Fondacioni gjerman: Eksodi i madh, të gjithë duan të ikin nga Shqipëria

Blerina Hoxha
Valët e emigrimit kryesisht të moshave të reja do të vijojnë me një intensitet të lartë edhe në periudhat në vijim teksa një sondazh për Potencialet e Emigrimit i mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert zbuloi ketë javë se mbi 52 % e popullsisë në grupmoshën 18 – 40 vjeç dëshiron të emigrojnë nga Shqipëria, me një rritje me 8 pikë përqindje në krahasim me 2007.
Vrojtimi i profesorëve Gëdeshi-King zbuloi trende të reja të emigrimit, ku vala e ikjeve ka përfshirë qytetet me nivel më të lartë jetese. Gjysma e personave që marrin paga nga 1000-1400 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të ikin sërish
Rikthimi i flukseve të larta të emigrimit vitet e fundit është vetëm maja e ajsbergut të asaj që pritet të ndodhë. Rezultatet e frikshme të anketimeve të fundit, ku më shumë se gjysma e popullsisë së vendit dëshiron të largohet dhe tashmë ka nisur përgatitjet për këtë proces, ndoshta është përgjigjja më e saktë se Shqipërisë nuk po i shkojnë punët aspak mirë.
Vala e fundit e emigrimit është më dramatike dhe po rrezikon ta çojë vendin drejt “shuarjes”, pasi eksodi ka përfshirë qytete të mëdha si Vlora, Tirana Durrësi dhe Elbasani, kurse ata që duan të ikin janë individë në punë me paga të larta dhe të mirarsimiuar
– fenomene që nuk ishin vërejtur në vrojtimin e vitit 2007. Përpos arsyeve ekonomike për të emigruar, mungesa e shpresës se situata në Shqipëri do të përmirësohet për mirë është një faktor që ka shënuar rritje krahasuar me 10 vite më parë.

Profesorët Ilir Gëdeshi dhe Russell King nëpërmjet Qendrës për Kërkime Sociale dhe Ekonomike, me kërkimin e tyre mbi emigracionin ndër vite, kanë gjetur së fundi trende të reja të fenomenit dhe shkaqeve të flukseve të larta të emigracionit. Së fundmi, ata prezantuan një kërkim mbi emigrimin potencial, i cili u mbështet nga Fondacioni Friedrich Ebert. Sipas të dhënave të anketës së këtij viti, 52% e popullsisë shqiptare të grupmoshës 18 – 40 vjeç, dëshirojnë të migrojnë nga Shqipëria, në krahasim me anketën e vitit 2007, ku 44.2% e kësaj grupmoshe donte të emigronte.
Ata e fokusuan anketën dhe kërkimin e tyre vetëm në popullsinë 18-40 vjeç, pasi këto përbëjnë potencialin më të lartë për emigrimin. Anketa përfshiu 1436 intervista në të gjithë vendin dhe u zhvillua gjatë periudhës shkurt-korrik të këtij viti. Me herët anketa të tjera mbi potencialet e emigrimit si ajo e Gallup vitin e kaluar, që janë shtrirë në të gjithë popullsinë, kanë gjetur shifra më të larta të dëshirës për t’u larguar mbi nivelin 56%.
Profesor Gëdeshi tha se dëshira për të migruar në këto përmasa lidhet me përfytyrimin që kanë njerëzit për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Nga njëra anë, ai është një reflektim i gjendjes reale ekonomike, sociale e politike në vendin e origjinës, dhe nga ana tjetër, i mundësive potenciale në vendin pritës. Vrojtimi tregoi se, rreth 50% e personave që marrin paga nga 1000-1470 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish.

Exit mobile version