kjo betejë u imponua sepse u konsiderua që ditën e saj të parë e deri në ditën e saj rë fundit si një betejë politike.
Edhe ditën e përmbylljes me sukses të Reformës në Drejtësi, ata që nuk e duan dhe nuk e deshën opozitën në këtë proces, që bënë gjithçka për ti ikur konsensusit, që bënë gjithçka për damkosjen e procesit dhe përdorimin e tij për arsye politike, që u verbuan nga konstatimi i Kancelares Merkel, i Ndihmës Sekretares Nuland, i autoriteteve më të larta europiane dhe euroatlantike që dua ti falenderoj nga zemra për përkrahjen e tyre të jashtëzakonshme, për një reformë të standardit europian, për një reformë të standardit euro-amerikan, siç e kam thënë që prej ditës sime të parë në këtë përpjekje të përbashkët  në tetorin e vitit 2014 për atributet që i dhanë opozitës për raportimin e përpjekjes së rrezikshme të qeverisjes së Edi Ramës për kapjen e drejtësisë, për nënshtrimin e këtij pushteti vullnetit të tij politik, klaneve të tij politike dhe jo për arsyet dhe motivet e kësaj reforme që janë shërbimet ndaj çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.
Ne ishim në këtë betejë, në emër të çdo qytetari, votuesve tanë që sot janë edhe më të shumtë por edhe votuesve të qeverisë të cilët sot janë pakica absolute në Shqipëri. Sepse ndërkohë që Shqipëria kridhet në varfëri, korrupsioni gëlon në çdo zyrë të shtetit, shëndetësia është në ditën e saj më të zezë, aksesi në arsimin e lartë dhe gjendja e arsimit të ulët dhe të mesëm është një brengë e përditshme dhe e përnatshme për  prindërit shqiptarë, papunësia kap nivele rekord, qeveria u mundua ti imponohet pafund shoqërisë shqiptare pikërisht për ti ikur debateve të vërteta. Sot ky trup politik mori fund!
Reforma në Drejtësi dhe vota e Partisë Demokratike për Reformën në Drejtësi janë një realitet bazuar mbi një draft të aprovuar prej Komisionit të Venecias, me kontributin e jashtëzakonshëm të Viktorja Nuland që dua ta falenderoj përzemërsisht, me ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve europianë, komisionerit për Zgjerimin Johanes Han, kryetarit të Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Europian Elmar Brok, miqve tanë Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, kontributit të jashtëzakonshëm të ekspertëve ndërkombëtarë, ambasadorëve Lu dhe Vlahutin me të cilët debatet kanë qenë jo të pakta e të nxehta por gjithmonë të perqendruara në rolin dhe misionin e opozitës që ne e përmbushëm me sukses; kushtetuetshmëri, konsensus, vendimarrje konsensuale, opozitën si gardiane të kushtetuetshmërisë, të lirive e të drejtave themelore të njeriut.
Sot duhet të ishte një ditë përbashkim. Por retorika e helmuar në Parlament vërteton se dita e parë e Reformës në Drejtësi është dhe fillimi i ditëve të fundit të kësaj qeverie. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur një qeveri e themeluar dhe e zhytur në veset, korrupsionin, kriminalitetit më të paprecedentë në Ballkan u detyrua prej presionit ndërkombëtar dhe presionit të Partisë Demokratike të pranojë normat europiane, normat veneciane, normat amerikane të cilat që këtej e tutje janë një garanci më shumë për çdo qytetar shqiptar dhe një shqetësim më shumë për korrupsionin dhe kriminalitetin e kësaj qeverie.
Sot opozita ka vënë një gur themeli për një aleat të fuqishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit; drejtësinë e pavarur. Nesër, me fillimin e zbatimit të kësaj reforme, beteja jonë kundër krimit dhe korrupsionit do të materializohet në ç’rrënjosjen e themeleve të kësaj qeverie e këtij pushteti të korruptuar, beteja jonë për zgjedhje të lira e të ndershme e cila është beteja e ardhshme me mbështetje të plotë europiane dhe amerikane, do të jetë premtimi ynë ndaj qytetarëve shqiptarë që bashkë me fundin e korrupsionit në drejtësi të marrë fund edhe pushteti i inkriminuar dhe korrupsioni rekord i këtyre 25 viteve.
Urime shqiptarëve. Kjo është fitorja juaj. Nuk është dhe nuk mund të jetë fitorja e askujt tjetër. Jam krenar që isha pjesë e kësaj beteje në emrin tuaj për fatet tuaja, të fëmijëve tuaj, për të ardhmen tuaj, për të ardhmen tonë të gjithë së bashku. Urime shqiptarëve!

Exit mobile version