Reagimi i heronjve kuqezi

Armando Sadiku
Është goli më i bukur dhe që më ka gëzuar më tepër në të gjithë karrierën. Nuk e pashë mirë që topi shkoi në rrjetë, sepse e devijova edhe rashë në tokë. Më pas pashë që të gjithë erdhën drejt meje dhe vetëm doja të shkoja te stoli e të festoja.
Ndjeva shumë besim sot, edhe pse isha pak i lodhur. Falënderoj trajnerin që më besoi dhe më aktivizoi për të tretën herë në lojë. Besoj që ia shpërbleva, fitoren ia dedikoj ekipit që dha 100 për qindëshin.
Kualifikimi? Të shpresojmë. Nuk varet nga ne. Do t’i shohim ndeshjet e mbetura me ankth dhe të shpresojmë te ekipet e tjera, pasi kjo do të ishte diçka tejet speciale për të gjithë shqiptarët.
Etrit Berisha
Me siguri që e dinim se do të ishte një ndeshje mjaft e vështirë, por nuk kemi dhënë edhe më tepër se në ndeshjet e tjera. Por, ishim më të lirë psikologjikisht, pasi në ndeshjet e para kishim emocione. Prej fillimit të ndeshjes u ndjemë mirë dhe menduam vetëm fitoren.
Ekipi luajti perfekt. Edhe në ndeshje të tjera jemi paraqitur jashtëzakonisht mirë, por tashmë jemi rritur dita-ditës. Jemi një skuadër shumë e mirë dhe shpresojmë të kualifikohemi dhe t’i tregojmë cilësitë tona edhe më tepër.
Gabimi te goli me Zvicrës? Atë moment e kam kaluar. Të gjithë gabojnë dhe pas atij momenti mendoj se kam bërë paraqitje të mira dhe jam munduar t’i jap shpresë skuadrës për të arritur rezultate. Ndeshja e dytë dhe kjo sfidë që fituam me Rumaninë ishte jashtëzakonisht e mirë, pasi edhe nuk pësuam. Shpresojmë ta fitojmë grupin, për të bërë surpriza të tjera.
Migjen Basha
Mirë që i morëm këto tre pikë. Në ndeshjet me Zvicrën dhe Francën nuk kishim fat, por edhe kundër Rumanisë kishim vështirësi. Ne pjesën e dytë kemi rrezikuar disi, por arritëm ta mbronim rezultatin. Tashmë shohim si do të mbyllen sfidat në ndeshjet e tjera dhe të shohim çfarë do të ndodhë.
Kemi festuar, por kemi frenuar edhe pak festën sepse duhet të presim rezultatet e tjera. Këto tre pikë na bëjnë krenarë për veten dhe për tifozët që na kanë mbështetur shumë. Kemi festuar, por tashmë të shohim se çfarë do të ndodhë me shpresën se do të kualifikohemi.
E gjithë skuadra ka bërë një superndeshje. Gëzohem më tepër kur fiton skuadra sesa kur luaj vetë mirë. Kemi bërë diçka vërtet të bukur. E gjithë shqiptaria është krenare me ne, për këtë që kemi bërë.
Arlind Ajeti
Pikë së pari kam luftuar për skuadrën, për të marrë këto tre pikë. Kemi pasur shumë dëshirë mos të iknim pa shënuar dhe pa marrë pikë në Kampionatin Europian dhe ia dolëm.
Kur jemi në avantazh është e vështirë ta ruash rezultatin, sepse edhe kundërshtari sulmoi sepse kërkoi kualifikimin, por kemi luajtur mirë, luftuam dhe mjaftoi për sfidën me Rumaninë.
Zëvendësimi i Canës? Është një përgjegjësi shumë e madhe. Është kapiteni i skuadrës, që ka derdhur djersë, ka luftuar për skuadrën për të arritur deri këtu. Jam i kënaqur që trajneri ma dha këtë mundësi.
Lorik Cana
Ka disa muaj që ekipi po gjen në çdo rol në fushë dublime dhe lojtarë të nivelit të lartë. Është vetëm për t’u përgëzuar. Kur luan në nivele të tilla të gjithë duan të japin kontributin e tyre dhe unë kam detyra si të jem në fushë, por edhe jashtë fushës për të motivuar djemtë.
Gjëja më e vështirë është kur njeriu e di që vjen në Europian për të dhënë një kontribut për skuadrën, pasi kjo fanellë ka peshë. Shpresojmë të kemi fatin me vete.

Exit mobile version