Numërimi i votës preferenciale ka përfunduar në rang vendi dhe kemi një pasqyrë të qartë se kush do të jenë 140 deputetët e rinj të Parlamentit të Shqipërisë. Tani pritet vetëm vota e diasporës, e cila mund të jetë vendimtare vetëm në disa qarqe. Megjithatë, momentalisht kemi një panoramë të qartë të fituesve dhe bie në sy se një pjesë e madhe e tyre janë me dosje në prokurori.
Te PD kemi në krye të listës Sali Berishën, i cili është dërguar për gjykim për aferën “Partizani”. Fatmir Mediu po ashtu është në proces gjyqësor për Gërdecin. Belind Këlliçi po hetohet për falsifikim të diplomës dhe fshehje pasurie.
Po ashtu për fshehje pasurie janë Flamur Noka dhe Luan Baçi. Ndërsa Bardh Spahia është marrë i pandehur për shpërdorim detyre. Ndërkohë, dosje ka edhe Xhelal Mziu, i cili është paditur për një tender kur ishte kryetar bashkie në Kamëz dhe është marrë në pyetje nga SPAK. Të 7 emrat më sipër e kanë të sigurt mandatin e deputetit dhe do të jenë në Parlament pavarësisht hetimeve nga SPAK.
Duhet theksuar se emra si Ilir Meta, i cili është nën arrest, apo Asllan Dogjani që po hetohet për fshehje pasurie, nuk kanë marrë mandat deputeti, të paktën deri tani, pasi siç e thamë, pritet diaspora.
Sa i takon Partisë Socialiste, një pjesë e madhe e emrave nën hetim thuajse kanë mbetur jashtë. Klotilda Bushka, e cila po hetohet për dosjen e Veliajt, nuk ka arritur të sigurojë mandat. Po ashtu, me të dhënat aktuale jashtë është Olta Xhaçka, por diferenca mes saj dhe Blerina Gjylametit është shumë e ngushtë dhe vota e diasporës lë të hapur gjithçka. Një emër në PS që është nën hetim dhe ka siguruar mandat është Ceno Klosi. Ish-kreu i Tatimeve ka dalë i pari nga vota preferenciale. Ai po hetohet për abuzime dhe shpërdorim detyre kur drejtonte Tatimet. Të shohim nëse tani SPAK do të guxojë të marrë dikë të pandehur.
Emrat me dosje:
1. Sali Berisha, dërguar për gjykim për aferën “Partizani”
2. Belind Këlliçi, nën hetim për falsifikim dokumentesh dhe fshehje pasurie
3. Fatmir Mediu, po gjykohet për tragjedinë e Gërdecit
4. Bardh Spahia, i marrë i pandehur për shpërdorim detyre
5. Xhelal Mziu, ka nisur një hetim për dy tenderë pastrimi kur ishte kryetar bashkie në Kamëz
6. Luan Baçi, nën hetimi për fshehje pasurie
7. Flamur Noka, nën hetim për fshehje pasurie
8. Ceno Klosi, nën hetim për afera kur ishte drejtor i Tatimeve