Ronaldo humb kujtesën: “Goli i dytë? Nuk e kujtoj mirë…”

Dy gola, një me penallti dhe një tjetër të jashtëzakonshëm, me një gjuajtje spektakolare nga jashtë zone. Cristiano Ronaldo ka udhëhequr Juventusin këtë të shtunë drejt triumfit me përmbysje ndaj Empolit, që kishte tronditur bardhezinjtë me golin e Caputo-s. Në një intervistë për “Sky Sport”, portugezi ka rrëfyer ndjesinë e tij pas fitores dhe veçanërisht pas golit të dytë.
“Ka qenë një javë shumë e rëndësishme, mendoj se skuadra është mirë. Me Manchester United kemi dhënë një përgjigje fantastike, luajtëm mirë dhe sot dëshmuam se jemi një skuadër e madhe. Ishte një ndeshje shumë e ndërlikuar. Të luash pas Champions League është gjithmonë e komplikuar, teksa ishim edhe pak të lodhur. E merituam fitoren. Goli im i dytë? Nuk e kujtoj shumë mirë, ishte një aksion shumë i shpejtë dhe mendoj se ka qenë një gol madhështor”, deklaroi Cristiano Ronaldo.

Allegri: Ai është dëshmia e gjallë e triumfit të praktikës mbi teorinë
Në përfundim të ndeshjes ndaj Empolit, të fituar nga Juventusi me përmbysje me rezultatin final 2-1, trajneri i bardhezinjve, Massimiliano Allegri komentoi për “Sky Sport”, performancën e “Zonjës së Vjetër”, duke pranuar lodhjen e justifikueshme të skuadrës e gjithashtu duke bërë një vlerësim të veçantë për CR7, autor i dygolëshit të fitores.
“Një skuadër që fiton 12 nga 13 ndeshje, mundet edhe që të jetë disi e lodhur. Nuk e nisëm keq, por më pas ngadalësuam me nisjen e sulmeve. Kundërshtari ka një pykë dhe futbollistë që përparojnë në vertikale, dhe nëse nuk shkon në topat e dytë, atëherë ata kundërsulmojnë. Pësuam në goditjen e parë, më pas përmirësuam në pjesën e dytë. Komplimente Empolit për mënyrën se si luan. Cristiano Ronaldo është një shembull i dukshëm për të luajtur futboll, është dëshmia se si praktika prevalon mbi teorinë”, deklaroi Allegri.

Exit mobile version