Manaj dy gola te Inter

Rey Manaj vazhdon të shkëlqejë me të rinjtë e Interit. I huazuar nga ekipi i parë, sulmuesi shqiptar rezultoi vendimtar për zikaltërit, në fitoren 8-6 me penallti përballë Palermos. Në minutën e 11, Manaj iu përgjigj avantazhit të zirozëve me Ferchichi. Ekzekutim perfekt i një goditje dënimi nga jashtë zonës, që shtangu portierin.
Në të 21-ën, Manaj dribloi dy kundërshtarë, por ishte i pafat me goditjen që përfundoi në traversë. Me Interin të pafat përpara portës, Palermo kaloi sërish në avantazh me një perlë të Bonfiglio-s. Por, për të mbajtur ekipin e tij në lojë mendoi sërish Manaj, që barazoi shifrat në 2-2. Ndeshja kaloi në shtesë, me skuadrat që realizuan nga një gol, ndërsa për të vendosur fituesin ishte i nevojshëm ekzekutimi i 11-metërshave.
Ndërsa Manaj realizoi goditjen e tij, zikaltërit u shfaqën më të saktë, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 8-6 dhe u kualifikuan në gjysmëfinalet e “Final Eight”, duke qenë një pretendent për titullin kampion të Italisë për të rinjtë. E ndërsa ishte në lartësinë e pritshmërive me golat e realizuar, në ndeshjen kundër Palermos, Manaj u vëzhgua edhe nga përfaqësues të Carpit, skuadër që vetëm pas një sezoni u largua nga Seria A. Paraqitja e kuqeziut duket se i ka bindur drejtuesit e klubit për kualitetin e sulmuesit, por mbetet për t’u parë nëse Interi do të vendosë të heqë dorë nga talenti i tij.

Exit mobile version