Kukësi vijon të jetë nën pushtetin e dëborës, reshjet e së cilës janë intensifikuar gjatë mëngjesit të sotëm. Fshatrat Arrën, Kalis, Grykëçajë e Surroj janë të bllokuara, ndërsa një pjesë e fshatrave janë pa energji elektrike, njofton bashkia e këtij qyteti. Në një dalje për mediat, Kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu, kërkon mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave për situatën, ndërsa shton se, bashkia ka marrë të gjitha masat për funksionimin e institucioneve jetike si Ujësjellësi si dhe mbajtjen hapur të rrugëve që të çojnë drejt spitalit, maternitetit dhe njësive të shërbimit.
Kryetari i Bashkisë i bën apel qytetarëve që të mos lëvizin pa pasur një arsye të fortë në këto ditë ku priten edhe rënie drastike të temperaturave.
Prej tre ditësh në Veri të vendit kanë nisur reshje të dendura dëbore, duke bërë që shumë akse rrugore të kalohen me vështirësi me ndihmën e zinxhirëve. Edhe pse janë angazhuar 10 borëpastruese, situata në rrugën e “Kombit” paraqitet e vështirë.
Punonjësi i OSHEE ngrin në shtyllë në Kukës
Një punonjës i OSHEE-së ka ngrirë thuajse totalisht në një shtyllë në qytetin e Kukësit, teksa po punonte. Ai është dërguar menjëherë në spital në gjendje të rëndë. Sipas burimeve, temperatura e tij e trupit kishte rënë në 34 gradë. Por me ndërhyrjen e mjekëve, ai tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Bllokohet Dibra, dëbora arrin në 50 cm
Situata në Dibër është rënduar për shkak të reshjeve të dëborës. Mësohet se në Dibër janë të bllokuara rrugët në të gjitha njësitë administrative për shkak të borës që ka arritur edhe deri në 50 cm. Situata pritet të përkeqësohet gjatë fundjavës, referuar parashikimeve të sinoptikanëve. Edhe në rrugën nacionale Peshkopi-Tiranë, lëvizet vetëm me zinxhirë për shkak të dëborës.
Bllokohen në mes të borës 5 persona në Pukë
Pesë persona kanë mbetur të bllokur brenda një makine në aksin rrugor Fushë Arrëz-Kukës. Mësohet se në ndihmë të të bllokuarve kanë shkuar ekipi i ndihmës. Ky aks paraqet rrezikshmëri të lartë në mot me dëborë. Ndërkohë, që Shtabi i Emergjencës Civile ju bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të mos lëvizin në këtë aks rrugor, pasi është i pakalueshëm.