Ened Bostani, 29 vjeç nga Fieri është një prej të plagosurve në protestën e djeshme të opozitës. I riu me plagë në krahë e këmbë nuk di kë të fajësojë për atë që i ka ndodhur, pasi ka rënë pa ndjenja në tokë.
Nga spitali i Traumës ku po merr edhe ndihmën mjekësore për shkak të plagëve që ka marrë, i riu u shpreh se ishte duke filmuar protestuesit me telefon te hyrja e Parlamentit me kurriz nga policia dhe aty ka rënë në tokë dhe më pas nuk ka parë asgjë.
“Isha duke filmuar protestuesit tek hyrja e Parlamentit më kurriz nga Policia dhe aty kam rënë në tokë dhe pas kësaj nuk kam parë më asgjë. Shkova në spital nga ku më dhanë ndihmën mjekësore”, u shpreh ai.
Ndërkohë Bostani flet edhe për plagët që ka marrë duke shpjeguar edhe mjetet e mundshme me të cilat është lënduar. “Në këmbë kam marrë pjesë metalike që m’i fshehën në spital. Isha i vetëdijshëm për çdo gjë që më bënin. Do marr prapë pjesë në protestë edhe sikur me paterica të shkoj. Kam qenë emigrant dhe jam kthyer prej 3 vitesh, tashmë jam emigrant në shtetin tim. 3 vite që jam kthyer nga emigrimi”, u shpreh 29-vjeçari.