Me 140 vota pro, Parlamenti miratoi dje unanimisht draftin e dakordësuar me kompromisin e të gjitha palëve për Reformën në Drejtësi. Miratimi i kësaj reforme vjen pas pothuajse 1 viti e gjysmë mosmarrëveshjesh për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të mazhorancës për të kapur sistemin e drejtësisë. Në fjalën e tij pak para procesit të votimit, Nënkryetari demokrat i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi tha se konsenusi politik është garanci për jetëgjatësinë e reformës. Nga ana e tij, kreu i PR, Mediu e ka quajtur konsensusin e arritur nga palët politike për draftin e Reformës në Drejtësi, si konsensusin e qytetarëve. “Ky është konsensusi i qytetarëve pa dallime politike, rruga e vetme për integrimin në BE. Kemi bërë shumë ligje, por problemi më i madh mbetet implementimi i tyre”. Ndërsa Rama në fjalën nuk mundi ta fshehë vrerin dhe mllefin ndaj miratimit të reformës jo sipas variantit të tij. Deputeti demokrat Kastriot Islami në një reagim të tij ironizoi fjalimin e Ramës. “Kryeminstri i vendit, ideatori, realizuesi dhe përfituesi, përfaqësuesi i oligarkisë, banditizmit, krimit dhe korrupsionit, i trashëgimis puniste, vazhdoi edhe sot me një fjale demagogjike prej mediokri dhe të paafti kronik…vajmedet për këtë personazh që drejton vendin! Sfida më e madhe e kësaj reforme mbetet ndëshkimi i oligarkisë, kriminelëve, banditizmit që kanë kapur shtetin dhe drejtësinë duke filluar nga zotëruesi i pasurisë 200 milion euro në një llogari bankare off shore dhe i dhunuesit të ligjit federal në SHBA për financimin e fushatës presidenciale 2012, Edi Rama!” shprehet Islami në reagimin e tij. Pas bllokimit të provokuar nga Rama të mërkurën në mbrëmje, e deri pasditen e djeshme, palët dakordësuan një marrëveshje të dytë për reformën në drejtësi. Menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur rreth orës 19:10 për të zyrtarizuar qëndrimin e saj për reformën në drejtësi, që pritet të votojet në parlament. Pas negociatave disa orëshe PD pranoi propozimin e ambasadorëve për formulën hibride të zgjedhjes së KLGJ dhe KLP. Megjithëse seanca plenare ishte parashikuar të riniste në orën 18 ajo është shtyrë për në orën 21:00. Kjo pas nga njëra anë Komisioni i posaçëm për reformën nuk kishte zyrtarizuar ende marrëveshjen dhe nga ana tjetër PD po zhvillonte mbledhjen e grupit për të dalë me qëndrimin zyrtar më pas për pranimin e propozimit. Rreth orës 20:00, drafti për reformën në drejtësi ishte mbyllur dhe po shumëfishohej për deputetët. Pasi të miratohej në komisionin Ad Hoc, u bë edhe shpërndarja për deputetët. Pas Komisioni i Posaçëm i reformës në drejtësi miratuar draftin kushtetues të reformës në drejtësi me votat unanime. Pavarësisht pretendimeve, opozita dhe maxhoranca kanë votuar draftin në komision dhe tashmë ai do të votohet në parlament. Kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka mbërritur në parlament ku do të marrë pjesë në seancë. Basha ka përshëndetur gazetarët dhe në një prononcim fare të shkurtër ka uruar shqiptarët. “Urime gjithë shqiptarëve”, tha ai, ndërsa iu ka premtuar gazetarëve se do të flasë pas seancës ku do të miratohet reforma historike në drejtësi.
A.Shahini