Dialogu Kosovë-Serbi, Kaja Kallas: Po analizojmë gabimet e të dyja palëve! Primare, normalizimi i marrëdhënieve për të ecur drejt BE-së

Bashkimi Evropian është duke i zbërthyer gabimet dhe atë se çfarë shkon dhe çfarë jo në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, tha të hënën në Podgoricë shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas.

 

E pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha gjatë një konference për media se “ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi” së bashku me të dërguarit e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili e mori detyrën në shkurt.

“Çfarë është me rëndësi për neve është normalizimi i marrëdhënieve, sepse ka këtë asnjëra nga to nuk mund të ecë përpara ne rrugën drejt BE-së”, tha Kallas.

Kallas nuk dha më shumë hollësi se cilat mendon që ishin gabimet apo çfarë nuk ka shkuar deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku.

Me gjithë dialogun e zhvilluar ndër vite dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, procesi ka ngecur dhe tensionet janë rritur.

Kallas, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 2 prill, ka thënë se Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër.

“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me përfaqësuesin e Posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen] në ditët në vijim”, kishte thënë Kallas.

Përfaqësuesja e Lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nga 7 deri më 9 prill është duke e vizituar disa shtete në Ballkanin Perëndimor.

Në vizitën e parë të saj në rajon si shefe e diplomacisë evropiane, Kallas do të qëndrojë në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë./REL

Exit mobile version