Fillon, kandidati i preferuar i Putinit?

Për politikanin konservator Francois Fillon thuhet, se ka një raport të ngushtë me Putinin. Ekspertët shpjegojnë për “DW” arsyet.
Jo entuziazëm e megjithatë gëzimi ndihet. Në Rusi fitorja e ish-kryeministrit të Francës, Francois Fillon në zgjedhjet paraprake presidenciale të konservatorëve ka pasur jehonë pozitive. Agjencia më e madhe shtetërore e lajmeve “Ria Novosti” e përshkruan atë si “një ndër kandidatët më pro rusë”. Madje edhe gazeta kritike ndaj Kremlinit “Novaja Gazeta” mendon, se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin “vështirë se do të kishte ndonjë kandidat tjetër kaq të afërt me të” në Fracnë. Dmitrij Peskov, zëdhënës shtypi i presidencës, u shpreh në mënyrë të theksuar i distancuar. Moska, sipas tij, nuk ndërhyn në çështjet e politikës së brendshme të vendeve të tjera dhe në luftërat elektorale.
Qysh në raundin e parë të zgjedhjeve para një jave, Fillon fitoi papritur shumicën e votave duke e sfiduar shefin e tij të dikurshëm, ish-presidentin Nicolas Sarkozy. Në balotazhin e së dielës (27.11) Fillon konsiderohej favoriti kryesor dhe e fitoi garën. 62-vjeçari mori rreth 67 për qind të votave dhe fitoi kundrejt rivalit Alain Juppe, i cili po ashtu ka qenë kryeministër. Tani Fillon do të jetë kandidati i partisë opozitare “Republikanët” në garën presidenciale në Francë në prill 2017.

Kritik i sanksioneve të BE-së
Politika e Rusisë nuk ka qenë vendimtare në fitoren e Fillon në zgjedhjen si kandiat për president i konservatorëve, megjithatë shumë media e theksojnë këtë fakt. Ndërsa Juppe angazhohej për një ton më të ashpër ndaj Moskës, Fillon shprehej për mirëkuptim dhe pjesëmarrje të Moskës në zgjidhjen e problemeve globale. Nga Rusia nuk vjen rrezik, ka theksuar ai një intervistë. Politika ndaj Rusisë e presidentit Francois Hollande nga socialistët është absurde, sipas Fillon. Sanksionet e BE-së, të vendosura për shkak të qëndrimit ndaj Ukrainës, janë të dështuara.
Në pranverë Fillon ishte njëri ndër deputetët e Asamblesë Kombëtare, që kërkuan shfuqizimin e sanksioneve në një rezolutë. Gjatë debateve televizive ndonëse Fillon nuk premtoi ta njohë Krimenë e aneksuar si pjesë të Rusisë, tha, se edhe “çështja e pavarësisë së Kosovës ka qenë e diskutueshme”. Presidentin rus ai e përshkruan si “një partner të vështirë bisedimesh”, me të cilin ai megjithatë ka bashkëpunuar suksesshëm.
Ekspertët e përshkruajnë Fillon si “miqësor ndaj Rusisë” dhe marrëdhëniet e mira me Putinin i referohen periudhës, kur ai ka qenë kryeministër. Kur Fillon ka qenë kryeministër në vitet 2007-2012, ai shkonte shpesh në Moskë dhe e ka pritur Putinin në Paris. Kjo ishte koha kur Rusia dhe Franca i intensifikuan marrëdhëniet ekonomike: me blerjen e helikopterëve për ushtrinë ruse, modernizimin e prodhuesit të rrënuar rus të automjeteve “AvtoVAZ” me ndihmën e “Renault” apo dhe shitja e raketambajtëseve ruse të tipit “Sojus” Francës.
Edhe pasi Fillon nuk ishte më kryeministër, kontaktet me Moskën vazhduan. Putin dhe Fillon janë pothuajse moshatarë, presidenti rus është dy vjet më i moshuar se ai. Kur është fjala për marrëdhënie të ngushta mes tyre, ekspertja e Francës Ronja Kempin, nga Fondacioni i Berlinit “Shkenca dhe politika” përmend dy shembuj: “Francois Fillon i drejtohet atij me ‘cher Vladimir’, i dashur Vladimir, kjo është mjaft personale dhe një formë që përdoret rrallë në jetën e përditshme politike në Francë”, thotë për “DW” Kempin. Gjithashtu Putin pas vdekjes së nënës së Fillon i ka dërguar atij një verë të vitit 1931, viti kur ajo kishte lindur. Kur Putinin së fundi e pyetën për Fillon, tha, se me Francois kemi “marrëdhënie shumë të mira personale”.
Bazë për këtë janë pikëpamjet pjesërisht të afërta, mendon Ronja Kempin. Fillon, sipas saj, “ka një botëkuptim shoqëror konservator me një komponent të theksuar fetar” dhe do ta forcojë “familjen si bërthamën e  shoqërisë”. Veç kësaj kandidati i ardhshëm i konservatorëve për president është një kritik i shoqërisë multikulturore dhe e merr Rusinë “shembull”.
“Po ashtu ai ka edhe një përfytyrim të ngjashëm për politikën ndërkombëtare si Putini: ai beson në një botë të shteteve e jo aq shumë tek organizatat ndërkombëtare”, vëren Kempin.

Exit mobile version