Më 29 maj 1917, ndërroi jetë një nga figurat qendrore të klerit katolik shqiptar, Dom Nikollë Kaçorri, atdhetar, klerik dhe nënshkrues i Aktit të Pavarësisë.
Me emrin e Dom Nikoll Kaçorrit, meshtarit të Pavarësisë, zv/kryeministrit të qeverisë së Vlorës, lidhte një nga epokat më të ndritura dhe më të vështira njëherësh të historisë sonë kombëtare. Me gjithë kontributin e madh në shpalljen e Pavarësisë dhe funksionimin e të parës qeveri shqiptare, emri i tij është lënë në gjysmëharresë dhe nuk i është dhënë merita që i takon. Në Diktaturë emri i tij përmendej, por me një lloj ndrojtje, ndërsa në këto vite të hapjes së Shqipërisë, figura e tij e plotë nuk ka dalë në pah, siç i takon në panteonin e lavdisë kombëtare.
Kaçorri lindi në Krej të Lurës në vitin 1862. Ai u bë dhe zëvendëskryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit. Më 1882 mbaroi kolegjin urban për retorikë dhe gramatikë. Po atë vit shkoi në Romë ku vijoi studimet për gramatikë dhe retorikë në kolegjin urban atje. Më pas studioi për teologji, filozofi e shkenca politike në Universitetin “Zeking” në Zyrih. Më 1893 u kthye në Shqipëri, ku gjatë viteve 1905-1907 drejtoi kryengritjen e armatosur në Kurbin. Pajisi popullin me 500 armë që u shpërndanë në Kthellë të Mirditës dhe në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, i parapriu shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike.
Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1909 në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Krahas veprimtarisë së tij fetare dhe patriotike në shërbim të atdheut, meshtari i Durrësit, Dom Nikollë Kaçorri nisi rrugëtimin e tij me ndalesa në çdo cep të vendit, ku jehonte kënga popullore. Për të ruajtur dhe trashëguar pasurinë folkloristike, Kaçorri shkeli në çdo cep të Durrësit, të Krujës, të Shkodrës, të Pejës, të Gjirokastrës etj. Këngët kushtuar trimave, heronjve dhe kombit shqiptar i mblodhi dhe i botoi në vëllimin “Canti Albanesi Popolari”
KONTRIBUTI
U lind në fshatin Krejë të Malësisë së Lurës më 1862, me të atin katolik dhe të ëmën myslimane. Në po të njëjtën familje, xhaxhai i tij ishte po ashtu mysliman. Ndoqi mësimet e para fetare në shkollën e Troshanit dhe më pas u shkollua në Romë, ku dhe u dorëzua prift. Kur u kthye më 1895, nisi shërbimin fillimisht si meshtar në Delbnisht. Me kryengritjen e Kurbinit, në bashkërendim me Gjin Pjetrin u mundësoi kryengritësve 500 armë.. Më 1907 emërohet kryetar nderi i klubit “Vllaznia” dhe më 1909 u anëtarësua i klubit “Bashkimi”, me Abdi Toptanin dhe Mustafa Merlikën. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Pasi iu zunë prova që e përfshinin në një kryengritje, u arrestua dhe iu bë gjykimi. Për gjyqin dhe dënimin me disa vjet burg dhe gjobë në të holla boton gazeta “Dielli”. Gazeta “Dielli” e datës 8 nëntor 1911 shkruan: “Me 15 të dhjetorit u knduen në gjykatore të Durrësit letrat që patën ardh të prishuna preji temizit të Stambollit, me 17 vazhdoi gjygji përsëri porë pa lën shum me folë të ndershmin prift atdhetar, dhe pa thirr njeri si dëshmitar. E dënuen përsëri me dy vjet burg e 25 lira gjobe. Avokati mbrojtes, zoti Talib Efendiu nga Gjirokastra kërkoji të zburgosurit e Don Nikoll Kaqorrit, dhe e bâni temiz (apel) për së dyti por gjygji nuk e liroji.” “Dielli nr 89” shkruan: “Nga gazetat e huaja mësuam sihariqin se të ndershmit prift katolik nga Durrësi z. Don Nikoll Kaqorrit ju dha falje preji sulltanit për dënimin që kishte dhënë gjykatorja ushtarake. Përgëzojmë nga thelbi i zemrës të shkëlqyerin atdhetar dhe i lutemi Zotit t’i falë pas këteji shëndet dhe prehje për të mirën e atdheut.”
“Në korrik të vitit 1911 ushtria turke zuni në Shijak rrogtarin e imzot Nikoll Kaqorrit me tri manxerrë e do fishekë e letra poste, që po i qonte në Delbnisht te Arqipeshkvi i Durrësit imzot Bianki. Imzot Nikoll Kaqorri kjé qitë në gjygjin ushtarak e kjé dënue me burg e sidomos për shkak të një letre ku jepte drejtime për një kryengritje kombëtare.”. Verën e 1912 qe ndërlidhës i kryengritjes që kishte ndërmarrë Maz’har bej Toptani, i cili lidhi besë me malësorët katolikë të Kurbinit, Kthellës e Mirditës dhe së bashku me disa myslimanë doli në mal. Në tetor së bashku me klerikë të tjerë shkoi në mision në Rubik, Mirditë, Kthellë, etj., me synimin që të bashkonte katolikët me forcat osmane kundër Malit të Zi që kish rrethuar Shkodrën. Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që arriti nga Trieste me datë 22 nëntor 1912.
DURRËSI
Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e Pavarësisë. Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e pavarësisë me siglën “Kaçorri”. U zgjodh nënkryetar i qeverisë së dalë nga Kuvendi i Vlorës. Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Gërmenjin themeloi lidhjen “Për atdheun e për Thronin” për shpëtimin e atdheut nga trazirat e ndryshme antikombëtare.
Me shpërthimin e kryengritjes së Shqipërisë së mesme, nga kryengritësit iu dogj qela ku banonte si dhe biblioteka e tij personale. U largua drejt Vjenës, ku me dekret të 28 janarit 1916, Perandori Franc Jozef e dekoroi me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhrit të Franc Jozefit. Në kryeqytetin austro-hungarez qëndroi tri vjet, ku dhe u ekzaminua e mjekua për sëmundjen e mushkërive. Prej rëndimit të sëmundjes ndërroi jetë në sanatoriumin Würth, pasi vuajti tre-katër muaj, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në Zentralfriedhof. Në varrim morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Vinter si dhe e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha LovontalLinau, si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor u mbajt një meshë nderimi për të në kishën Maria Treu në Vjenë. Varri i Dom Nikollë Kaçorrit gjendej në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19. Në janar të 2011, kleriku Dom Izak Doda gjeti varrin e Kaçorrit në kryeqytetin austriak. Muajt pasardhës me interesimin e klerikëve të tjerë dhe pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Vjenë, u bë i mundur riatdhesimi i eshtrave të tij si dhe varrosja në kishën e Shën Luçias, Durrës.
TRASHËGIMIA
Më 1962, me 50-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, u përmend për herë të parë qysh prej vitit 1944. Për veprimtarinë e tij u nderua “Për veprimtari patriotike e klasit të dytë.” Në përmendoren e Pavarësisë nuk u paraqit truporja e tij. Në asnjë vepër arti, aq të shumta për Pavarësinë, nuk u pikturua fytyra e tij. Në faksimilen e Aktit të Pavarësisë u arrit deri atje sa iu hoq firma. Në filmin “Nëntori i dytë”, kushtuar Shpalljes së Pavarësisë, del vetëm një herë, po jo në ballkonin ku u ngrit flamuri. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Kaçorrit i kushtohen vetëm 27 rreshta. Të qenit e tij në gjysmëhije erdhi për shkak jo vetëm të rrobës së tij klerikale, por dhe për atë rol parësor që ai kishte në aktin e Pavarësisë, por për shkak të konjukturave të kohës, të vjetra e të reja, ky rol nuk është nxjerrë në pah aq sa duhet, pasi emir i tij nuk meriton të jetë vetëm në një shkollë të thjeshtë fshati në Lurë, por në rrugë e sheshe në Tiranë, Vlorë e kudo në shqiptari, ku pritet me dashuri e fisnikëri emir dhe vepra e paharruar e Dom Nikoll Kaçorrit./Gazeta Panorama