Ministrja e Integrimit ka zbardhur “pa dashje” një detaj të ri nga negociatat që Rama po zhvillon me partnerët kryesorë të Bashkimit Europian, Gjosha lë të kuptohet se tashmë as që mund të shpresohet për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë, por ajo që po kërkohet është miratimi i një deklarate të ndërmjetme ku edhe të hapen, por edhe të mos hapen. Në fakt ky është një negocim që bëhet vetëm për të shpëtuar Ramën dhe fytyrën e tij të nxirrë përpara shqiptarëve dhe Bashkimit Europian.
“Po kështu, pozitiv ishte fakti i të qenurit në një mendje, për të pasur një proces të qëndrueshëm të parashikueshëm, pra pa surpriza, duke u fokusuar tek fillimi i zbatimit të ligjit të Vettingut dhe 5 prioritetet, për t’i mundësuar kështu Komisionit një raport të ndërmjetëm në funksion të vendimit nga vendet anëtare, për datën e hapjes së negociatave”, tha Gjosha.
Me deklaratën e saj ministrja përsërit fjalë për fjalë tezën e hedhur dje nga kryeministri Rama në intervistën për “Deutche Velle”, sepse ishte Rama ai që e ndau “paketën e 6 kushteve” në Vetting plus 5 prioritete.
Por nëse kriteret e tjera klasifikohen si prioritete, atëherë Vettingu çfarë është?
Por pyetja më e rëndësishme është se mbi ç’bazë është bërë kjo ndarje? Janë autoritetet gjermane që e kanë artikuluar Vettingun si kushtin e vetëm, ndërsa kriteret e tjera si “prioritete”? Apo është qeveria shqiptare që ka bërë këtë interpretim?
Nga pala gjermane kemi vetëm dy të dhëna. E para, ishte ajo e kreut të grupit parlamentar të CDU-së Gunther Krichbaum, i cili foli qartë për krim të organizuar, kanabis dhe Vettingun.
E dyta, ishte konferenca për shtyp e Ramës me Merkel, ku kjo e fundit, përveç Vettingut përmendi dhe problemet me krimin e organizuar, pa bërë ndonjë ndarje mes tyre në “kushte dhe prioritete”.
Ministrja e Integrimit thjesht sa ka recituar dje pasazhet e intervistës së Ramës për “Deutche Velle”, por ajo nuk ka kryer asnjë sqarim në 48 orët e fundit dhe nuk ka mbajtur asnjë qëndrim mbi deklaratat e zotit Krichbaum, sepse Gjosha, është ministri përgjegjës që i takonte të sqaronte pozitën dhe valencën e deklaratave të Krichbaum-it në Tiranë.
Gjithçka bëri ministrja e Integrimit ishte recitimi i tezës së hedhur dje me urgjencë nga Rama. Tezë e cila u amplifikua fillimisht nga “Top Channel” e më pas nga “Ora News”, ku këto dy televizione, pasi kishin cituar burime nga qeveria shqiptare, thoshnin se kushti i vetëm ishte Vettingu.
Por televizionet në fjalë, “harruan të sqaronin” se origjina e burimit, pra qeveria shqiptare, është një burim në konflikt të thellë interesi dhe me besueshmëri tepër të ulët, për shkak se është pikërisht qeveria përgjegjësja kryesore e situatës problematike me kanabisin dhe krimin e organizuar.