FMN: Qeveria, represion ndaj biznesit

Kreu i Misionit të përhershëm të FMN-së në Tiranë, Jens Reinke, ka pohuar qartazi në një dalje për shtyp së bashku me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, se vendi është mbrapa me përmirësimin e klimës së biznesit. “Teksa shifrat e buxhetit janë optimiste, biznesi raporton një situatë krejt tjetër”, tha ai. “Biznesi thotë se, Administrata Tatimore bën represion. Kjo pengon biznesin vendas të zgjerohet dhe të huajt të vijnë”, tha ai, duke shtuar se sektori privat nuk është në humor.
“Kur unë flas me sektorin privat nuk më duket se janë në humor, për të shijuar ndonjë gjë pozitive. Ndërsa shifrat tregojnë rritje edhe për stabilitetin makroekonomik, sektori privat nuk ka të njëjtin perceptim se si e shohin ata ekonominë. Kjo ka të bëjë kryesisht me mënyrën se si administrata tatimore vepron me biznesin. Kur unë flas me partnerë të sektorit privat më tregojnë se si administrata tatimore komunikon me ta është në rrugë represive. Ky është një problem që qeveria duhet t’i kushtojë vëmendje pasi ndikon në rritjen ekonomike, ndikon tek bizneset që janë aktualisht në Shqipëri dhe në ata investitorë që do të zgjedhin Shqipërinë në të ardhmen” tha Reinke. Në lidhje me rritjen e pagave dhe pensioneve, përfaqësuesi i FMN tha se në situatën e sotme ekonomike qeveria shqiptare e ka të mundur të bëjë rritje pagash dhe pensionesh. “Ka disa faktorë që duhen marrë në konsideratë. Është një strategji e borxhit, e cila nuk lë shumë hapësira fiskale për të bërë dhurata nëpërmjet uljes së taksave për sektorë të caktuar. Duhet të vazhdojë konsolidimi fiskal. Nuk ka hapësirë për dhurata” . Pak ditë më parë, kryeministri Rama premtoi uljen e TVSH për energjinë, një nismë që mesa duket nuk mbështetet nga FMN, që kundërshton uljen e taksave për sektorë të caktuar. “Ne nuk jemi që të favorizohet me ulje taksash një sektor apo një tjetër. Duhet të ishte më mirë dhe më eficente një ulje e barabartë taksash për të gjithë”. Mosrealizimi i investimeve publike vijon të mbetet problem, ndërsa në korrik qeveria të rishikojë buxhetin. Në kushtet kur projektet e planifikuara të financoheshin me paratë e buxhetit nuk janë realizuar në 5 mujorin e parë, duke u përkthyer në një stimul më pak për ekonominë, mbetet për t’u parët se ku do të përdoren të ardhurat: teorikisht rrugët janë dy: ulje e borxhit ose investime.  Reinke theksoi se duhet ndërmarrë disa reforma për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. “Ne mbyllëm rishikimin e shtatë të programit. Gjatë gjithë kohës, programi ka performuar shumë mirë. Ka pasur një trajektore të mirë të administrimit fiskal. Lajmet për rritjen ekonomike janë inkurajuese, por natyrisht ne do të donim që rritja ekonomike të ishte më e lartë në mënyrë që të kishte një ndryshim në jetën e shqiptarëve. Prandaj, është e rëndësishme që të ketë përmirësim të vazhdueshëm të klimës së biznesit. U përmend këtu edhe reforma në drejtësi, e cila është mjaft e rëndësishme. Duhen ndërmarrë edhe reforma të tjera, si për shembull përmirësimi i klimës së biznesit dhe klimës së administrimit tatimor”. Përfaqësuesi i FMN-së u pyet gjithashtu edhe rreth batutës së kryeministrit Edi Rama javën e kaluar mbi eficencën e administratës tatimore. “Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me qeverinë dhe kryeministrin. Kohët e fundit kam tundur kokën në tv dhe kjo është interpretuar në mënyra të ndryshme. Për sa i përket platformës së rriskut që u diskutua edhe në konferencën e javës së kaluar, ajo është zhvilluar në bashkëpunim me FMN-në. Ky është një proces në vazhdim. Muajt e ardhshëm do të vijë në Shqipëri një mision nga FMN-ja, i cili do të analizojë eficencën e administratës tatimore” tha përfaqësuesi i FMN në Tiranë.

Exit mobile version