Një qytetar nga Pogradeci ka ndarë një shqetësim të thellë lidhur me mënyrën skandaloze se si trajtohen mbetjet urbane dhe si injorohet ruajtja e natyrës në Shqipëri – edhe në zona që teorikisht duhet të ishin të mbrojtura.
Ai ka treguar për “JOQ” se prej disa kohësh punon në shtetin fqinj të Maqedonisë së Veriut, në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Galiçicës, pranë Manastirit të Shën Naumit, por sipas tij, ndryshimi është i frikshëm: në njërën anë, pastërti dhe kujdes maksimal për natyrën, dhe në anën tjetër, ndotje, papërgjegjësi dhe neglizhencë totale nga institucionet shqiptare.
Me anë të disa fotove ai ka treguar kontrastin mes dy vendeve që ndahen nga pak kilometra kufi. Ai thotë se Parku Kombëtar i Drilonit në Pogradec i ngjan një landfilli mbeturinash dhe papastërtish pasi askush s’kujtohet ta pastrojë apo ta ruajë ambientin të pa ndotur.
“Jam me hall, kam ikur për punë jashtë, por vetëm disa kilometra larg shtëpisë time. E më vjen keq ta them, por më mirë që një pasuri e tillë natyrore menaxhohet nga të tjerët. Nuk ndërtohet kuturu, nuk ka mbeturina vend e pa vend, çdo gjë ruhet me përpikmëri. Turp të tregoj këto foto, por është realiteti i hidhur. Nuk është se dua të shaj vendin tim, por na mungon kultura, edukata dhe mbi të gjitha vullneti për të bërë diçka. Kjo është pasuria që duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë dhe po e shkatërrojmë me duart tona”, përfundon ai.
Ai i bën thirrje institucioneve lokale dhe qendrore që të mos e braktisin më natyrën shqiptare, sepse kjo është e vetmja pasuri që nuk mund të zëvendësohet.
DENONCIMI I JOQ