Në takimin e radhës të turneut “Emirates Cup”, atë mes Leipzig dhe Benficës, është mbyllur me fitoren e klubit gjerman, me rezultatin 2-0. Skuadra e teknikut Ralph Hasenhuttl pas humbjes minimale kundër Arsenalit, ka arritur të gjejë fitoren përballë “Shqiponjave”. Leipzig arrin të kalojë në epërsi, në minutën e 19 të takimit, pas një zbritjeje të shpejtë të klubit gjerman është mbrojtësi Marcel Halstenberg, ai që kujdeset për ta dërguar topin në fundin e rrjetës. Tentativat nga ana e Benficës për të barazuar nuk mungojnë, por pa efikasitet.
Një pjesë e parë e qetë dhe me pak raste shënimi. Fraksioni i dytë i lojës sheh sërish Leipzig më kërkues dhe goli i sigurisë vjen në minutën e 53. Dyfishimi i rezultatit për Demat vjen sërish nga një mbrojtës, këtë herë me Marvin Compper, i cili pas një krosimi në zonë, me një goditje të topit me kokë, i dhuron sërish festë skuadrës së tij. Një lojë e dobët nga ana e Benficës dhe me shumë pak raste shënimi, ndërkohë në krahun tjetër, klubi gjerman arriti të siguronte një fitore jo të lehtë. Përballja tjetër e Emirates Cup, Arsenal-Sevilla, u mbyll me fitoren 1-2, të klubit spanjoll.
45 minutat e para të takimit nuk prodhuan asnjë gol për të dyja skuadrat, pavarësisht tentativave për të zhbllokuar rezultatin. Vetëm 4 minuta nga fillimi i fraksionit të dytë të lojës është Sevilla që arrin të gjejë golin e avantazhit në të 49, me anë të Joaquin Correa. Për t’i rikthyer baraspeshën, kujdeset blerja më e re e “Topçinjve të Londrës”, Alexandre Lacazette në minutën e 63. Nuk vonon kundërpërgjigjja e andaluzianëve, me mesfushorin N’Zonzi, i cili me një goditje nga jashtë zone, i dhuron sërish avantazhin ekipit, në minutën e 69. Përpjekjet e Arsenalit për të barazuar sërish rezultatin nuk funksionojnë, me Sevillan që arrin të fitojë përballë klubit londinez.