Franca nuk e nënvlerëson Shqipërinë

Gazetari i prestigjiozes franceze “L’Equipe”, Yohann Hautbois, i cili ndodhet në Bad Waltersdorf për të ndjekur nga afër kombëtaren shqiptare pranoi të jepte mendimin e tij për kuqezinjtë, që do të jenë kundërshtarë me Francën në Grupin A në Euro 2016. Sipas tij, Shqipëria në opinionin francez, nuk është më një skuadër e vogël, por një faktor i rëndësishëm në futbollin Europian që duhet marrë seriozisht në konsideratë. “Quhem Yohann Hautbois, jam gazetar i “L’Equipe” dhe kam ardhur këtu ne Austri për të realizuar një reportazh për kombëtaren shqiptare. Para dy ndeshjeve miqësore, ku barazuam në Francë dhe humbëm në Shqipëri, nuk e njihnim Kombëtaren Shqiptare dhe nuk i kushtonim rëndësi, ndërsa sot e shohim ndryshe këtë skuadër. Nuk është më një ekip i vogël, por një skuadër e aftë madje të mposhttë Francën dhe ta vërë në vështirësi serioze, ndaj duhet vlerësuar në maksimum”, tha ai.
Në përballjen e dytë në grup mes Francës dhe Shqipërisë që do të zhvillohet në Velodromme më 15 qershor, “gjelat” sipas Hautbois, do të jenë shumë më të përqendruar. “Unë jam francez dhe besoj se Franca ka mësuar nga gabimet e saj. Takimi i kaluar ka qenë thjesht një miqësore, ndaj mendoj se gabimet që skuadra bëri në Shqipëri nuk do t’i përsërisë në shtëpi. Në Kampionatin Europian do të jetë tjetër ndeshje. Franca luan në shtëpinë e saj, ku do të jetë më e përqendruar ndaj Shqipërisë, sepse tani e njeh më mirë dhe sigurisht e ka analizuar edhe lojën e saj”, u shpreh Yohann Hautbois.
Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, është emri më i njohur në Francë ndër kuqezinjtë, sidomos për mediat spotive. Gazetari “L’Equipe”, është i bindur si 33-vjeçari do të duartrokitet në Velodromme. “Për të do të jetë një ndeshje e veçantë. E kam intervistuar Lorik Canën, i cili më tha se për të Marseja është shtëpia e dytë. Shqipëria është padyshim atdheu i tij, por ai është shumë i lidhur me Francën dhe në veçanti me qytetin e Marsejës. Do të jetë ndeshje e veçantë për të, sepse para se të transferohej në Marsejë ka luajtur në Paris, ku gjithashu ia ka kaluar shumë mirë. Në Marseille tifozët e kanë pritur mirë dhe e kanë përkrahur shumë, sepse është një luftëtar, shumë agresiv dhe nuk dorëzohet kurrë. Besoj se do ta durtrokasin në Velodromme.  Cana, kam përshtypjen se për shkak të karakteristikave të tij prej luftëtari, është futbollisti që ka marrë më shumë kartonë të verdhë tek Olimpiku i Marseilles. Është një lojtar i fuqishëm që sakrifikon shumë për ekipin. Në Marseille e duan një futbollist të tillë që jep zemrën në fushë për skuadrën”, tha ai.
Por cili është parashikimi i Hautbois për renditjen përfundimtare të Grupit A? “Mendoj se Franca do të klasifikohet e para në Grupin A, Rumania e dyta, ndërsa Shqipëria e treta, madje e treta më e mirë që kualifikohet, ndërsa Zvicra e katërta. Them që Zcivra do ta mbyllë në vendin e fundit, sepse ka një mbrojtje të dobët dhe nuk po kalon një moment të mirë mendoj, ndërsa Rumania është shumë solide në aspektin mbrojtës. Shqipëria mendoj do të tregojë vlerat e saj më të mira, lojtarët tuaj kanë më shumë dëshirë për të luftuar për kombëtaren e tyre”, u shpreh gazetari francez.
Franca, edhe pse mbetet favorite absolute për ta kaluar grupin, ka dhe ajo pikat e saj të dobëta.
“Problemi më i madh për Didier Dechamp është mbrojtja. Ka shumë futbollistë të dëmtuar. Varane u dëmtua së fundmi dhe u zëvendësua me Adil Rami. Pra në repartin e pasmë janë disa lojtarë që nuk kanë luajtur bashkë. Ky është problem më i madh sesa vetë mungesat”, përfundoi Yohann Hautbois.

Exit mobile version