Në një raport të posaçëm për politikën fiskale, Fondi Monetar Ndërkombëtar vë në dukje se qeveria shqiptare nuk ka arritur të përmirësojë të ardhurat, pavarësisht rritjes së taksave më 2014, duke e bërë Shqipërinë vendin me taksat më të larta në rajon dhe me rendimentin më të ulët fiskal. Gabimet në projektimet buxhetore, mungesa e eficiencës në shpenzime dhe rekomandimet për përballjen me evazionin.
Kur qeveria e re shqiptare ka ndryshuar kryekëput politikën fiskale më 2014 duke rritur pothuajse të gjitha taksat njëherësh, tri vite më vonë, teksa rezultatet nuk kanë qenë të kënaqshme, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një analizë të posaçme për këtë çështje, tregon këndvështrimin e tij mbi masat e marra nga qeveria.
Programi i ri me FMN, EFF që nisi në vitin 2014, ndihmoi në përmbysjen e trendit të krijuar në mbledhjen e të ardhurave (që më 2013 ishte në rënie), kryesisht me përmirësimin në mbledhjen e kontributeve dhe tatimfitimit.
Qeveria shqiptare rriti normat e taksave, në mënyrë të veçantë për tatimfitimin dhe akcizat. Gjithashtu po më 2014, qeveria riktheu tatimin progresiv në vend të taksës së sheshtë, duke lënë % të taksapaguesve nën pragun e tatimit zero. Të gjitha këto politika, me parashikimet tejet të gabuara mbi të ardhurat, e kanë përkeqësuar rendimentin fiskal, vë në dukje Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Taksa të larta, rendiment i ulët
Shqipëria ka qeverisje relativisht të vogël. Të ardhurat publike në Shqipëri, si tatimoret dhe jo tatimoret, janë më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit. Për pasojë, shpenzimet publike janë mjaft të kufizuara.
FMN vëren se barra e taksave është më e ulët se sa në shumicën e ekonomive të tjera të Ballkanit. Në krahasim me shumicën e vendeve fqinje, mbledhja e taksave shqiptare është modeste për pjesën më të madhe të burimeve kryesore të të ardhurave.
Në veçanti, të ardhurat nga taksa e pronës dhe mbi të gjitha nga kontributet e sigurimeve shoqërore janë dukshëm më të ulëta se në rajon. Fondi analizon se vetëm të ardhurat nga TVSH-ja dhe tatimi mbi të ardhurat personale janë në përputhje me ato të vendeve të tjera krahasuese.
Normat kryesore të taksave në Shqipëri janë mbi mesataren e Ballkanit, por edhe kufijtë e taksave janë relativisht të larta. Në krahasim me shtetet anëtare të BE-së, Shqipëria ka norma të larta për taksat personale dhe të korporatave. Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, taksat në Shqipëri janë dukshëm më të larta, konstaton FMN në analizën që u ka bërë zhvillimeve të fundit të politikës fiskale.
Megjithatë, pragu i tatimit me zero të pagave është mesatarisht më i lartë se i fqinjëve.
“Por, nga ana tjetër, efikasiteti i tatimit mbi të ardhurat i bazuar në një nivel më të lartë se mesatarja e rajonit po tregon se sistemi progresiv është më pak i efektshëm se sa regjimi taksës së sheshtë. (Efikasiteti i taksave është raporti i të ardhurave tatimore për çdo tatim në përqindje të PBB-së)”, thuhet në analizën e Fondit.
Të ardhurat e ulëta tatimore në Shqipëri janë pjesërisht pasojë e efikasitetit të ulët të taksave mbi pagat. Prandaj efikasiteti i taksave për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat personale shihet të jetë më i ulët në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Ballkanit.
Nga ana tjetër, efikasiteti i TVSH-së në Shqipëri është më i ulët se mesatarja e vendeve të tjera të Ballkanit jashtë BE-së, po i krahasueshëm me BE-në. Por në Shqipëri, kjo ndodh për shkak të peshës që ka konsumi në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit. Në veçanti, në Shqipëri, dërgesat e emigrantëve për familjet kanë rritur shpenzimet e konsumatorëve, e cila është baza e TVSH-së, si pjesë e aktivitetit të përgjithshëm ekonomik të matur me PBB. Kjo ka rritur artificialisht efikasitetin e vëzhguar të TVSH-së në raport me Prodhimin e Brendshëm.
Por, po të krahasojmë rendimentin e TVSH-së me 1% të PBB-së, atëherë dalin në pah humbjet e mëdha të të ardhurave, shprehet Institucioni Financiar Ndërkombëtar.
Burime të ndryshme kanë raportuar përhapjen e metodave të mashtrimit me TVSH-në edhe brenda BE-së. Këto skema nënkuptojnë reduktim të ndjeshëm të grumbullimit të TVSH-së dhe efikasitetit të saj. Përveç kësaj, shumica e vendeve europiane aplikojnë një numër përjashtimesh mbi mallrat, të cilat kanë ndikuar në uljen e treguesit të efikasitetit. Kjo situatë në Europë justifikon edhe efikasitetin e Shqipërisë, i cili është pak nën mesataren europiane.
Dizajimi i TVSH-së së Shqipërisë ndjek standardet e BE-së, me një numër të vogël përjashtimesh shtesë, të tilla si shitja e gazetave, revistave dhe reklamat e mediave.
Për më tepër, Shqipëria nuk i ka të përjashtuar nga TVSH disa mallra siç i aplikon tani BE-ja të tilla si për shembull, tatim zero për ushqimet.
Shqipëria aplikon disa përjashtime të TVSH-së dhe akcizës për importet, të cilat u ndërmorën me qëllim lehtësimin e investimeve të huaja dhe korrigjimin e dobësive në regjimin e rimbursimit të TVSH-së së brendshme. Kostoja neto e përjashtimeve nuk është e lartë, megjithatë ajo ndikon në rritjen e rreziqeve për kontrollin e TVSH-së, vë në dukje FMN.
Në përgjithësi, të ardhurat e ulëta tatimore në Shqipëri vijnë kryesisht nga tatimi mbi të ardhurat dhe kontributet e sigurimeve. Por vlerësimi për hendekun që kanë krijuar këto taksa kërkojnë njohuri më të mira të shpërndarjes së të ardhurave individuale dhe korporatave.
Megjithatë, zyrtarët dhe vëzhguesit e jashtëm të raportojnë dështimin e përpjekjeve për formalizimin e tatimeve në fjalë, si dhe kontrabandën mjaft të përhapur me mallrat e akcizës dhe mashtrimin me to.
Rritja e akcizës për cigaret dhe naftën dështuan
Pavarësisht rritjes së normës së taksave vitet e fundit, të ardhurat tatimore kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me vitin 2009. Programi i ri me FMN, EFF që nisi në vitin 2014, ndihmoi në përmbysjen e trendit të krijuar në mbledhjen e të ardhurave (që më 2013 ishte në rënie), kryesisht me përmirësimin në mbledhjen e kontributeve dhe tatimfitimit. Qeveria shqiptare rriti normat e taksave, në mënyrë të veçantë për tatimfitimin dhe akcizat. “Në anën tjetër, qeveria më 2014 ndërmori një reformë tatimore, duke kaluar nga tatimi i sheshtë mbi të ardhurat në tatim progresiv, teksa 60% e taksapaguesve u lanë nën pragun zero të tatimit. Në ligjin e buxhetit 2016, qeveria shfuqizoi taksën e biznesit të vogël dhe përjashtoi bizneset e vogla dhe mikro nga çdo shkallë tatimi mbi fitimin. Këto masa e kanë dobësuar më tej taksimin e drejtpërdrejtë”, thuhet në analizën e fondit.
Sipas Institucionit Financiar Ndërkombëtar, rritja e normave të akcizës për cigaret dhe naftën dështuan të sigurojnë të ardhura buxhetore më të larta në vitin 2015. Kjo politikë shkaktoi furnizime të tepërta nga importuesit me mallra akcize, para se taksat të hynin në fuqi.
Efikasiteti i tatimeve ka rënë
Raporti i efikasitetit të TVSH-së në Shqipëri ka rënë nga 60% në vitin 2008 në 50% në vitin 2013, duke treguar një rritje të boshllëkut të TVSH-së, sipas shifrave të fondit. Ndërsa gjatë viteve 2000-2008, efikasiteti i TVSH-së ka qenë në një trend rritjeje, e cila ka ndryshuar krah në vitet e mëvonshme.
FMN thotë se, efikasiteti tatimor i tatimit mbi fitimin ka rënë gjithashtu nga 0.15% më 2011-n në 0.10% në vitin 2014. Ndërsa efikasiteti i taksave në raport me PBB ka rënë vazhdimisht gjatë 2011-2014.
Gabime drastike në parashikime
Parashikimi është një ushtrim i vështirë në një vend të vogël dhe të hapur si Shqipëria, ekonomia e së cilës është subjekt i goditjeve të jashtme, të cilat janë të mëdha, krahasuar me madhësinë e ekonomisë.
Për shembull, Investimet e Huaja Direkte, në përgjithësi, kanë një përmbajtje të lartë të importit. Për këtë arsye, projektet e mëdha të financuara nga jashtë në mënyrë rutinore kanë prodhuar importe të larta mallrash dhe shërbimesh dhe për pasojë, edhe të ardhurash doganore.
Për këto arsye, por edhe të tjera, parashikimet e të ardhurave në Shqipëri karakterizohen nga gabime të mëdha. FMN analizon se, gabimi e parashikimeve të të ardhurave mbi të cilat bazohen buxhetet është i afërt me 1.5% të PBB-së, duke lënë në këtë mënyrë zbuluar rreziqet për buxhetin. Për më tepër, parashikimet kanë një paragjykim sistematik dhe të konsiderueshëm. Mesatarisht gjatë tetë viteve të fundit, projeksionet e të ardhurave të buxhetit kanë qenë vazhdimisht shumë optimiste me gati 2% të PBB-së. Gabime të tilla nuk janë të zakonta për ekonomi të tjera, cilëson fondi. Gabimet në projeksione të Shqipërisë janë dukshëm më të larta se të fqinjëve.