Xhaka refuzon Panuçin

Mesfushori i Baselit, Taulant Xhaka u largua para disa muajsh nga kombëtarja shqiptare, duke pretenduar se sjellja jo e drejtë e trajnerit Gianni de Biasi e ku kishte njoftuar se nuk do të luante për Shqipërinë për aq kohë sa italiani do të ishte në krye. Me emërimin e trajnerit Christian Panuçi në krye të Shqipërisë, futbollisti i parë që pritej të afrohej në skuadër ishte Xhaka, megjithatë ky i fundit duket se nuk e ka pasur me De Biasin problemin në kombëtare.
Takimi i shumëpërfolur që do të zhvillohej të dielën në mes Panuçit dhe Xhakës në Bazel nuk ka ndodhur. Trajneri i kombëtares e ka pritur për më shumë se 3 orë futbollistin, por ky i fundit nuk i ka kthyer asnjë përgjigje, duke mos iu përgjigjur telefonatave të italianit.
Panuçi ishte i pranishëm në stadium gjatë ndeshjes së djeshme në kampionatin zviceran mes Baselit dhe Luzernit për të ndjekur nga afër Xhakën dhe për të zhvilluar më pas një takim me të ku do të diskutohej kthimi në kombëtare.
Mesfushori nuk u aktivizua për asnjë minutë në takimin e djeshëm, madje pati dhe një debat me disa tifozë gjatë stërvitjes pas ndeshjes. Ky veprim i Xhakës e ka lënë padyshim të shokuar trajnerin Panuçi, i cili tashmë me shumë mundësi ia ka mbyllur derën e kombëtares përfundimisht Xhakës.

Exit mobile version