Forumi Ekonomik Botëror: Shqipëria e mbytur në korrupsion, vështirësi për investitorët

Forumi Ekonomik Botëror e rendit Shqipërinë si një nga vendet e mbytura në korrupsion që pengon investitorët në aktivitetet e tyre.  Shqetësimi kryesor i 23.6% të sipërmarrësve shqiptarë të anketuar në raportin e fundit të Forumit Ekonomik Global është korrupsioni, duke shënuar një rritje me 10 pikë përqindje në raport me një vit më parë, ku korrupsioni ishte problemi i tretë për bizneset (13.8%), pas taksave të larta dhe aksesit në financë.
Krahas renditjes, në raport është publikuar një grafik për faktorët më problematikë për të bërë biznes. Nga një listë faktorësh, të anketuarve në Vëzhgimin e Opinionit të Drejtuesve, të matur nga Forumi Ekonomik Global iu kërkua të përzgjidhnin pesë faktorët më problematikë për të bërë biznes, duke i renditur midis 1 (më problematiku) dhe 5.
Shqetësimi kryesor i sipërmarrësve shqiptarë në raportin e 2016-2016 është korrupsioni, i cilësuar i tillë nga 23.6% e të anketuarve. Në raport me të njëjtin anketim të vitit të kaluar, korrupsioni ka kaluar në shqetësimin kryesor të bizneseve. Në raportin  e 2015-2016, korrupsioni renditej në shqetësimin e tretë të sipërmarrësve, me 13.8% të të anketuarve, pra ka një rritje prej gati 10 pikë përqindje brenda një viti.
Shqetësimi i dytë janë normat e taksave me 21.3% të të anketuarve. Edhe vitin e kaluar 21.7% e të anketuarve kishin problemin kryesor taksat e larta, por tashmë ai renditet e dyti, teksa në vend të parë ka kaluar korrupsioni.
Shqetësimi i tretë është forca punëtore e pakualifikuar, për 11.3% të të anketuarve, me një rritje të ndjeshme nga raporti i vitit të kaluar, ku vetëm 3.3% e të anketuarve u ankuan për forcën punëtore.
Aksesi në financim (që vitin e kaluar ishte shqetësimi i dytë më i madh i bizneseve me 18.9% të totalit, por tashmë ka zbritur në vend të katërt  me 10.1%), destabiliteti politik, ineficenca e administratës, infrastruktura e dobët, etj., janë problemet e tjera me të cilat haset biznesi.
Nga analiza e bërë sipas shtyllave kryesore, vërehet se ka pasur një rritje pothuajse në të gjithë indikatorët, sidomos në atë “Arsimi dhe shëndeti” (që renditet në vendin e 33-të duke u rritur me 19 pozicione nga një vit më parë). Rritje u shënuan edhe në indikatorët e tjerë si  Mjedisi Makroekonomik, Arsimi i Lartë dhe Trajnimet, Zhvillimi i Tregjeve Financiare, Gatishmëria për Teknologjinë, Inovacioni dhe Sofistikimi i Biznesit, kanë ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e pozicionit të Shqipërisë përsa i përket konkurrueshmërisë. Në këtë raport, Shqipëria mban pozita të favorshme, duke lënë pas Greqinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, në renditjen globale, sa i përket konkurrueshmërisë. Raporti evidenton se  Shqipëria grumbullon 4.06 pikë nga 3.93 pikë që grumbullonte një vit më parë, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë.

Exit mobile version