Milani ka qenë klubi më aktiv në merkaton e verës në Itali, duke shpenzuar shumë për të afruar thuajse një formacion të plotë. Por drejtori sportiv i kuqezinjve, Masimiliano Mirabeli, ka zbuluar se ka dy pengje për marrëveshje që nuk arriti t’i finalizonte.
“Një lojtar që e kërkuam dhe në fund nuk erdhi? Përveç Aubamejang, nuk mund të them emrin tjetër. Do ta tregoj pas disa vitesh”, tha ai duke ruajtur kështu misterin rreth këtij transferimi që nuk u konkretizua, përveç atij të sulmuesit të Borusia Dortmund.
Më pas, ai ka vlerësuar maksimalisht yllin e ri që po shpërthen në radhët e kësaj skuadre, 19-vjeçarin Patrik Kutrone. “Ai po kalon një moment të shkëlqyer, shpresojmë që të kemi për shumë kohë probleme të tilla bollëku në repartin e avancuar. Sa vlen aktualisht? Shumë, është një lojtar i datëlindjes 1998, një lojtar i rëndësishëm dhe do të kalojë shumë vite te Milani”, tha Mirabeli.