Fshehja e lojës së madhe në të voglën ose vetëizolimi në mikropolitikë

Nga Preç Zogaj

Edhe në një kazermë politike të mbyllur siç ishte regjimi komunist në Shqipëri, zhvillimet ndërkombëtare kishin ndikim në politikën e brendshme. Enver Hoxha dhe Ramiz Alia pas tij e mbanin gjithnjë një sy hapur e një vesh ngritur se çfarë ndodhte nëpër botë prej nga kërkonin koridore për t’i dhënë sadopak oksigjen pushtetit të tyre.

Kur ndodhte kështu atëherë merret me mend sa përcaktuese janë zhvillimet ndërkombëtare në Shqipërinë e hapur të ditëve tona.
Është diçka fiziologjike. Ashtu si klima, makropolitika e sheh botën nga lart, e prek dhe e mbështjell bashkë me muret që ngrenë shtete të ndryshme në emër të sovranizmit, ideologjisë apo moralit puritan – përcaktime që zakonisht nuk janë gjë tjetër veçse parulla për të maskuar e zbukuruar sundimin e tiranëve dhe autokratëve.

Si vend anëtar i NATO-s dhe në negociata për të hyrë me titull të plotë në Bashkimin Europian, Shqipëria, lumturisht, ka zgjedhur të jetë nën mbulimin dhe rrezatimin e rendit demokratik perëndimor.

Por çfarë kërcet në atë që është e duhet të jetë ndërveprimi apo ozmoza midis politikës së madhe perëndimore me politikën “e vogël” vendore të Tiranës?

Mendja të shkon menjëherë te ajo që konstatojmë e jetojmë prej tri dekadash: Kërcet hipokrizia, shtirja, përqafimi sa për sy e faqe i detyrave të shkruara, por që nuk zbatohen, ose zbatohen me bisht. Shembulli proverbial janë standardet zgjedhore. Prej tridhjetë vjetësh këto standarde frulohen në spiralen e përmirësimeve që nuk mbarojnë kurrë, nuk zenë vend kurrë. Sepse sabotohen në zbatim.

Pas më shumë se tri dekadash në demokraci, ne bëjnë zgjedhjet më të këqija në rajon. Raportet e OSBE/ODHIR-it fotografojnë çdo dy vjet një ngrehinë zgjedhore të plagosur, ku riparimit të goditjeve të mëparshme u përgjigjen shembjet e reja, plagët e reja. Kështu pambarim.
Kasta politike plurale solidare e tranzicionit, Berisha-Meta-Rama kanë secili rekordet përkatëse në këtë sagë ‘përpetum mobile’ pa të ngjashme në kontinent. Kryeministri Rama i ka rafinuar e ngritur në një nivel me të lartë manipulimet e parardhësve, por përfundimi është po ai: zgjedhjet dështojnë të arrijnë standartet normale.

E njëjta qasje hipokrite edhe ndaj shumë ligjeve të tjera që përshtaten bukur në legjislacionin tonë por rëndom mbesin në letër. Jo më kot qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë u përseritet vazhdimisht nga partnerët një sentencë elementare: Ligji është zbatimi i tij. Pa zbatim është asgjë.
Mund të sillen shembuj të tjerë ku politika e madhe e familjes ku bëjmë pjesë dhe politika e vogël në nahinë tonë bëjnë masë ose janë në kontradiksion të vazhdueshëm. Kryesisht për shkak të ushtrimit epshor dhe të jetuarit në projeksionin e përhershmërisë në pushtet të drejtuesve tanë.

Por vitet dhe kohët e fundit është vënë re se në raportet e politikës vendore me lojën në skakierën e politikës botërore kërcet diçka më e madhe. Që është fshehja apo përjashtimi i kontekstit ndërkombëtar nga veprimet dhe qëndrimet e aktorëve politikë të kastës. Do të thotë një lloj vetëizolimi i tyre, që në rastin e opozitës radikale shoqërohet me paqartësi në atë se ku është kufiri i qëndrimeve kundër qeverisë dhe kur karikimi opozitar shkon më larg dhe merr në shenjestër vetvetiu, pa e thënë, qëndrimet e SHBA, BE apo NATO-s.

Në rastin e Ramës, në koherencë me kulturën e tij të drejtimit autoritaritarist, ky lloj vetëizolimi në hapje shfaqet në shpërthimet e stampës sovraniste, që ndyshe përkthehen “mos na çani kokën, i dimë vetë punët tona”. Edhe këtu, kufiri midis karshillëkut të mbrapshtë dhe të mos qënit “jesmen”, që është një vlerë, është rëndom fluid.

Ka padyshim injorancë, dritëshkurtësi dhe miopi në qasjet dhe qëndrimet, ku loja e vogël e bën të paqenë të madhen. Por ka edhe përfiditet, prapamendim, qëllim, ku loja e vogël e ka si target të sajin politikën e madhe të SHBA, BE-së apo NATO-s, por nuk e thotë hapur, duke e ditur se po të dalë hapur do të humbasë shumë prej ndjekësve.

PD, partia më e madhe e opozitës është përballur përpara se te përçahej me problemin sa ka qënë realist dhe sa me doza sforcimi, sa i merituar dhe sa i kërkuar, sa efektiv dhe sa shterpë radikalizmi i saj ektrem kundër qeverisë. Kushdo mund të tërheqë sot një konkluzion në dritën e rezultateve që ka prodhuar ai lloj radikalizmi, që gjithsesi e mbajti opozitën të madhe.

Trashëgimtari i radikalizmit të pasuksesshëm të PD-së së bashkuar të viteve 2017-2020 është sot vektori i Rithemelimit të Berishës që vetëreklamohet si opozita e vërtetë. Çdo opozitë mund ta karikojë sa t’i hajë krahu retorikën e saj antiqeveritare, shoqëruar me veprime ektreme. Qeverisja mban sa të thuash. Por thelbi i opozitarizmit është efektiviteti. Sa rritet, sa bëhet i pëlqyeshëm për një numër gjithnjë e me të madh njerëzish, a bëhet fitues. Kjo nuk arrihet kurrë duke u vërtitur në mikropolitikë, pa marrëdhënie të hapura me patnerët, pa hapje të mendjeve.

Veçanërisht në këtë periudhë kur bota përballet me disa sfida jetike për demokracinë në nivel planetar, opozita që presupozohet të jetë shtet-formuese në formim, ka për detyrë të dije të dallojë qartë: deri në ç’pikë beteja e saj radikale vlen për të dobësuar qeverinë e korruptuar dhe kur kjo betejë hyn në pika takimi dhe çon ujë, me dashje a pa dashje, te politika e minimit të demokracisë. Siç është bërë e qartë disa herë nga partnerët tanë amerikanë-europianë dhe siç është vertetuar nga disa ngjarje në rajonin tonë e me gjerë, politikat e minimit dhe diskretitimit të demokracisë e kanë qendrën në Moskën putiniste dhe janë vepruese prej kohësh kundër çdo vendi demokratik, duke shfrytëzuar pikat e dobëta të sistemit demokratik plus ato të elitave të korruptuara. Shumë analistë pohojnë se lufta e paprovokuar kundër Ukrainës, ngjarja më e madhe e kohës sonë, filloi dhe po zhvillohet si një sintezë me mjete luftarake e luftës së Rusisë kundër demokracisë.

Politika e jashtme amerikane e ka përcaktuar si përparësi të saj luftën kundër korrupsionit në nivel global dhe në veçanti në vendet aleate siç është Shqipëria, shoqëruar me përdorimin e instrumentit të sanksionimeve “non gratta”. E gjithë kjo në funksion të forcimit dhe dhe mbrojtjes së demokracisë si pasuria më e madhe e vendeve të lira, falë së cilës këto vende mbajnë epersinë në zhvillim ndaj vendeve autokratike. Vetë SHBA përfaqëson në kohën tonë qendrën më të madhe të politikës globale prej nga varet shumë dielli dhe shiu i botës në kohët e afërta.

Politika në Shqipëri, sado vend i vogël që jemi, nuk mund të bëjë strucin sikur ky konteks nuk ekziston. Ky kontekst është vetë emri i sigurisë sonë si vend i lirë.

Kyeministri Rama dhe qeveria e tij kanë tashmë një rekord të konsumimit në pushtet me një listë të gjatë skandalesh e dështimesh. Të gjitha këto dalin e teprojnë për t’u bërë atyre një opozitë të zgjuar, efektive, fitimtare. Por një opozitë si ajo e Rithemelimit, që e trajton Ramën si emrin përmbledhës të SPAK-ut, apo të SHBA-ve, është thjesht retorike, shterpë, pa jehonë tej radhëve në zvogëlim të fanatikëve partiakë.

“Armiku i madh” nuk mund të zvogëlohet në emrin e Ramës. Emri i Ramës nuk mund të zmadhohet në përmasat e “armikut të madh”. Kësaj loje i ka dalë tymi dhe boja. Rama qeveris akoma sepse beteja e sedrës e Berishës pas sanksionimit nga SHBA shkatërroi rezultatin e lartë që shënoi opozita në zgjedhjet me standarde të cënuara të vitit 2021. Ruajtja e bashkimit, rinovimi dhe reflektimi rreth ekuivokeve gjeopoltike të radikalizmit ekstrem do të kishte prodhuar që tani parakalimin në sondazhe të PD-së dhe udhëtimin e sigurt të opozitës së bashkuar drejt fitores në vitin 2025. Për momentin kjo e ardhme është një rebus. Por skenarët e bashkimit dhe zgjidhjeve të tjera janë të hapura.

Exit mobile version