Dy fëmijë kanë vdekur deri tani në Teksas nga fruthi, ku shpërthimi i kësaj sëmundjeje ka çuar në gati 500 numrin e rasteve dhe është përhapur në 22 shtete të tjera të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thanë zyrtarët amerikanë.
Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr. – kundërshtar i kamotshëm i vaksinave i cili më parë kishte këmbëngulur se vaksinimi është zgjedhje personale – tha të dielën se vaksinat janë mbrojtja më e mirë kundër fruthit.
“Mënyra më efektive për ta parandaluar përhapjen e fruthit është vaksina kundër fruthit, shytave dhe rubeolës”, shkroi Kennedy në rrjetin social X.
Zyrtarët shëndetësorë në Teksas thanë se fëmija i dytë që humbi jetën është një vajzë 8-vjeçare e pavaksinuar, e cila nuk kishte sëmundje të tjera.
Ajo vdiq më 3 prill në spital nga dështimi frymëmarrjes i shkaktuar nga fruthi, thanë zyrtarët.
Një fëmijë tjetër në Teksas vdiq më herët pas përhapjes së fruthit, që nisi në fund të janarit në këtë shtet.
Fruthi ishte shpallur i eliminuar në Shtetet e Bashkuara nga viti 2000, por për raste të kohëpaskohshme me këtë sëmundje janë fajësuar udhëtarët nga vende të tjera.
Kennedy tha se ka 642 raste të konfirmuara me fruth, 499 prej tyre vetëm në Teksas.
Ai shtoi se ekipe nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) janë dërguar në Teksas me kërkesë të guvernatorit Greg Abbott.
Në të kaluarën, Kennedy kishte rekomanduar vitaminën A dhe ushqimin e mirë si trajtim për fruthin.
Studimet në disa vende në zhvillim kanë treguar se vitamina A mund ta zvogëlojë ashpërsinë e simptomave, por gjithashtu mund të shkaktojë toksicitet në mëlçi nëse merret në sasi të larta.
Shumë demokratë e kundërshtuan emërimin e Kennedyt – djali i senatorit të ndjerë Robert F. Kennedy dhe nipi i presidentit John F. Kennedy – për shkak të teorive të tij të pazakonta për shëndetin, përfshirë qëndrimin e tij kundër vaksinave.
Zyrtarët kanë thënë se vaksina kundër fruthit është 97 për qind efektive pas dy dozave.
Në faqen e saj të internetit, CDC-ja thotë se vaksina është “mbrojtja më e mirë kundër fruthit”, i cili përhapet nëpërmjet ajrit kur një person i infektuar teshtin apo kollitet.
Deri tnai këtë vit numri i rasteve me fruth në Shtetet e Bashkuara është dyfish më i madh se tërë viti ne kaluar.
Përveç Teksasit, shtetet me raste aktive – me tri ose më shumë raste – janë Nju Meksiko, Kansas, Ohajo dhe Oklahoma. Kjo sëmundje përhapet në zona me nivel të ulët të vaksinimit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha javën e kaluar se rastet me fruth në Meksikë janë të lidhura me ato në Teksas./REL