Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit me interes dhe admirim nё njё takim që pati me drejtues dhe anёtarё tё Dhomës amerikano-hebreje të Ekonomisë, si dhe të Federatës hebreje e të Fondit të Bashkuar hebre në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti Nishani u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit dhe të bashkësisë së shumtë hebreo-amerikane duhet të thellohen e të zgjerohen më tej duke u përkthyer në rritje të shkëmbimeve ekonomike-tregtare, sidomos po të kihet parasysh miqësia dhe lidhja e veçantë historike, si dhe vlerat e parimet e përbashkëta që ndajmë, të cilat u forcuan edhe më shumë gjatë periudhës së tmerrshme të Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore. Për sa i përket zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike si rritjen e pranisë së investitorëve hebreo-amerikanë në Shqipëri, Presidenti Nishani vuri në pah burimet e shumta e të pasura natyrore, sidomos ato ujore, klimën dhe pozicionin e favorshëm gjeografik, legjislacionin ndihmues në fuqi, por mbi të gjitha miqësinë tradicionale dhe besimin e sprovuar. Kreu i shtetit shqiptar dhe drejtuesit e Dhomës Tregtare amerikano-hebreje të Çikagos, njëra prej institucioneve më të vjetra e kësaj bashkësie në Shtetet e Bashkuara, ndanë pikëpamjen e përbashkët se investimet e sipërmarrësve hebreo-amerikanë në përgjithësi dhe atyre izraelitë duhet të jenë më të pranishme në numër dhe cilësi duke zbatuar ide dhe projekte konkrete në fusha si turizmi, bujqësia, shfrytëzimi i pasurive natyrore, teknologjia e informacionit, etj., duke pasur parasysh potencialet dhe mundësitë e mëdha vendi ynë ofron. Drejtuesit dhe anëtarët e Dhomës amerikano-hebreje të Çikagos vlerësuan veçanërisht strehimin dhe shpëtimin që vendi ynë dhe populli shqiptar u ofroi hebrenjve gjatë Holokaustit duke e quajtur “dëshmi të kurajës dhe staturës morale për t’i rezistuar dhe bërë ballë trysnisë së regjimit të pashpirt nazist”. Duke ndarë të njëjtën pikëpamje me Presidentin Nishani, ata u shprehën se kjo dëshmi e heroizmit të shqiptarëve duhet të promovohet edhe më tej në botë si një shembull që duhet të përhapet, sepse tregon respekt për të tjerët ndryshe, bashkëjetesë dhe parime të përbashkëta. Presidenti Nishani, duke nënvizuar se historia e mikpritjes dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është shembulli që shqiptarët janë të gatshëm ta përhapin e bëjnë të ditur jo vetëm në rajon dhe në Evropë, por edhe më gjerë, e vlerësoi këtë takim si shprehje e miqësisë së konsoliduar dhe partneritetit mes dy kombeve, ku u shpreh se: “dy komunitetet duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht së bashku duke u bazuar në parimet, vlerat dhe virtytet e përbashkëta”.