Juventusit i rikthehet buzëqeshja pas një fundjave më shumë të zezë se të bardhë. Pas kontestimeve të shumta nga tifozët në fundin e sfidës që u mbyll barazim me Venecian, të besuarit e Tiago Motës janë përgjigjen e duhur në fushë. Ata mposhtën Kaljarin me poker në Kupën e Italisë duke u kualifikuar në çerekfinale. Por me shumë ndryshime dhe risi nga Mota, ndeshja ndaj Kaljarit ka disa gjëra për të analizuar.PORTA- Duartrokitjet e para në ndeshje vijnë për Di Gregorion. Edhe pse ishte një zgjedhje surprizë nga Mota pasi të gjithë prisnin Perinin, ai thirret menjëherë në detyrë që në minutën e parë duke bërë një pritje fantastike ndaj Lapadulës. Shpëton një gol që mund të ishte një goditje e madhe për moralin bardhezi dhe që mund të pasonte me një tjetër dush të ftohtë. Megjithatë, aty është Di Gregorio për të ndërhyrë dhe për mos lejuar që gjërat t’i ketë në dorë rastësia.
VLAHOVIÇ- Goli i parë nuk mund të mbante firmën e një njeriu tjetër veçse Dushan Vlahoviçit. Protagonisti në mënyrë negative ndaj Venecias, reagon menjëherë, sidomos pasi vendos paqen me tifozët të cilët i hapin një banderolë të madhe për të qetësuar situatën. Goli i tij u pasua nga ata të Kopmeiners, Konseisao dhe Niko Gonzalez.
MERKATO- Pikërisht tre emrat e sipërpërmendur “ngrohin” edhe më shumë Tiago Motën në këtë ndeshje. Me përjashtim të Konseisaos, dy afrimet e tjera të janarit ende nuk e kishin treguar veten, por në këtë ndeshje dhanë shenja pozitive. Fillimisht është Kopmeiners që dizenjon një trajektore fantastike për të çuar topin në rrjetë nga goditja e dënimit. Më pas Konseisao me veprimet e tij të zakonshme, për ta mbyllur Niko Gonzalez me një goditje elegante.
REAGIMI- Katër gola që janë një pikë nisjeje e re për Tiago Motën dhe lojtarët e tij, që dy muaj më parë ishin befasuar pikërisht nga Kaljari në shtëpi. Katër gola që nënkuptojnë një buzëqeshje të madhe bardhezi dhe që tregojnë se “Zonja” mund të bëjë gjëra të mëdha kur është në formë, por edhe kur funksionojnë si duhet afrimet e merkatos së verës. Ndaj Kaljarit, Kopmeiners, Niko Gonzalez dhe Konseisao funksionuan në mënyrë perfekte, prandaj Mota beson se me rikthimet e të dëmtuarave mund të shkojë shumë lartë. Duartrokitjet e publikut i japin edhe më shumë besim.
PO TANI?- Me 9 pikë më pak se vendi i parë në kampionat, Juventusi kërkon të rikuperojë sa më shumë. Ata duan të hedhin pas krahëve barazimet e fundit dhe kërkojnë të rikthehen te fitorja që në sfidën ndaj Monzës. Për momentin nuk i intereson nëse fitorja vjen si ndaj Kaljarit apo me vështirësi, rëndësi kanë tre pikët. Pa harruar këtu edhe Ligën e Kampioneve ku Juvja do të konkurrojë deri në fund.