Formacioni më i paguar i Serisë A

Është normale që kur shpenzon më shumë dhe lufton për të pasur në skuadër edhe lojtarët më të mirë, ata duhen paguar më shumë se të tjerët. Dhe për këtë arsye, kuptohet se pse Juventusi i “përkëdhel” me miliona kampionët e saj, të cilët fitojnë të paktën në Itali prej 6 sezonesh radhazi.
Ndërkohë, edhe Milani është ngritur sivjet në këtë aspekt, me “diamante” si Xhanluixhi Donaruma, Leonardo Bonuçi dhe Andrea Konti, respektivisht me 6 milionë, 7.5 milionë dhe 3 milionë euro në vit, për portierin më të paguar, një prej qendërmbrojtësve dhe mbrojtësit të krahut të djathtë më të paguar në Serinë A.
Kjo 11-she, e më të paguarve për çdo rol, në një formacion 4-3-3 të stiluar nga studimi i pagave të lojtarëve, e bën Juventusin dominues, me plot 7 futbollistë pjesë e tij.
Ata janë Xhorxho Kielini, në qendër të mbrojtjes, me 3.5 milionë euro, Aleks Sandro me 2.8 milionë në korsinë e majtë, Miralem Pjaniç në mesfushë me 4.5 milionë; Sami Khedira sërish në mesfushë me 4 milionë euro.
Por edhe i gjithë sulmi përbëhet nga tre juventinë: Paulo Dibala me 7 milionë euro, Gonzalo Higuain me 7.5 dhe Duglas Kosta i ardhur sivjet nga Bajerni i Mynihut, me 6 milionë euro vjetor.
Ai që del jashtë dyshes Juventus-Milan është mesfushori belg, Razha Naingolan. Ylli i Romës është më i paguari në kryeqytet me 4.2 milionë euro vjetore.
Por një skuadër ka nevojë edhe për një trajner, prandaj është normale që më i paguari të jetë edhe ai, i cili ka më të paguarit në grupin që stërvit përherë. Bëhet fjalë për Masimiliano Alegrin, strategu i Juventusit, i cili sivjet ka startuar sezonin e tretë në krye të torinezëve.

Exit mobile version