Fred Milioneri, a po e uron Rama suksese në jetë?

Armand MAHO

Alfred Peza do të shfaqej i nervozuar në daljen e tij përpara kamerave. Kjo vetëm një ditë pasi u publikua në media kontrata ku gruaja e tij Mirela Ndini rezultonte të kish blerë rreth 1 milion lekë aksione në një bankë të nivelit të dytë. Transmetimi ishte live dhe pasi akuzoi ish-kolegët e tij për “ziliqarë” dhe “të kapur” nga fundi Peza do të shprehte dhe revoltën e tij ndaj ILDKP, një institucion i vënë në varësi të kryeministrit Rama, i cili pas publikimeve njoftoi nisjen e hetimeve për deputetin rilindas, i cili u soll aty nga bota e medias. “ILDKP nuk heton pasurinë e trafikantëve të drogës dhe prostitutave që janë sot në Kuvendin e Shqipërisë, por merret me kursimet e mia”, do të ishte pak a shumë reagimi i deputetit rilindas. Të nesërmen në media kjo frazë e thënë live nga deputeti rilindas ishte zhdukur dhe ishin marrë ato që duheshin, pra pjesët ku ai fillimisht sulmonte kundërshtarët e tij politikë, por edhe ish-kolegët e tij. Por për një sy të vëmendshëm dallohet qartë se kjo deklaratë për “trafikantë dhe tutorë prostitutash” bie në kundërshtim me atë që Peza do të shprehej në majin e vitit të kaluar kur në deklaratat e tij publike, teksa  kundërshtonte kreun e opozitës për trafikantët e drogës brenda PS, do të shprehej: “Ata nuk janë fshehur asgjëkundi, për arsyen e thjeshtë se nuk ekzistojnë kriminelë në grupin e PS-së. Nuk janë fshehur, por ligji për të cilin ne dhamë të gjithë mbështetjen ta bësh, nuk ka nxjerrë asnjë kriminel sepse askush nga ata që ti ke akuzuar nuk është hetuar apo dënuar për asnjë krim të parashikuar nga ligji”. Deklarata mban datën 26 maj të vitit 2016 dhe është një kthesë 360 gradë nga ato çka Peza i indinjuar tha përpara kamerave më datë 15 janar, diçka më shumë se shtatë muaj më pas. Deklarata që tregojnë se ka një hatërmbetje ndaj shefit të tij, kokës së karvanit rilindas.

Sulmi nga Rilindja

Por përse gjithë ky revoltim i Pezës? Deputeti rilindas e di fare mirë se nga i ka ardhur sulmi… Është e njëjta skemë që Rama përdori me heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës, për ta flakur tutje si limon i shtrydhur, vetëm se çështjet janë të ndryshme. Publikohet një rast, një skandal, mundësisht jashtë mediave, të cilat i kontrollon qeveria dhe më pas në punë vihen institucionet, në këtë rast ILDKPKI. Sipas njoftimit për shtyp të ILDKPD, “Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit”. Shqetësimi i Pezës një ditë më parë nuk ka qenë fare i kotë. Ndërkohë dje agjencia e lajmeve “BIRN” lajmëronte në një shkrim të saj se, Alfred Peza, deputet i Peqinit rrezikonte të humbte mandatin “Inspektorati pritet ta hetojë Pezën jo vetëm për burimin e pasurisë, por edhe për mundësinë e konfliktit të interesave. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, deputetët nuk mund të kenë interesa në kompani që ka ‘veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre’. Mbetet për t’u parë nëse aktiviteti i zakonshëm i Bankës Credins bie apo jo në këtë klauzolë të Kushtetutës”, shkruan agjencia e lajmeve “BIRN”….

Skema Kokëdhima

Peza ka të drejtë të alarmohet?! Ai e ka të vështirë të justifikojë 1.1 miliardë lekët, por ajo qeë e mundon është se nga i ka ardhur thika pas shpine dhe përse? Duke e njohur mentalitetin e Ramës ai s’e ka për gjë ta flakë tutje, kur sheh se një prej personave të tij nuk i hyn më në punë ose i bëhet pengesë për mbajtjen e pushtetit. Për Alfred Pezën vlen e para! Pra, nuk është çudi që ish-gazetari Peza nuk i hyn më në punë. Ndërsa Koço Kokëdhimën e shihte si kërcënim në pjesën e Jugut, ku ish-deputeti i PS-së po përdorte pushtetin për të shtrirë influencën, në rastin e Pezës nuk i hyn më në punë. E për çfarë i duhet kur në zonën e Elbasanit ka Taulant Ballën? Natyrisht në këtë rast nuk është çudi që ILDKPK të ketë marrë urdhër, që pas zhurmës t’ia përcjellë si rast Prokurorisë, por me letra të kopsitura që ai gjithsesi të dalë i pastër nga kjo histori. Por ajo që është e sigurtë duket fakti se ylli i Pezës në politikë perëndoi. Ai me shumë gjasë nuk do të jetë më në listën e deputetëve të Elbasanit, si në vitin 2013. Kjo për arsye se ligji i dekriminalizimit i ndalon personat që janë deri tre muaj para zgjedhjeve që të rikandidojnë derisa të merret vendimi përfundimtar. Listat duhet të bëhen publike brenda datës 19 prill, pra, dy muaj para zgjedhjeve, dhe ILDKPKI nuk ka pse nxiton. Duket se Rama po i uron “Suksese në jetë” bashkëpunëtorit të tij të marrë nga fusha e medias në vitin 2013!

Bolino kafshon kur e ndërsen Rama

Rasti Peza ka marrë vëmendjen dhe të Karlo Bollinos, botuesit dhe gazetarit italian të shqiptarizuar, por që njihet si sekseri numër një nga bota e medias për pazaret e tij mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Është i njohur fakti që Bollino nuk shkruan asnjëherë pa lejen e Ramës dhe aq më pak të sulmojë ndonjë nga rilindasit që koka e karvanit e ka për zemër. Por dje në një shkrim të botuar në gazetën e tij, “Shqiptarja.com” me titull “Në Itali nuk kam njohur kurrë gazetarë të pasur; Mos e katandisni edhe gazetarinë siç bëtë me liqenet e Lurës”, Bollino kthen shigjetat nga Alfred Peza kur thotë, “Paratë, për një gazetar të vërtetë, mbeten në fund të listës dhe miti i gazetarit të pasur (duke marrë parasysh atë çfarë po thuhet këto ditët e fundit në Shqipëri) është i pari që duhet të demaskohet (në Itali nuk kam njohur kurrë gazetarë të pasur). Nuk është e vërtetë as ajo, që cilësia më e rëndësishme për një gazetar qenka pavarësia: në fakt, vlera e tij e vërtetë është liria. Një gazetar mund të jetë edhe zëdhënës i një partie por, në rast se kur flet dhe shkruan thotë dhe shkruan gjëra në të cilat beson me të vërtetë, atëherë ai është një gazetar i lirë, edhe pa qenë gazetar i pavarur. Mund të gabojë, por ajo që ka rëndësi është të mos gënjejë kurrë me dashje”, shkruan Bollino. Vlen të theksohet se botuesi italian i shqiptarizuar ishte dhe një ndër sulmuesit më të egër në rastin e Kokëdhimës. Dhe atëherë ishte gazeta e Bollinos dhe TV që ai drejton që kërcenin përpjetë dhe jepnin argumente se përse i duhej hequr mandati deputetit rilindas. Dhe në atë rast kjo media u urdhërua nga Rama dhe fati i Koços, njeriut që i hapte çdo derë të bizneseve dhe medias së tij për Ramën, dihet si përfundoi.

Pjesë e denigrimit dhe gazetari mbështetës i Rilindjes, Llanaj

Pjesë e fushatës së denigrimit është bërë dhe botuesi i gazetës “Bulevard” dhe në atë kohë njëkohësisht edhe gazetar i gazetës “Tema”, Artur Llana. Dhe ky njihet për mbështetjen që i ka dhënë Rilindjes. Ai ka rrëfyer një histori marrëdhëniesh me televizionin “Ora Neës”, pronarin e saj dhe për më shumë me Alfred Pezën. “Llana shprehet se ndihet i fyer edhe nga opinionet e disa kolegëve të tij, madje shokëve të klasës të Gjuhëve të Huaja, të cilët nuk morën guximin të thonin asgjë për shtatë vite gjyqe që ai bëri së bashku me fëmijët dhe bashkëshorten në  ‘qeverisjen e PD'” (se ç’lidhje ka puna e gjykatave me qeverisjen këtë e di Llana). Zoti Llana tregon me detaje se çfarë ndodhi në fakt me të dhe kush ishte roli i Alfred Pezës. “Një sms e dërguar nga z. Llana në adresë të Pezës që flet sa një mijë artikuj dhe përgjigjja e tij prej batakçiu. Por edhe detaje të tjera që Ylli Ndroqi dhe Alfred Peza i dërgonin njerëz duke akuzuar njëri-tjetrin dhe faktet që ai përdori si gazetar duke mbyllur sulmin ndaj tij, që nga burgu në Turqi dhe pensioni i paguar i djalit të Pezës… Një rrëfim që nis nga një lokal i thjeshtë në Durrës deri te njerëz në një hotel në plazh të Durrësit dhe angazhimi i Ylli Ndroqit që të hiqte të gjithë shkrimet, një fushatë e turpshme e Pezës ndaj Llanës, duke i kërkuar kreut të Bashkisë që të mos e ndihmojë, kur në fakt gjërat ishin ndryshe. Zoti Llana shprehet se ju kishte lënë Zotin asaj kuçkës që e bëri terrorist dhe këtij palo deputeti që Rama e shiti si blerje, ndërsa ai shpreh indinjatën për një tufë maskarenjsh që hiqen si analistë dhe në fakt vetë nuk kanë bërë asgjë për të mbrojtur gazetarët duke shtuar se gazetaria është jo në studio ku paguan politika po atje ku gazetarët kërcënohen me jetë. Nesër në gazetën ‘Bulevard’, një rrëfim i zotit Llana, me drogaxhinj, maskarenj politikë, të fortë dhe aq më shumë me policë dhe prokurorë”, paralajmëron Artur Llana në portalin e gazetës “Bulevard” që drejtohet prej tij.

Exit mobile version