Zvicra shpall listën, reziston Tarashaj

Asnjë nga “kolonia” shqiptare te Zvicra nuk preket, të gjithë futbollistët me origjinë shqiptare që luajnë për ngjyrat e përfaqësueses helvete, kundërshtare e Shqipërisë në Grupin A të finaleve të Euro 2016, i kanë rezistuar “gërshërës” së trajnerit Vladimir Petkoviç që bëri publike listën përfundimtare me 23 emrat e futbollistëve që do të marrë me vete në kompeticionin kontinental. Ta paprekshëm ashtu siç edhe pritej “senatorët” Shaqiri, Granit Xhaka, Xhemaili, Behrami apo dhe Mehmedi, por ndërkohë ja ka dalë të fitojë një vend në grupin që shkon në Francë edhe Shani Tarashaj, që bashkë me talentet e tjerë të rinj Nico Elvedi, apo dhe Denis Zakaria janë ndoshta risia e listës përfundimtare prej 23 emrash.
Lojtarët që i kanë dhënë fund para kohe përgatitjeve për Europianin nga kampi i Zvicrës janë Philippe Senderos, Silvan Widmer dhe Luca Zuffi me trajnerin Petkoviç që e ka cilësuar si shumë të vështirë vendimin e marrë, duke shpjeguar se nuk ka vendosur kundër 3 lojtarëve që largohen, por për ata 23 që mbeten dhe do të vazhdojnë javën e dytë të përgatitjeve në Lugano, ku është grumbulluar Zvicra dhe do të udhëtojnë drejt Francës të hënën e ardhshme. Zvicra do të jetë kundërshtari i parë i Shqipërisë në Europian me kuqezinjtë që do të përballen me formacionin helvet në 11 qershor në stadiumin e Lens.

Exit mobile version